E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia e Prandelit e nis me humbje



Italia e Prandelit e nis me një humbje ciklin e saj të ri, duke humbur me rezultatin 1-0 në Londër kundër Bregut të Fildishtë. Takimin e vendos një gol në minutën e 55-të i shënuar nga Kolo Ture, i cili kalon i pashqetësuar në qendër të mbrojtjes "axurre" dhe mposht portierin Sirigu. Botërori i shëmtuar dhe turpërues nuk është fshirë nga memoria e italianëve pas një mbrëmjeje të lagësht angleze, megjithatë nuk është se dikush priste diçka më shumë nga kjo ndeshje e parë në të cilën Prandeli kishte hedhur në fushë një skuadër debutuesish. Përveç Balotelit që bëri një ndeshje shumë pozitive, Amaurit që zhgënjeu dhe Kasanos që gjatë gjithë lojës u vu në dukje, debutues të tjerë ishin Mota, Molinaro e Sirigu. Gjithsesi, nëse nuk do të marrim parasysh që kjo ishte një kombëtare eksperimentale nga e cila Prandeli do të përpiqet t'i ndërtojë një të ardhme të artë Italisë, takimi me Bregun e Fildishtë, shumë i fortë fizikisht, mund të quhet një provë pozitive për ish-kampionët e botës. Pastaj, kjo humbje nuk është se do të sjellë pasoja të mëdha, por nga muaji shtator po, kur Italia do të përballet fillimisht me Estoninë dhe më pas me Ishujt Faroe, për eliminatoret e Evropianit 2012.
Numrat - Prandeli ka debutuar me një humbje, ashtu siç kanë bërë më parë trajnerë që më pas janë ngjitur në majë të botës, siç kanë bërë në vitin 1982 Enco Berzot dhe në 2006-ën Marçelo Lipi. Pra, mesa duket, edhe një humbje e parë për Prandelin ka precedentët e saj pozitivë, ndaj ish-trajneri i Fiorentinës nuk është se duhet të demoralizohet. Italia mbrëmë humbi ndeshjen e saj të dytë nga 17 përballje me një skuadër afrikane, pasi "sefte" e kishin bërë në Kupën e Konfederatave një vit më parë me Egjiptin.
Ndeshja - Takimi në pjesën e parë ishte i barabartë, me dy skuadra që tentonin të kapnin në befasi njëra-tjetrën. Por loja u vështirësua edhe më shumë nga terreni i lagur, edhe pse Baloteli me dy goditje nga distanca iu afrua shumë golit. Në pjesën e dytë ishin edhe rastet më të pastra për të shënuar, kur përveç golit të Kolo Turesë, Mota goditi shtyllën, por edhe Kualiarela pati një rast të artë. Gjithsesi, në fund rezultati mbeti i pa lëvizur 1-0. Tani u takon trajnerëve të bëjnë analizën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›