Marius Ngjela, blerja e re e kavajasve
Marius Ngjela duket se është blerja më e re e kavajasve. Në fakt, emri i tij është lakuar edhe në sezonin e kaluar për t'u afruar te Besa, por duket se vetëm këtë vit futbollistik do të bëhet e munduar. Sulmuesi është një ndër të preferuarit e trajnerit Shpëtim Duro dhe mësohet se ka qenë pikërisht ky i fundit që ka kërkuar që Ngjela të veshë fanellën verdhezi për sezonin e ardhshëm. Numri një i pankinës kavajase e ka stërvitur korçarin, në kohën kur ka luajtur te Partizani. Mirëpo, që nga ajo kohë, Ngjela ka luajtur edhe me dy skuadra të tjera të kampionatit shqiptar. Ai sezonin që shkoi e nisi me Flamurtarin, për ta përfunduar te Gramozi. Mësohet se sulmuesi korçar është stërvitur dje së bashku me pjesën tjetër të grupit të Besës, nën urdhrat e trajnerit Shpëtim Duro, i cili do ta japë "ok"-in për të pasur shërbimet e këtij lojtari.
Mihani- Megjithëse nuk e kanë realizuar dot testin ndaj Tiranës përpara ndeshjes së Superkupës, ekipi i Besës po vijon me përgatitjet intensive, me qëllim që ta mbyllin me sukses. Në kampin verdhezi të gjithë kanë besim se do të arrijnë ta fitojnë Superkupën, për ta çuar për herë të parë në qytetin e Kavajës këtë trofe të rëndësishëm. Për mesfushorin kavajas të Besës, Meglid Mihani, Superkupa do të jetë trofeu i parë që Besa do të çojë në shtëpi këtë sezon. "është një ndeshje interesante dhe e fortë natyrisht. Do të jetë bukur ta nisim këtë sezon me një ndeshje të tillë, por më bukur akoma do të jetë që ta fitojmë atë. Ne do të bëjmë gjithçka për ta sjellë në Kavajë këtë trofe. Duam ta nisim me 'këmbën e mbarë' sezonin, dhe një fitore në Superkupë do të thotë shumë",- u shpreh fillimisht mesfushori i Besës.
Përballja - Besa duhet t'i bëjë mirë llogaritë, pasi përpara do të ketë ekipin kampion në fuqi, dhe një nga ekipet që ka zhvilluar një merkato mjaft të mirë, Dinamon."Ne duhet ta pranojmë që për momentin Dinamo mbetet ekipi më i mirë i Superiores. Në përbërje kanë lojtarë shumë kualitativë dhe duhen respektuar, por pavarësisht të gjitha këtyre ne nuk kemi aspak frikë. Ndjehemi të fortë dhe të sigurt në vetvete se do të bëjmë gjithçka për t'i mundur ata. E rëndësishme është që të zhvillojmë një lojë kolektive dhe në grup. Vetëm duke qenë të bashkuar do të arrijmë që ta mundim një ekip si Dinamo". Shpati Kolgega