E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diktatori i vetmuar

Grupi militant i të rinjve Chipangano, që është luajal ndaj presidentit të Zimbabvesë, Robert Mugabe, i bëri thirrje popullatës që të bojkotojë prodhimet e zinxhirit të restoranteve jugo-afrikane, sepse në reklamën e tyre të fundit Mugabe shfaqet si “Diktator i Vetmuar”.

Shefi i Chipangano’s, që është një e ashtuquajtur vëllazëri e përkrahësve të presidentit, i bëri thirrje zinxhirit të restoranteve Nando që të tërheqin reklamën me Mugaben, ose do të përballen me masa të dënimit, në mesin e të cilave është edhe bojkoti.

Në reklamën e cila emitohet për tregun jugo-afrikan, por që mund të shihet edhe nga banorët e Zimbabvesë, shfaqet Mugabe sesi i mërzitur rri ulur skaj një tavoline, e cila është përgatitur për diktatorët e rrëzuar, në mesin e të cilëve është edhe ish-lideri i vrarë libian, Muammar Gaddafi.

Nën përcjelljen e këngës së Mary Hopkin "Those Were The Days, My Friend" (Ato Ishin Kohëra, Miku Im) aktori që luan rolin e Mugabes i kujton kohërat që dikur i kalonte me ish-diktatorët. Në mesin e “kujtimeve” është edhe skena në të cilën Mugabe dhe Gaddafi shtien në njëri tjetrin nga armët me ujë, megjithëse Gaddafi mban në dorë një kallashnikov të artë me ujë. Veç kësaj Mugabe bënë edhe engjëj nga rëra me Saddam Hussein, këndon karioke me Mao Cedun, kurse Idi Aminin e mban në duar mbi një tank - një parodi kjo e skenës me Kate Winslet e Leonardo diCaprio nga filmi “Titanic”. Gjithashtu, në reklamë shfaqet edhe skena që paraqet Mugaben duke shtyrë një kolovajzë mbi të cilën është i ulur presidenti i Afrikës Jugore i kohës së aparteidit, Pieter Botha.

Reklama përfundon me kthimin e diktatorit në realitet, ku e kupton se ka mbetur vetëm i ulur pranë tavolinës së Krishtlindjes, dhe se miqtë e tij kanë ikur përgjithmonë. Në fjalinë përmbyllëse të reklamës, Mugabe thotë:

"Në këtë periudhë të vitit askush s’do të duhej të hante i vetmuar”.

Ish-heroi çlirimtar i Zimbabvesë tash 30 vjet është në krye të shtetit, duke u bërë një sinonim i sundimit të tij autoritar. Gjatë viteve të fundit pushteti i Mugabes është përballur me një kolaps të plotë ekonomik të vendit, me shkeljen e orkestruar të të drejtave të njeriut, dhe me përdorimin në rritje të dhunës si mjet politik.

Partia e tij në pushtet ZANU-PF aktualisht po përgatitet për zgjedhjet e reja, të cilat besohet se tirani Mugabe do t’i përdorë për inicimin e një vale të re të dhunës ndaj popullit të tij.

Drejtori i degës së restorantit Nando për Zimbabve pohon se nuk ishte i njoftuar për fushatën televizive në Afrikën e Jugut.

Musekiwa Kumbula, drejtor punëve të brendshme i kompanisë Innscor Africa, e cila është pronare e franshizës Nando për tregun e Zimbavesë, nëpërmjet një kumtese deklaroi se reklama e gjatë 60 sekonda, e cila mund të shihet edhe në internet, është krijuar në Afrikën e Jugut, dhe i dedikohet konsumatorëve të atjeshëm.

Tallja me Mugaben, në Zimbabve është akt i ndalur me ligj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›