“Kriza politike” Topalli: Zgjidhja, thyerja e bojkotit
TIRANE- Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në News24 se qeveria nuk është në krizë duke theksuar se “ajo që është përfshirë nga kriza është Partia Socialiste dhe vetë kryetari i saj Edi Rama”. Pak ditë përpara fillimit të negociatave në tryezën e Presidentit Topi, Topalli përjashton cdo mundësi për pranimin e kërkesave të opozitës për hapjen e kutive të votimit. Kryetarja e parlamentit theksoi se kreu i qeverisë nuk mund të dalë mbi vendimin e gjykatave për të hapur kutitë, ndërsa përmend raportin e OSBE/ODIHR duke shtuar se në këtë raport zgjedhjet janë cilësuar si më të mirat të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Kryeparlamentarja u shpreh se nuk mund të ketë rinumërim të votave pa asnjë provë dhe pasi procesi zgjedhor ka kaluar cdo hallkë. “Pasi mbyllet procesi zgjedhor nuk mund te ribëhet rinumërim i votave. Nuk ka rinumërim pa asnjë provë” u shpreh Topalli. Ndërsa konsideroi se dialogu politik është veprimi i duhur që do të nxjerrë vendin nga ngërci politik, Topalli deklaroi se pavarësisht gjithçkaje dialogu mes Berishës e Ramës nuk ka munguar gjatë gjithë periudhës që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Dialogu mes Berishës e Ramës nuk ka munguar. Gjatë gjithë kohës Rama e Berisha kanë komunikuar përmes kanaleve të shumëllojshme, direkte, indirekte, të brendshme e të jashtme, dhe kjo është gjë e mirë. Dialogu është gjë e mençur” tha Topalli. E pyetur për mundësitë e zgjidhjes së krizës politike në tryezën e presidentit, Topalli theksoi se organizimi i tryezës është cështje e presidentit Topi, ndërsa shtoi se zgjidhja e duhur mbetet thyerja e bojkotit dhe hyrja në parlament e opozitës. Ndër të tjera, Topalli foli edhe për mandatet e deputetëve socialistë duke theksuar se për këtë cështje do të zbatohen nenet e Kushtetutës. "Kushtetuta thotë se mandatet digjen, kur një deputet nuk paraqitet për 6 muaj në parlament. Unë u them të vijnë në parlament, të bëjnë betimin, dhe të zbatojnë detyrën që u ka dhënë populli" tha Topalli. Për sa i përket rrëzimit të marrëveshjes me Greqinë, kryetarja e Parlamentit nënvizoi se qeveria do të fillojë sa më shpejt rinegocimin për kufirin detar. “Do fillojmë rinegocimin , shteti ecën, punon cdo ditë” mbylli intervistën e saj kryetarja e Kuvendit në News24. (e.n/BalkanWeb)