Dikur luhej futboll pa pagesë
Thuajse çdo lagje e Tiranës ka pasur dikur një fushë të madhe futbolli, që parcelizohej nga zërat e gëzuar të fëmijëve. Veç projektit “Dua të luaj”, nuk ka pasur më iniciativa për t’u kthyer fëmijëve hapësirat e nevojshme për t’u argëtuar
Kur sheh fëmijë që luajnë futboll, apo lojëra të tjera të moshës në mes të hapësirave të lëna “zemërgjerësisht” nga ata që parkojnë makinat para pallateve, kujtohesh menjëherë se jo gjithmonë ka qenë kështu. Terrenet sportive publike janë një kujtim i këndshëm i së shkuarës. E kotë të themi që ato qenë të parat hapësira që u privatizuan pa shumë ndërmarrje ligjore, ose sherre për tokën. Po ç’bëhet me to tani? Të dhënat nga burime zyrtare të bashkisë thonë se një pjesë fare e vogël e tyre e ka ruajtur destinacionin, si kënde sportive, fati i të tjerave ka qenë shndërrimi në sheshe ndërtimi për pallate. Ato pak kënde sporti që kanë mbijetuar, janë nën kujdesin e klubeve të ndryshme sportive dhe shfrytëzohen në emër të këtyre të fundit. Për të luajtur një ndeshje futbolli apo basketbolli me miqtë, tanimë nuk mjafton të dalësh jashtë shtëpisë me top nëpër këmbë. Duhet të bësh disa kilometra, qoftë edhe me makinë, si dhe të paguash një çmim prej 300 lekësh, çmim ky që e paguan secili nga lojtarët për një fushë minifutbolli që kërkon minimalisht 3000 lekë të reja për çdo orë të luajtur në hapësirën saj. Para pak kohësh, bashkia e qytetit tonë, mori një nismë shumë interesante dhe të shumëpritur nga të gjithë. Qe pikërisht projekti “Dua të luaj”, pas përfundimit të punës në 15 kënde sportive për fëmijë dhe të rinj, në lagjet kryesore të Tiranës. Por, sharra ngeci në gozhdë, pasi projekti parashikonte 100 terrene të tilla. Sipas banorëve në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, një ndër shkaqet e rrënimit të këtyre këndeve është vandalizmi i vetë të rinjve. Sipas shifrave të deklaruara nga bashkia, Tirana ka më shumë se 30 mijë metra katrorë palestra e terrene sportive në shkolla e lagje, pa përmendur këtu ambientet jo publike, të shfrytëzuara nga investitorë privatë, që vërtet i kanë kursyer këto fusha sportive, por i kanë copëzuar dhe parcelizuar sipas dëshirës.
Sipas të dhënave nga burime zyrtare të baskisë, para ndërrimit të sistemeve, pra para viteve ’90, ekzistonin plot 31 terrene sportive, ku përfshihen fusha futbolli, basketbolli dhe volejbolli. Sot nuk ka mbetur asnjëra prej tyre e patjetërsuar, të vetmet që mbeten ende ambiente sportive, janë të ashtuquajturat fushat e kalçetos, ose e minifutbollit. Ndër të paktat fusha krejtësisht të paprekura, mund të përmendim fushën e futbollit në “Institutin e edukimit fizik Vojo Kushi”, por edhe këtu, fill pas vijës fundore të fushës, ngrihen pallate dhe godina të tjera, që herë pas here gjejnë nëpër ballkonet apo oborret e tyre ndonjë top futbolli. Që në momentin kur privatizohen këto hapësira, askush nuk ka më të drejtë të vendosë për to, përveç të zotit. Rrjedhimisht, fytyra e një qyteti të tërë deformohet. Mos të harrojmë edhe terrenin e bollshëm sportiv, që gjendej pas shkollës 9-vjeçare “Ramazan Jarani”, e cila tashmë është shndërruar në një lagje më vete. Mëkat për ata qindra fëmijë që gjenin mundësinë të argëtoheshin në hapësirat e bollshme të kësaj fushe.
“Dua të luaj”, projekti që u la në harresë
Parashikonte 100 kënde sportive, por u realizuan vetëm 15 prej tyre. Gjendja fillestare e tyre përmblidhte terrene sportive dhe çlodhjeje, gjelbërim dekorativ, rrethim me tela me lartësi nga 3 metra e gjysmë deri në 4 metra. Vendndodhja e tyre mblidhte fëmijë dhe të rinj, jo vetëm nga një bllok banesash. Në bllokun “Njazi Meka”, fusha e re e ndërtuar në fillim u shndërrua në një “kopsht zoologjik”. Rrjeta e lartë i lejonte të rriturit të mbanin qentë e tyre brenda, ndërsa fëmijët rrinin jashtë të frikësuar. Sot, kushtet e asaj fushe janë të mjeruara. Rrjeta është shqyer në çdo cep dhe tabelës së basketbollit i kanë shkulur koshin. Nuk është pak të themi se edhe mbeturinat kanë zënë një pjesë të kësaj fushe.