Nis konkursi ndërkombëtar për 2 kullat te Treni
Është çelur ditën e djeshme konkursi ndërkombëtar për projekt-idenë më të mirë për dy objektet që do të ndërtohen pranë Stacionit të Trenit në qendër të Tiranës, të njohura ndryshe dhe si dy kullat. Këto objekte, të cilat janë parashikuar nga Masterplani i Qendrës së Qytetit të Tiranës, pjesë e“planit francez”, do të shërbejnë si qendra shumëfunksionale. Studiot e arkitekturës, të cilat morën pjesë në konkurs ishin tre, ndër të cilat, dy janë të huaja. Studioja holandeze De Architekten CIE, dhe ajo greko-belge Gigantes-Zenghelis Architects, rivalizojnë të vetmen studio shqiptare në këtë konkurs, Dea Studio. I pranishëm në hapjen e këtij konkursi ishte dhe vetë kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili theksoi se këto dy kulla që së shpejti do të bëhen realitet, janë një arsye më shumë për t`u krenuar me të ardhmen gjithnjë e më evropiane të kryeqytetit. Rama theksoi ndër të tjera se Tiranës po i japim një tjetër dimension, atë të një metropoli evropian. “Tirana është bërë stacioni ku ndodhin ngjarje të rëndësishme për të ardhmen në të gjitha kuptimet dhe, në mënyrë të veçantë, dhe në kuptimin e ideve të reja për zhvillimet e rejaurbanistike dhe arkitektonike. Pjesë e këtyre ngjarjeve është dhe kjo e sotmja. Jam shumë krenar për faktin që ne i kemi dhënë Tiranës një dimension evropian. Unë jam absolutisht i bindur që e nesërmja kur këto ide do të kthehen në objekte që do të bashkëjetojnë me kryeqytetasit ne do të kemi një arsye për të qenë krenarë”. Projektet e studiove pjesëmarrëse në konkurs parashikojnë që këto dy kulla të jenë në funksion të planit francez për kryeqytetin dhe të krijojnë një kombinim midis imagjinatës dhe realitetit. Kullat janë parashikuar të ofrojnë shumë funksione si, hoteleri, zyra, rezidenca, qendra tregtare, dyqane etj. Të tre projektet e prezantuara i kanë kushtuar rëndësi të veçantë hapësirave publike, ku vihen re hapësirat me parqe dhe lulishte. Projekt-ideja fituese pritet të shpallet sot nga 7 anëtarët e jurisë ndërkombëtare, e përbërë nga arkitektë të huaj dhe vendas.
Ja çfarë ofrojnë studiot në konkurrim
DE ARCHITEKTEN CIE
Holandezët janë përpjekur që në projektin e tyre të krijojnë një kombinim mes imagjinatës dhe realitetit. Sipas tyre, zona përreth është menduar të qëndrojë ashtu siç është, ndërkohë kullat janë konceptuar si udhërrëfyes për pjesën e jashtme të qytetit. Plani synon ruajtjen e lartësisë mesatare.
GIGANTES-ZENGHELIS ARCHITECTS
Ka një tjetër koncept planifikimi. Ata u kushtojnë më tepër rëndësi hapësirave publike si, ndërtimi i një parku qendror dhe kullat konceptohen të thjeshta. Në shesh janë konceptuar kinema verore, lokale dyqane, etj.
DEA STUDIO
Kjo studio, e cila është dhe e vetmja studio shqiptare pjesëmarrëse në konkurs, e përqendron rëndësinë e saj në zhvillimin urban të qytetit. Kullat mendohet të jenë 85 metra të larta dhe rëndësi e veçantë i është kushtuar pozicionimit të tyre, si një nyje lidhëse me pjesën tjetër të qytetit.