E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dikur vëllezër, pastaj...

Nga kompania “30 for 30” vjen filmi për shoqërinë dhe ndarjen eventuale të dy ish basketbollistëve të Lakers, një serbi dhe ish shokut të tij të skuadrës, kroatit Drazen Petrovic. Dokumentari për dy legjendat e basketbollit të ish Jugosllavisë, ndarjet dhe konsideratat e tyre si dy sportistë kthehen në ekranet tuaja të DigiGold.

Vlade Divac dhe Drazen Petrovic, dy nga basketbollistët më të mirë të ish-Jugosllavisë arritën majat e suksesit, si me vendin e tyre, ashtu edhe në karrierën personale.

Por, ndryshimet politike të fillimit të viteve 90-të vendosën midis tyre kufij të pakapërcyeshëm.

Kjo është historia prekëse e dy miqve të pandarë, që jo për fajin e tyre u ndanë përjetësisht.

Basketboll, shokë, luftë dhe humbje janë ndërthurur në një dokumentar plot dhimbje me emrin “Once Brothers”.

Filmi 90 minuta i gjatë me skenar dhe regji të Michael Tolajian dhe prodhim të NBA Entertainment, është pjesë e filmave serikë të kompanisë së ESPN “30 for 30”.

Në këtë film paraqitet ngritja e skuadrës së ish Jugosllavisë në basketboll dhe fitorja e titujve në kampionatet botërore në vitet 80’ dhe 90’, ku në ekip kishte më së shumti basketbollistë nga Serbia dhe Kroacia.

"Once Brothers" ka një prej fotografive më të mira të filmave dokumentarë. Regjisori Tolajian fokusin e ka kryesisht të Vlade Divac, i cili bën një udhëtim nga Beogradi deri në Zagreb të Kroacisë për të vizituar dhe vajtuar vdekjen e shokut të skuadrës së tij, Drazen Petrovic, i cili vdiq nga një aksident me makinë në moshën 28 vjeçare.

Edhe pse filmi ka si narracion Divacin, ngjarja e tij fillon në vitin 1986, kur ai nënshkruan kontratë profesionale me ekipin e basketbollit nga Partizani i Beogradit.

Shumë shpejt ai do të mbrojë edhe ngjyrat e shtetit të tij. Aty do të takohet me Petrovicin gjatë ushtrimeve dhe të dy do të bëhen shokë të mirë, edhe pse ai vinte nga një ekip kroat që nuk ishte shumë i dashur për Partizanin.

Divac tregon se si ai me shokët e tij e idealizonin Petrovicin, i cili kishte shënuar 112 pikë në një ndeshje. Në Europë ai njihet me emrin “Mozarti i basketbollit”, kurse në Amerikë konsiderohej si “Pistolja” e Pete Maravich.

Në film paraqitet suksesi i Jugosllavisë në Lojërat Olimpike Verore në Seul të Koresë Jugore më 1988, ku kishin fituar medaljen e argjendtë, ndërkaq më vonë fituan edhe trofeun e Kampionatit Evropian dhe Botëror.

Tolajian përdor pos Divacit, edhe komente të basketbollistëve të tjerë, si: Dino Radja, Toni Kukoc, Aleksandar Petrovic, vëllai i Drazenit. Mandej në film kemi largimin e dy lojtarëve më të mirë ish Jugosllavisë drejt SHBA-ve, ku Divac luajti për Lakers, ndërkaq Petrovic për Portland.

Mirëpo, me shpërthimin e luftës në ish – Jugosllavi, miqësia në mes të Divac dhe Petrovic bëhet e tendosur, që reflektonte tensionet etnike pas luftës në vendin e tyre.

Të dy shumë pak flisnin me njëri-tjetrin, sidomos pasi Petrovic kishte valuar flamurin kroat para syve të Divacit në një ndeshje në SHBA.

Në fund të filmit, Divac arrin në Zagreb, ku mirëpritet nga serbët. Ai viziton nënën e Drazen, Biserka Petrovic dhe varrin e tij.

Shpërthen në të qarë dhe thotë. “Gjithmonë kam menduar që kur të vinte kjo ditë, të ulem me Drazenin dhe të bisedojmë si shokë. Ajo ditë kurrë nuk erdhi”.

------

Once Brothers

PROTAGONISTË: Vlade Divac, Drazen Petrovic, Toni Kukoc, Aleksandar Petrovic, Magic Johnson, Larry Bird, etj…

REGJIA: Michael Tolajian

SKENARI: Michael Tolajian

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›