Kur atdheu çmohet më pak se karrigia!
Dikur një studiuesi të shquar, autor i fjalorëve me vlerë, Fulvio Kordinjanos, sesi ia tha truri të fliste në mënyrë të papërgjegjshme për tiparet psiko-koshiente të popullit shqiptar. Mbase kishte përgjithësuar ndonjë episod vetjak të pakëndshëm, në mënyrë fyese. Kjo kishte ndodhur, me një marzh gabimi vetëm njëvjeçar (+, -), në vitin 1936. Kisha lexuar materialet e atij viti në të cilat, në mënyrë të njëzëshme, një mizërí intelektualësh të kohës, iu kundërvunë ashpërsisht Kordinjanos. I kujtuan blasfemuesit se çka pas thënë miss Edith Durhami për cilësitë pozitive të kombit shqiptar. I përmendën vargje të përndritshme të Bajronit. Madje, njëri ndër intelektualët e rinj, e vuri në një provë leksikore: „A mund ta jepni, në një fjalë të vetme, termin Besa (e shqiptarit)? Mos më thoni parola d’onore, as fedeltà!“.
Kjo ishte fryma e kohës. Nxënësit i dinin fjalët e Himnit të Flamurit të Asdrenit, integralisht, me gjithë qethjet që i bëri diktatura asaj strofës që fillonte me vargun “Se Zoti vetë e tha me gojë...”. Antikombëtarizmi zuri fill në vendin tonë me besëprerin Enver Hoxha. Ky u bë laké i jugosllavëve, meqë këta i premtuan poltronën diktatoriale. Si vasal i Titos, e kaloi edhe Kuislingun, duke i ofruar jugosllavit skeptrin e sekretarit i të PKSH-së! Pastaj nuk vonoi t’i tregonte munxët e të kujtohet se Jugosllavia ia kishte me hile Shqipërisë! Pa përmendur Konferencën e Mukjes, dështimi i së cilës ngjau me urdhër të Miladin-Mugoshës dhe u bë pikënisje për luftën civile në vendin tonë...
Pasi e mori lumi bashkim-vëllazërimin e spërkatur me ideologjinë famëmadhe të internacionalizmit proletar, vijmë tek antishqiptarizmi i Stalinit. Milovan Gjilasi ia kishte prishur paksa humorin tiranit gjeorgjian, kur numri dy apo tre i hierarkisë jugosllave (më vonë disident liberal me parime demokratike) i ishte përgjigjur pyetjes nëse shqiptarët kishin ndonjë dell prejardhjeje sllave: “Raca shqiptare s’ka të bëjë as me sllavët, as me latinët, as me hebrenjtë, i kishte thënë Gjilasi”.
Po ky politikan, i përforcuar edhe nga kujtimet e Eduard Kardeljit, na bën të ditur se Stalini e quante Shqipërinë një plaçkë tregu: E kishte ofruar vendin tonë “për gëlltitje”, nëse M. Gjilasi dhe E. Kardelji do të mund të ndikonin pranë mareshalit jugosllav që ky të mos i kthente bërrylin Stalinit. Por Tito nuk e pranoi ofertën që të mos dilte nga “kampi socialist”. Dhe “plaçka e tregut” fatmirësisht mbeti pa u shitur. Se të ishte për Enverin....
Ai, ndonëse e dinte sesa antishqiptar ishte Stalini, ia ruajti statujat në vendin tonë dhe ia la amanet edhe pasardhësit Ramiz Alia, mëkatarit famëkeq të Tivarit. Nuk kaluan pesë vite pas vdekjes së Enverit dhe Ramizit i mbetën bosh jo vetëm piedestalet e Stalint, por edhe të Enverit vetë.
Edi Rama, pas kapërcimit të Rubikonit për t’u shndërruar nga antikomunist me fletë në ultrakomunist, i pështjelluar nga sindroma e arrivistit të paskrupullt, si ithtar i Enverit, tashmë, është i gatshëm ta përnjollosë vendin dhe ta poshtërojë atë, siç kishte bërë idhulli i tij. Thuhet se proselitët bëhen ekstremistë të shkallës sipërore, për të qenë të besueshëm në bishtpërdredhjet e tyre. Palé Rama, që ka qenë ekscentrik që në adoleshencë!
Si opozitar, ai është i pangjashëm me asnjërën ndër opozitat perëndimore. Për karrigen e tij është i gatshëm të flijojë atdheun. Ai e di mirë se në Manifestin Komunist të Marksit e të Engelsit, shkruhej se komunistët s’kanë atdhe. Si pasojë kjo farë opozite mund të shpifë, mund të sajojë, mund ta poshtërojë pa pikë zori atdheun e kombin, duke rënë në ortakëri meskine me Karla del Ponten, me Boshtinarun, me R. Qosen dhe me të gjithë ata që nuk e duan Shqipërinë.
***
Një ndodhí e jashtëzakonshme paska ndodhur në Kavajë. Kryetarit të bashkisë, të caktuar nga E. Rama, i paska ndodhur një fatkeqësi e përbindshme. Bashkëshorten e tij (me barrë në muajin e nëntë) e kanë grabitur, e kanë çuar në një klinikë misterioze, i kanë nxjerrë djalin përdhunshëm dhe e kanë zhdukur fëmijën duke e hedhur në ndonjë kanal. Tmerr, që s’është parë as në filmat horror!
Ky është akti i parë i tragjedisë. Por paska qenë tragjikomedi! Pasi lajmi u përhap vetëtimthi në të gjitha mediet, e gjithë kupola e PS-së së Ramës sosi në Kavajë. Atje doli se paka qenë një rrenë me bisht. Si është e mundur? Edhe në fushatën zgjedhore në Kavajë ishte folur për emrin e djalit që qenka një bashkim rrokjesh të kryetarit dhe të bashkëshortes Griselda. Pastaj E. Veliaj kishte parë edhe gjak çarçafësh në atë maternitetin enigmatik. Ndërkaq lajmi i paska vajtur në e-mail zonjës Tanja Fajon, që i kishte besuar e-mail-it. Dëshmitari okular që përmendëm nuk kishte pritur asnjë dekik.
Nuk vonoi që tmerri të shndërrohej në komedi nga vetë protagonistja. Ajo paska bërë një sajesë, për disa “arsye” që nuk ka rëndësi të riprodhohen. Veçse po ato medie që tronditën dynjanë, tani filluan ta merrnin si me shaka, si në vodvilet e sh. XVII, pas një tragjedie tronditëse, për të “marrë veten pas tronditjes”.
Ekipi që kishte vajtur në Kavajë entuziast, tani ia behu në Tiranë, veshlëshuar. Një si punë gazetari që u kthye bashkë me shpurën, u dëgjua të thoshte: - Ah! Kur s’ishte e vërtetë, se po sorollatja në tru një shkrim që të provoja se ajo “fajin e ka Saliu” nuk ishte një budallallëk, siç na kundërviheshin! Ndërkaq edhe ndonjë medie e majtë e akaparuar nga Rama, na paska përmendur Marigonë e Çajupit!
Tani, - se s’është dhe aq për të qeshur, - del një pyetje: Përse nuk iu kërkua ndjesë Fajonit dhe t’i thuhej e vërteta? Përse do t’i duhej Mersila Dodës të sqaronte Fajonin sesi ishte e vërteta? Ç’përshtypje mund të krijonte Fajoni për këtë farë opozite që s’e paska për gjë të poshtërojë vendin e vet, vetëm e vetëm për karrigen e Edvinit?
Sa për këtë të fundit, që ma mban si ministër të Jashtëm atë lajmëtarin, duhet t’i kërkojë llogari se përse nuk e rektifikoi e-mail-in, qe çuditi Brukselin. Veçse këtu duhet të bëj një vetëkorrigjim: Kujt t’i kërkojë llogari, duke qenë vetë ustai që i dërgon shebekët e tij që të diskreditojë vendin, që s’e ka për pesë dhe që e çmon më pak se karrigen e tij, siç bënte Enveri?