Zot i shtetit është populli
Pas dy vitesh jete në qendrën më të madhe tregtare të Evropës Cyrihut, si refugjat i luftës…kthehem ne qytetin tim të lindjes Pejën e bukur, ku kisha kaluar pjesën më të madhe dhe më të mirë të jetës. Malli për njerëzit e tu të gjakut, malli për baltën tënde, ta përshkon çdo pjesë të trupit…të prekësh dheun tënd…ta dëgjosh gjuhën tënde të lashtë dhe të bukur që ta ngop shpirtin pas emigracionit, është ndjenjë e papërshkruar…
Vetëm një vit kishte kaluar pas lufte. Vendlindja rrëzë Alpeve Shqiptare, kishte filluar të ringjallet si feniksi, pas gërmadhave që kishin lënë flakët e një lufte të tmerrshme të forcave pushtuese serbe. Ishte impresionuese se shumica e shqiptarëve tashmë ishin kthyer në vatrat e tyre shekullore. Ishte mahnitëse të shohësh të gjithë atë elan dhe fuqi, pas gjithë asaj që kishin përjetuar këta njerëz të këtij nënqielli… të shohësh fytyra të qeshura dhe plot energji për jetë…të shohesh një armatë të tërë të rinjsh të cilët dukeshin se bënin tokën dhe qiellin…gjithçka përreth të duket e mbushur plot gjallëri… i gëzohesh lirisë së këtij populli të përvuajtur në shekuj dhe mote… gëzohesh për shtetin e dytë të shqiptarëve i cili sa kishte filluar të lind…gëzohesh së më në këto troje nuk do të shkel këmba e një regjimi të huaj… do të bënim padrejtësi sikur mos ti përmendim edhe praninë e strukturave ushtarake dhe civile ndërkombëtare, të cilët bën shumë për lirinë dhe pavarësinë e vendit…zyrtarizimi i pavarësisë pas bisedimeve maratonike me palën serbe i gëzojë shqiptarët kudo në botë… Dëshmorët dhe martirët e kombit janë kaptinë e veçantë. Ata janë dhembja, malli dhe krenaria e kombit…ata prehen të qetë në tokën e tyre, sepse ideali i tyre për liri është realizuar…lapidarët e shumtë anekënd Kosovës janë vetë historia… ata gjithmonë do tua përkujtojnë gjeneratave të reja se si duhet dashur atdheu dhe kombi… e ardhmja e një kombi ndërtohet duke mos e harruar të kaluarën…
Gjatë kësaj kohe pati edhe probleme me bollëk… problemet sociale dhe ekonomike, veç sa shtohen edhe më shumë… shfaqja e krimit të organizuar dhe korrupsionit si fenomene te reja shumë e dëmtuan imazhin e Kosovës në sytë e botës demokratike, shkalla e të papunëve ka arritur tashmë përmasë alarmante; kemi një shëndetësi në kolaps, arsim jo në nivelin e dëshiruar, privatizim jo të mirë ku shumë punëtorë kanë mbetur në rrugë… më shumë po bashkëjetohet me terrin sesa me dritën…thënë shkurt, është krijuar një paperspektivë për të jetuar në Kosovë…
Kush mendon së Kosova është pronë private, do të mashtrohet shumë keq, dhe herdokur do të ballafaqohet me pasojat. Çdo pushtet duhet ta ketë të qartë së me ndërgjegjen kombëtare nuk mund të luhet. Duket që për këto 12 vite liderët politikë, më shumë menduan për pushtet dhe përfitim personal sesa për shtetin. Shumë pak po bëhet për mirëqenien e qytetarëve. Zot i shtetit nuk mund të jetë asnjë individ ose parti politike. Shteti është i populli. Liderët politikë të mos abuzojnë me popullin sepse populli nuk harron. Kjo gjithësecilit do ti kthehet një ditë si bumerang. Tjetërsimi nga populli është një lojë e rrezikshme. Duhet lënë anash shabllonet vjetra që sa më gjatë dikush të mbetet në pushtet. Mos të mashtrohet kush së në pafundësi mund të luaj me ndjenjat e topitura të këtij populli të shumëvuajtur. Liderët tanë politik mirë do të ishte që të bashkëjetojnë me hallet dhe problemet e këtij populli, sepse në pushtet janë ngjitur me votën e tyre. Pasurim dhe pushtet të pakufishëm nuk ka askund në botën demokratike. Madhështia e njeriut është në thjeshtësinë e tij. Këtë mësim liderët tanë ishte dashur ta marrin nga liderët e shteteve më të fuqishme në botë, të cilët vetën e konsiderojnë dhe sillen si qytetarë të thjeshtë. Abuzimi me shtetin në Evropë rezulton me shumë vjet heqje lirie. Kështu do të duhej të ishte edhe në Kosovë ...