Terroristi i 100 e-maileve, nga Tanja Fajon tek Faji Jon
Çështjet e marrëzisë nuk kanë kufij kombëtarë. Këtë gjë vërtetoi edhe debati surreal mes eurodeputetes Tanja Fajon dhe deputetes shqiptare Mesila Doda mbi rrëmbimin e sajuar të Griselda Roshit, ish-dashnores së Elvisit. Me të drejtën e zotit, Tanja Fajon u kërkonte llogari 14 deputetëve shqiptarë për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, pasi kishte fakte që “gruaja e Kryebashkiakut të Kavajës ishte rrëmbyer, i kishin nxjerrë fëmijën dhe e kishin hedhur në kanal”. Këto fakte ia kish dërguar një pikë kontakti në Shqipëri.
Ndër të parët politikanë që shkuan me 1 qershor në Kavajë për t’u interesuar mbi fatin e “dashnores” së Kryebashkiakut socialist Griselda Roshi ishin kreu i PS-së Edi Rama, gruaja e tij e fundit, si dhe rrenacaku Erjon Veliaj. Ky i fundit përpara se të nisej me çiftin Rama, me zell të pazakontë, u kishte dërguar me postë elektronike (e-mail) një letër koncize e të vulosur me gjak, e shumëfishuar në kontakte drejt përfaqësive diplomatike, të SHBA-ve dhe BE-së. Ai kurdisi kujën se ishte rrëmbyer dhe mbajtur peng gruaja e kryetarit të bashkisë së Kavajës, përfaqësues i opozitës që fitoi në bastionin e kryeministrit. Supozimi se faji për tragjedinë e barkut të çarë të Griseldës është i Saliut, gjendej në çdo rresht të mesazhit elektronik të Erjon Velisë. Ky e-mail i kishte shkuar edhe Tana Fajon. Fatkeqësisht!
Mirëpo si shumë supozime të tjera që i qepen kryeministrit Berisha, edhe kjo doli të ishte e pavërtetë. Griselda Roshi në kushtet e një depresioni akut kishte sajuar një dramë që do të ishte kolektive, me qëllim mbajtjen pranë vetes të Kryebashkiakut pa identitet të qartë të fisit Roshi në Kavajë. Një dramë personale desh u kthye në kauzën më të re të Partisë Socialiste, e cila në dëshpërim e sipër është në kërkim të një kauze morale për të pasur një epërsi elektorale.
I ngarkuari me punë për gjetjen e kauzës së re, rrenacaku Veliaj donte të përfitonte politikisht besueshmëri me nxirjen e realitetit mes supozimeve dhe hamendësimeve shkak-pasojë. Shkaku i tragjedisë për të ishte fitorja e Ervin, Ervis ose Elvis Roshit në bastionin demokrat të Kavajës dhe për rrjedhojë pasoja ishte hakmarrja me vjedhjen e foshnjës. Frymëzuesi i kësaj tragjikomedie është Elvis Roshi - emri zyrtar i sotëm, i pakoduar, u kërkoi ndjesë publike të gjithëve. Mirë bëri.
Kurse amplifikatori politik i kësaj çështje marrëzie, rrengshori Veliaj jo vetëm që as nuk kërkon falje, por akuzon paturpësisht të gjithë, pa përjashtim, se fajin e ka Saliu. Po, po kështu ka thënë ai dje: “Unë sulmohem në mënyrë të dhunshme nga mediat pranë kryeministrit Sali Berisha”, për faktin se viktima e një prej 100 e-maileve që çon në ditë Jon Veliaj, ishte edhe Eurodeputetja Tanja Fajon, e cila thoshte se kishte si fakt, letrën e rreme që i kishte dërguar rrenacaku.
Paturpësia për këtë njeri është një natyrë e dytë. Sidoqoftë dezinformimi i Sekretarit për Diasporën në PS drejt legatave të huaja jo vetëm që nuk përmendet kund, por me një arrogancë teknologjike u fsheh me sofizëm duke thënë se ““Unë dërgoj rreth 100 e-maile në ditë”. Mirëpo e vërteta është se rrenacaku Veliaj, si terroristi i tastierës së kompjuterit, mund të dërgoj spam-e sa të dojë kundrejt ambasadave, por duhet të ketë përgjegjësi më të madhe, përderisa ka marrë përsipër të bëjë politikë, të informojë korrekt ndërkombëtarët, dhe jo të hedhë baltë mbi fytyrën e vendit. Sakaq kompleksi i trashëguar nga puna në Organizata Jo Qeveritare ka dalë në sipërfaqe dhe konsiston në aksiomën: - sa më shumë të raportosh të zeza për Shqipërinë, aq më shumë fonde merr për të shpëtuar Shqipërinë - ka prekur thellë ndërgjegjen të rrenacaku patologjik Velia.