Dilema e Veriut
Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile ndërkombëtare kanë filluar negociatat për të gjetur një zgjidhje për komunat e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku serbët nuk i janë përgjigjur procesit zgjedhor. Si rezultat, KQZ’ja ka certifikuar si kandidatë të ligjshëm për kryetarë të komunave tre kandidatët, dy nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe një nga Partia Demokratike e Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se akoma nuk është vendosur nëse do të vazhdohet mandati i kryetarëve aktualë në këto komuna apo do të njihen për kryetarë të ligjshëm tre kandidatët shqiptarë që në zgjedhjet e 15 nëntorit dolën fitues, por asnjëri nga ta nuk mori as 100 vota.
“Ata kandidatë dhe tanimë do të thosha kryetarë, legalisht, nuk kanë problem legal, sepse ligji parasheh zgjedhjen (e kryetarit) pa e përcaktuar cenzusin e pjesëmarrjes në votime. Por ne do të shikojmë se si mund të jenë funksionalë ata, si mund të jetë funksional menaxhimi i atyre komunave dhe në tërësi çështja tjetër që ka të bëjë me administratën komunale.”
Ndërsa Zyra Civile Ndërkombëtare, sipas zëdhënësit Andy Mcguffie, bën të ditur se së bashku me Qeverinë është në kërkim të një zgjidhjeje për legjitimitetin e pushtetit komunal në Veri.
Mcguffie ka thënë për Radio Kosovën se ICO-ja i sheh këto komuna si pjesë e integrale e Kosovës dhe mirëpret vazhdimin e dialogut. Fokusi i bisedimeve, sipas tij, do të jetë se si qytetarët në këtë pjesë të Kosovës do të marrin pjesë në punët e komunave dhe shërbimet që ofron Qeveria për ta.
Por serbët e Veriut deri më tani nuk kanë treguar shenja se njohin zgjedhjet në Kosovë dhe se duan të bashkëpunojnë me qeverinë e vendit.
Megjithatë, zëvendëskryeministri Kuçi thotë se mund të përdoret edhe opsioni i fundit, ndërhyrja e Qeverisë për pushtetin në Veri.
“Ligji për Qeverisje Lokale parasheh edhe ndërhyrjen e Kryeministrit aty ku ka probleme, por ne do të mundohemi të gjejmë mënyra funksionale dhe besojmë se ajo do të jetë mënyra e fundit për një ndërhyrje të tillë. Por duhet ta pranojmë se është një dilemë për vetë emërimet dhe funksionimin e tyre”, u shpreh zëvendëskryeministri i Kosovës.
Sidoqoftë, tre kandidatët e certifikuar ligjërisht për të udhëhequr komunat Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok do të mbeten me status të paqartë derisa Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një solucion për mandatin e udhëheqësve komunalë atje.