Qeveria është e qëndrueshme

Qeveria e Kosovës është e qëndrueshme, funksionale dhe ajo do të vazhdojë të kryejë përgjegjësitë e saj të ndërtimit të shtetit, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për SETimes.
Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se koalicioni aktual PDK-LDK do të vazhdojë të funksionojë në mënyrë të duhur.
“Koalicioni qeverisës është i fortë dhe ka aftësitë e duhura të vazhdojë qeverisjen e mirë dhe efektive të vendit tonë. Stabiliteti dhe efektshmëria janë dy përbërësit më të fortë për funksionimin e një koalicioni qeverisës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës i ka këta përbërës”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri ka folur edhe rreth fushatës zgjedhore, gjatë së cilës kishte deklarata që krijuan edhe tensione mes partnerëve të koalicionit qeverisës.
“Këto tensione janë të natyrshme gjatë fushatave zgjedhore. Është e rëndësishme që këto tensione demokratike të mos dëmtojnë interesat e përgjithshme të shtetit, pasi mbrojtja e këtyre interesave është agjenda kryesore e Qeverisë qendrore”, ka thënë ai.
Kryeministri Thaçi vlerëson se nuk ekziston asnjë element që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme nacionale. Ai ka theksuar se qeveria e tij ka mbështetje të plotë në Kuvendin e Kosovës.
“Zgjedhjet e parakohshme ndodhin në rrethana kur një qeveri është e paqëndrueshme për të kryer përgjegjësitë e veta dhe kur humbet shumicën në kuvend. Vendi ynë nuk ndeshet me një situatë të tillë. Qeveria është e qëndrueshme, funksionale, me mbështetjen e plotë të Kuvendit dhe ajo do të vazhdojë të kryejë përgjegjësitë e saj të ndërtimit të shtetit”, ka thënë Shefi i Qeverisë kosovare.
Lidhur me procesin në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë, Kryeministri Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës së bashku me vendet mike ka qenë në gjendje të provojë me argumente të pamohueshme, të drejtën e Kosovës për të qenë një vend i pavarur e sovran. “Kjo na lejon ne të besojmë se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë pozitiv për Kosovën. Shteti i pavarur e sovran i Kosovës është në përputhje të plotë me Ligjin ndërkombëtar”, ka thënë Thaçi.