Hani i Elezit mblodhi 230 milionë €

Doganat e Kosovës, kanë shënuar një rritje në krahasim me vitin 2008, por ende nuk kanë arritur të përmbushin planifikimin e të hyrave. Mirëpo, optimizmi për realizmin e të hyrave të planifikuara për vitin 2009 nuk mungon në këtë institucion.
Sipas Adriatik Stavilecit, zyrtar për informim në Doganat e Kosovës, deri në javën e 51-të dogana ka mbledhur 609 milionë euro, që në krahasim me vitin e kaluar është arritur të ngrihen të hyrat për 30 milionë euro. Planifikimi për të hyrat doganore për vitin 2009 apo deri në javën e 53-të është 645 milionë euro.
Nga kjo shifër kuptohet se kanë mbetur edhe 36 milionë euro për t’u realizuar të hyrat apo edhe nga 18 milionë euro për javë. Ai beson se deri në fund të vitit do të arrijnë të gjitha parashikimet buxhetore. Ndër pikat doganore, e cila më së shumti ka sjellë të hyra për këtë vit, është dega doganore e Hanit të Elezit me gjithsej 229.2 milionë euro për periudhën janar – tetor 2009, kurse në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2008, është shënuar një rënie prej 26.2 milionë eurosh.
Në krahasim me këtë pikë një rritje ka shënuar dega doganore Kulla, ku për këtë periudhë ka inkasuar afër 72.6 milionë euro ose 20 milionë më shumë se periudha e njëjtë e vitit 2008.
Edhe në pikat tjera vërehet një trend i rritjes së të hyrave, përveç në pikën doganore Dheu i Bardhë në Gjilan dhe në Aeroportin e Prishtinës. (Ekonomisti)