E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilema e radhës, Ilir Meta

ARMAND SHKULLAKU

Partia Socialiste në opozitë tentoi thuajse gjithçka dhe në fund, me gjasë, po rikthehet aty ku e nisi. Pa LSI i dridhen gjunjët të futet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Lidershipi i Edi Ramës provoi dialogun me Shqipërinë, përtej së majtës dhe së djathtës, hap kutitë ose largohu, provoi gjithashtu bojkotin e egër dhe opozitën konstruktive, ndryshimet në Kushtetutë dhe dobësimin e aleatëve, drejtimin autoritar dhe pajtimin brenda llojit, opozitën në rrugë dhe atë në Twitter, por asgjë prej këtyre nuk ia dha e nuk po ia jep sigurinë për fitore në zgjedhjet e ardhshme. E meqë për frymë e për moral të ri as që bëhet fjalë, çështja mbetet te numrat. Koka ka filluar të kthehet gradualisht në pozicionin fillestar, në një koalicion të mundshëm me LSI. Shenjat janë më se të qarta.
Pragmatist i lindur, me një aftësi për tu ringritur pikërisht kur merr goditjen më të rëndë, Ilir Meta, përkundër të gjitha parashikimeve se do të shuhej pas koalicionit me Berishën, po përkëdhelet së largu e po joshet së afërmi nga ata që dikur e patën kryqëzuar. Gjërat kanë rrjedhur në atë mënyrë që ai të jetë sot padron i votave që mund të çojnë në krizë parlamentare dhe nesër në formimin e shumicës qeveritare. Se si do ti përdorë Ilir Meta votat dhe fuqinë e tij politike, kjo është një zgjedhje e tij, e cila do të varet nga aftësitë e dy partnerëve të mëdhenj për ta bindur të shkojë në shtratin e tyre. Deri tani, nuk ka një rast domethënës ku të shihet ndonjë pakënaqësi e Metës ndaj mënyrës se si Berisha e ka ndarë tortën e pushtetit, por njëkohësisht një flirt i lehtë, një shteg i mjegulluar e një sjellje e kujdesshme të bëjnë të mendosh se LSI nuk është ai soj që lidhet me dikë në të mirë e në të keq, derisa vdekja të na ndajë. Ky tipar, që të paktën teorikisht e mundëson një afrim të LSI me PS, ka bërë që Rama dhe njerëzit pranë tij të përgatisin një klimë të tillë që edhe nëse ky afrim të ndodhë, ai të ngjajë sa më i natyrshëm për elektoratin dhe jo si një kapërcim ylberi. Shqetësimi për mënyrën se si do të duket afrimi po shihet sot në tentativën për të joshur LSI dhe, për këtë arsye, vështirë të parashikohet se sa bindës do të jetë. Rama edhe këtë po e bën nëpërmjet lojërave të vogla, provokimeve, ndërmjetësimeve, tipike për mënyrën e tij të të bërit politikë, ku lexohet pasiguria që ai ka për një marrëveshje me Ilir Metën. Dhe kur vetë Rama është i pasigurt, kuptohet se çfarë sigurie mund ti japë ai Metës të rrëzojë qeverinë ku bën pjesë për të fituar diçka më të madhe nesër.
Vetë Rama nuk ka një qëndrim të qartë nëse beson te forca e numrave apo te frymëzimi për të rrëzuar Berishën dhe ardhur vetë në pushtet. Por nuk është vështirë që pas teorisë nuk ka rëndësi çngjyrë ka macja, mjafton të gjuajë minj, të shihet mendja e tij. Duke mos dalë vetë me një tezë që do të legjitimonte koalicionin me LSI, por duke lënë të tjerët të flasin për të, Rama kërkon ti arrijë të dyja, edhe të mos shkelë moralin politik, edhe të rrëzojë Berishën me votat e LSI. Ky kombinim i pamundur, pra teoria se për të rrëzuar regjimin e Berishës çdo koalicion është i justifikuar dhe heshtja morale e Ramës për këtë krijon pasiguri në lidhje me strategjinë e ardhshme të PS. Një gjë e tillë do ta bënte të mendohej mirë çdo aleat që do të donte ta lidhte jetën politike me PS. Për më shumë Ilir Metën, që nga përvojat me Edi Ramën nuk ka dalë pa dhimbje nga pas. Mungesa e një qëndrimi të qartë nëse PS është e gatshme të bëjë koalicion me ata që shkuan në prehrin e Sali Berishës ka edhe arsye të tjera përveç ruajtjes së moralit politik. Ajo lidhet me qejfmbetjen e aleatëve të tjerë të vegjël që mund të humbasin peshën e tyre me afrimin e LSI, me pakënaqësitë brenda vetë PS për ndonjë ndarje të mundshme në zonat zgjedhore dhe, mbi të gjitha, me një frikë të pashërueshme të Edi Ramës. Frikën se nesër, duke e pasur Ilir Metën pjesë të maxhorancës qeveritare, ai do të jetë i varur nga votat e tij. Dhe kur bëhet fjalë për frikën, ajo te Rama ka forcën absolute për të hedhur në erë çdo ide apo strategji politike. Vetëm me ata që i ka të nënshtruar ai ndihet mirë dhe i sigurt që nuk ia rrezikojnë karrierën. Me këtë logjikë shpjegohet pse afrimi i PS me LSI po bëhet tërthorazi, me lojëra apo provokime naive, dhe jo i hapur e me një qëllim të caktuar. Pse ai po serviret si e keqe e vogël anti-Berishë, dhe jo si kusht për fitore. Pse bëhen takime të fshehta me ndërmjetësues në kafenenë e PS, pse përdoren diversione si votimi për anëtarin e KLD në Kuvend apo lojëra me gazetat e Prishtinës, ku çështja e një tenderi paraqitet si konflikt brenda maxhorancës.
Rama duhet ta ketë parasysh se ish-shefi i dikurshëm, si mjeshtër i llogarive dhe ish-peshëngritës, e di mirë se ku peshon më shumë vota e tij dhe pasiguria që po reflekton ai mund të jetë determinuese për një koalicion të nesërmen. Këtu nuk bëhet fjalë që kreu i PS të gjejë hilenë e radhës për tia hedhur, por për të përcaktuar qartë rrugën me të cilën mendon të vijë në pushtet dhe mënyrën se si do ta ndajë atë nesër. Në të kundërt, në vend që të shpresojë për një krizë parlamentare te votat e Ilir Metës, nuk është çudi ta shohë atë vetë në kabinet pas zgjedhjes së Presidentit. Atëherë do të jetë shumë vonë për të marrë një qëndrim në raport me LSI.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›