E Diel, 1 Nëntor 2026

Pikëpyetjet ndaj modelit Rama

AGIM BAÇI

Shpeshherë, qytetarë të ndryshëm pyesin me të drejtë se përse kaq kritika ndaj kreut të opozitës, Edi Rama, kur ai nuk është ende në pushtet, ndërkohë që mund të kemi më shumë gjëra për të thënë për qeverisjen?
Për shumë nga ata që pyesin duhet thënë se koncepti i demokracisë merr kuptim nga opozita, nga mënyra se si ajo i imponohet pushtetit, se si ajo e ndërton betejën dhe çfarë u ofron qytetarëve. Ose thënë më shkoqur, që një opozitë serioze, që vendos rregulla brenda vetes dhe në marrëdhënie me maxhorancën, e vë në vështirësi këtë të fundit duke e detyruar të vetëkontrollohet në maksimum që të mos humbë mbështetjen qytetare. Në këtë këndvështrim, opozita merr të gjitha atributet kontestuese të qytetarëve që mund të kenë ndaj qeverisjes në përgjithësi apo drejtuesve në veçanti.
Por, çfarë ndodh realisht në kampin e opozitës?
Së pari, kemi një kryetar opozite që i shkeli vetë i pari rregullat që vuri, duke mos respektuar kushtin që duhet të kishte një kryetar humbës. Në të njëjtën kohë, edhe pse theksoi ndarjen e PS nga e shkuara, ai emëroi në krye të grupit të të zgjedhurve të partisë së tij ish-ministrin e fundit të Brendshëm, Ruçi, madje duke mbrojtur së fundi edhe teorinë se ishte i vetmi që zhvilloi zgjedhje të rregullta në mars 1991, por pa përmendur ndonjë përgjegjësi që mund të ketë ai për vrasjet në kufi.
Së dyti, në momentin kur nuk fitoi zgjedhjet, sipas asaj që kishte parashikuar, shefi i opozitës zgjodhi bojkotin, duke rrënuar kështu një nga institucionet më të rëndësishme dhe duke u tallur me vetë zgjedhësit e tij, që dëshirojnë të dëgjojnë në Kuvend të zgjedhurit e tyre. Në dy vite ai e riktheu situatën në vendnumëro, ose edhe më keq, duke mos përfillur asnjë rëndësi kombëtare lidhur me integrimin e Shqipërisë, për të cilën sot janë ndëshkuar shqiptarët, socialistë e demokratë, që nuk kanë përfituar nga investimet e ndryshme kur fiton statusin kandidat.
Së treti, mjafton të shohim qëndrimin e tij më të fundit për një pozicion kushtetues, siç është anëtari i KLD-së, për të cilin Rama nuk shprehu asnjë merak për kandidatët, por tha se e kishte bërë thjesht për të provokuar maxhorancën!!! Domethënë, ai nuk shqetësohej se në një institucion përgjegjës për drejtësinë po propozonte dikë që e respektonte apo nuk e respektonte, që e lidhte me vlerat në profesion apo jo. Ai thjesht donte të bënte një lojë politike. Por, po nëse vjen në pushtet, sa kandidatura tekash mund të kemi nga z. Rama?
Pra, në këtë kontekst, një figurë kaq kontradiktore sjell shqetësimin se nga kush mund të qeverisemi nesër dhe se çfarë mund të na ofrojë ai më mirë se sa nga qeverisja që kemi sot. Modeli i nxjerrjes jashtë loje të rregullave në parti, i shkeljes së tyre kur nuk është në interesin e tij personal, i provokimit dhe jo bashkëpunimit, tregon se kemi të bëjmë me një person që duhet të na shqetësojë për modelin qeverisës, me rregulla të çastit apo mosrespektim të asaj që shkruan vetë.
Në të njëjtën kohë, pasi ka dërguar në kufijtë e mbijetesës politike partitë e majta që i ka mbledhur sa herë i duheshin më shumë zëra përballë ndërkombëtarëve, Rama është gati të rihidhet në betejë për të joshur LSI-në e Metës. Natyrisht që me modelin e tij do ta ketë të lehtë të tërhiqet nga çdo akuzë që i ka bërë, edhe pse mund ti kushtojë debat brenda partisë. Por kjo e fundit ndoshta mund të jetë gjëja e vetme që mund ti kuptojmë kryesocialistit, ndërsa për shumë pika të tjera ai mund të rezultojë një e panjohur e madhe, që mund të na ngjyejë të gjithëve me regres.
Pikërisht për këto shkaqe, ngaqë me mungesën e tij të horizontit politik dhe megalomanisë, ose edhe interesave të tij të ngushta, ka devijuar kritikat që i duheshin bërë qeverisjes në këto vite, Edi Rama mbetet ende shumë i kritikuar nga opinioni publik. Ndaj, qytetarët vërtet kanë të drejtë të pyesin, por më shumë duhet të shqetësohen tani për modelin që ka ofruar ai, pasi nesër, socialistë e demokratë, do të jenë vonë për të kujtuar se nga cili model mund të drejtohemi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›