E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: “Pikëpyetje serioze, ligjore dhe kushtetuese”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Ambasada e SHBA-së ndoqi nga afër votimin e mbrëmshëm në Parlamentin shqiptar që miratoi ligjin për pastërtinë e figurës me shumicë të thjeshtë. Ne jemi thellësisht të shqetësuar. Ky ligj ngre pikëpyetje serioze ligjore, qeverisëse dhe kushtetuese tek partnerët ndërkombëtarë përfshirë Shtetet e Bashkuara”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të shprehin të njëjtat kritika për ligjin e mazhorancës për hapjen e dosjeve, edhe pas miratimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur dje shumë të shqetësuara për miratimin e këtij ligji, duke vërejtur se ai ngre pikëpyetje serioze ligjore, qeverisëse, dhe kushtetuese tek partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht se ligji tashmë është kaluar në Kuvend me shumicën e thjeshtë të votave, ambasada amerikane i bëri thirrje dje Qeverisë të nisë menjëherë konsultimet me ndërkombëtarët. Ambasada, në një njoftim për mediat të zëdhënësit të saj, pohon se ndoqi nga afër votimin e dy netëve më parë në Parlamentin shqiptar që miratoi ligjin “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve” me shumicë të thjeshtë dhe për këtë është thellësisht e shqetësuar.
Reagimi
“Ambasada e SHBA-së ndoqi nga afër votimin e mbrëmshëm në Parlamentin shqiptar që miratoi ligjin për pastërtinë e figurës me shumicë të thjeshtë. Ne jemi thellësisht të shqetësuar. Ky ligj ngre pikëpyetje serioze ligjore, qeverisëse dhe kushtetuese tek partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara”, - theksohet në njoftimin e ambasadës amerikane në vendin tonë. Ambasada amerikane i bën thirrje Qeverisë së Shqipërisë të marrë hapa të menjëhershme në konsultim me ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të siguruar që ky ligj do të përmbushë standardet ndërkombëtare. “I bëjmë thirrje Qeverisë së Shqipërisë të marrë hapa të menjëhershme në konsultim me ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të siguruar që ky ligj do të përmbushë standardet ndërkombëtare”, - thuhet në komunikatë. Diplomati i SHBA-së, ambasadori Xhon Uidhers, edhe dy ditë më parë ka përsëritur qëndrimin konstant që ka mbajtur kohët e fundit se ligji cenon Kushtetutën si dhe në të njëjtën kohë i ka bërë sërish thirrje Qeverisë së Shqipërisë të marrë hapa të menjëhershme në konsultim me ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të siguruar që ky ligj do të përmbushë standardet ndërkombëtare, pavarësisht mënyrës se si u miratua ai. Dy ditë më parë, Uidhers ka shkëmbyer replika në distancë me kryeministrin Sali Berisha. Njëri, në emër të asaj që e quajti sovranitet i një vendi të lirë, tjetri me cilësinë e përfaqësuesit të një vendi të madh, që, në radhë të parë, kërkon respektimin e demokracisë dhe ndarjes së pushteteve. “Votojmë ligjin, si një nga detyrimet madhore. Ne jemi një vend demokratik dhe nuk bëjmë asnjë hap jashtë standardeve”, - është shprehur Berisha. Kreu i Qeverisë ka theksuar se nuk mund të ketë mandat mbi krimin. “A mundet që mbi malin e kockave të dhjetëra mijëra shqiptarëve, të flenë dosjet”? – ka deklaruar ai. Nga ana tjetër, ambasadori Uidhers tregoi një përrallë që përcolli mesazhe të forta. Duke treguar përrallën se si krimbi hëngri çdo ditë e më shumë, derisa i dhimbte stomaku, ambasadori hodhi batutën se vetëm kur krimbi hëngri gjethen e vet, arriti të shndërrohej në flutur! Mesazh i qartë për ata që duan të lexojnë përmes rreshtave të një përralle aktuale. Oreksi i madh për pushtet ka treguar në të shkuarën se dëmton stomakun e atij që kërkon të hajë shumë dhe se asnjëherë nuk është vonë, të rikthehesh në dietë, sidomos nëse ajo sugjerohet nga amerikanët.

Ky lajm është publikuar: 24/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›