E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dosjet” në Gjykatën Kushtetuese

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste përsërit qëndrimin kundër ligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë me argumentin se Qeveria kërkon të godasë sistemin e drejtësisë në një kohë kur ky sistem po heton korrupsionin qeveritar. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade, u shpreh dje se kryeministri Berisha shpërfilli ndërkombëtarët me miratimin e ligjit të dosjeve, por atë nuk e shpëton dot ky ligj nga hetimet për aferat e tij korruptive. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet Dades socialistët shprehen të vendosur të dërgojnë ligjin e miratuar nga Kuvendi në Gjykatën Kushtetuese, ashtu siç kanë paralajmëruar edhe disa ditë më parë. “Partia Socialiste e Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë për kalimin e ligjit të ashtuquajtur për pastërtinë e figurës, me shumicë të thjeshtë në mënyrë të njëanshme, duke shkelur të gjitha parametrat dhe përvojën evropiane të hartimit të ligjeve të tilla në vendet që kanë dalë nga diktatura komuniste”,- ka deklaruar Dade. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, ka pohuar se Sali Berisha manifestoi shurdhëri ndaj këshillave dhe sugjerimeve të partnerëve euroatlantikë, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OSBE, që flet në emër të 55 vendeve anëtare, Britania e Madhe, Rezoluta e Këshillit të Evropës, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terri Dejvis, Partia Socialiste që ripërsërit qëndrimin pro hapjes së dosjeve, përfaqësues të partive parlamentare dhe shoqërisë civile. Duke folur në lidhje me ligjin e dosjeve, që u miratua me dhunën e kartonit të mazhorancës dy ditë më parë, dhe me kundërshtimin e opozitës së majtë, Dade kujtoi deklaratën e djeshme të Terri Dejvis dhe SHBA-së. “Sali Berisha vazhdon të thellohet në abuzivizmin me pushtetin. Ky ligj nuk ka sesi e shpëton atë dhe mazhorancën nga hetimet për krimin shtetëror të Gërdecit, për krimin e grabitjes së fondeve shtetërore të ndërtimit të rrugës së kombit, nga hetimi për aferat korruptive shumëmilionëshe të sekserit serb që ka kapur shtetin me gjithë kryeministër”, - ka përfunduar komunikimin e saj me mediat Arta Dade.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›