Dilemat për zëvendësimin e rolit të FMN-së
Në muajin qershor 2009 mbyllet përfundimisht mandati i Fondit Monetar Ndërkombëtar, si rezultat i firmosjes së marrëveshjes në janar, që i dha fund raportit të Misionit me Shqipërinë. Zyra e FMN-së në Tiranë nuk do të ketë rolin që ka pasur në këto 15 vjet, kurse prezenca e Fondit do të konsistojë në qëndrimin në Shqipëri të disa ekspertëve, zyra e të cilëve do të jetë në Ministrinë e Financave. Puna e tyre do të jetë monitorimi për hesap të FMN-së dhe në fund të çdo viti, të dhënat rreth Shqipërisë dalin në formë raporti, ku të huajt mund të mësojnë rreth aspektit ekonomik të vendit. Nuk do të ketë më detyra të lëna nga FMN-ja, ashtu si Shqipëria nuk mund të marrë kredi nga Fondi. Fundi i marrëveshjes me Fondin Monetar erdhi pas rishikimit të parametrave makroekonomik, ku u pa se Shqipëria konsiderohej vend në zhvillim, me të ardhura të qëndrueshme. Pyetja në këtë rast është: kush do të na monitorojë pas qershorit 2009, datë që për koincidencë korrespondon me krijimin e një mazhorance të re qeverisëse. Nga faktet e mbledhura dhe deklarata e ekspertëve të fushës, të parët që zëvendësojnë rolin e FMN-së do të jetë Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, e cila aktualisht kontrollohet nga demokratët. Deri në këtë komision kanë kaluar ligjet më të rëndësishme që kanë efekte financiare, të cilat pa miratimin e këtij grupimi, nuk mund të adresohen në asnjë institucion tjetër. Ndërkaq, rol të rëndësishëm do të luajë edhe Banka e Shqipërisë, sikurse ndodh në vendet e Bashkimit Evropian. Zyrtarë të BSH-së kanë dhënë qëndrime të ndryshme rreth institucionit që zëvendëson FMN, duke lënë të nënkuptuar se banka i ka të gjitha mundësitë për të monitoruar disiplinën e arkës së qeverisë. Aktualisht BSH-ja e kryen një funksion të tillë, duke dhënë rekomandime, por në formë të pavarur. Me ligj, BSH-ja është e detyruar të financojë 5 për qind të deficitit buxhetor, element që e bën ende institucionin e Fullanit, që të jetë në dorë të qeverisë. Përtej rëndësisë që kanë dy institucionet e lartpërmendura, rruga e ndjekur drejt Bashkimit Evropian tkurr rolin e tyre dhe e kthen vëmendjen në zyrat e Brukselit. Ekspertë të diplomacisë janë të bindur se FMN-ja do të zëvendësojë prezencën e Komisionit Evropian në Tiranë, e cila për disa vite me radhë ka dhënë fonde me kusht të arritjes së disa detyrave, që në të ardhmen do të bëhen akoma e më të vështira. Ashtu si FMN-ja, zyrtarë të Bashkimit Evropian do të vendosin kushte për të parë sesa e aftë është Shqipëria t‘i përmbajë. Por ndryshe nga FMN-ja (ku në këmbim merrnim 3-4 milionë dollarë mbështetje në formë kredie), për detyrat e zbatuara nga Shqipëria, BE-ja na jep të drejtën për të qenë pjesë e saj.
Bashkimi Evropian
Në muajin prill 2009 hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, MSA, pas ratifikimit nga parlamentet e vendeve të Bashkimit Evropian. Nga kjo periudhë, deri në anëtarësim, Shqipërinë e presin detyra edhe më të vështira, të cilat konsistojnë në një disiplinë të fortë financiare, politikë jodiskriminuese te taksat dhe favorizim të konkurrueshmërisë. Deri tani organizma nga komuniteti evropian kanë dhënë fonde mbi 1 miliard dollarë, në mbështetje të reformave që synonin nxitjen e vendit për të qenë pjesë e BE-së. Pas negociatave disavjeçare, Shqipëria firmosi në qershor 2006 MSA-në me BE-në, e cila konsiston në liberalizimin e tregtisë, duke ulur taksat, si dhe përafrimin e legjislacionit. Direktivat e MSA-së janë të shumta, që lidhen me të drejtat e konsumatorit, konkurrencën e lirë në treg, marrjen e vendimeve në përputhje me BE-në. "Miratimi i taksave do të jetë në atë linjë me BE-në, në mënyrë që asnjë palë të mos dëmtohet. Duhet të kemi kujdes me borxhin, deficitin dhe inflacionin, parametrat e të cilit pritet të qartësohen pas hyrjes në fuqi të MSA-së", shpjegon për "Shqip" një zyrtar i Ministrisë së Financave. Nëse për rishikimin e taksave, pra uljen ose rritjen e tyre, më parë pyesnim FMN-në, tani është ndryshe. Brukseli do të jetë më i vëmendshëm, në çdo detaj të politikave fiskale.