Dimas: Gruevski në qorrsokak
Ministri i sapoemëruar i punëve të jashtme të Greqisë, Stavros Dhimas, deklaroi se Athina i ka pozicionet e qarta dhe të vjetra rreth emrit.
Ai në fjalimin e tij para Parlamentit, duke folur mbi çështjen e emrit nënvizoi se Qeveria e përkohshme i ka qëndrimet e njohura të vjetra për kontestin e emrit.
Pozicioni ynë është shumë i qartë dhe i kristaltë. Greqia ka mbaruar pjesën e vet në raport me kompromisin. Bashkësia ndërkombëtare është e vetëdijshme për gatishmërinë e Athinës dhe qëndrimin e saj konstruktiv, por njëkohësisht është e vetëdijshme edhe për përgjegjësinë e Gruevskit për qorrsokakun e krijuar aktual, theksoi ministri i Jashtëm Dhimas.
Ai shtoi se BE dhe NATO përmes vendimeve të shprehura njëzëri kanë treguar se integrimi i Maqedonisë varet nga respektimi i marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe kjo sipas tij, nënkupton arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme për emrin. / INA