Kuvend, sot votohet ngritja e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore

Kuvendi i Shqipërisë
Në seancën e sotme në Kuvend pritet të kalojnë për miratim ndryshimet në Kodin Hekurudhor dhe Kodin Ajror, dy projektligje që kërkojnë 84 vota.
Këto dy projektligje në bazë të programit të sotëm do të kalojnë për miratim përpara votimit të projektvendim Për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Kjo pritet të jetë një “provë” e mazhorancës për opozitën.
Gjithashtu është programuar edhe një interpelancë me Ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, kërkuar nga deputetja e PS-së Arta Dade.
Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, PD dhe PS ranë dakord për nisjen e reformave të përbashkëta: reformën zgjedhore, reformimin e institucionit të Kuvendit si dhe reformat për ligjet që kërkojnë 84 vota.
Sa i takon reformës zgjedhore ajo do të jetë gjithëpërfshirëse pasi do të marrin pjesë të gjitha partitë që në zgjedhjet e fundit kanë marrë mbi 1% të votave.
Komisioni i posaçëm për këtë reformë do të ketë 10 anëtarë me një ndarje të barabartë mazhorancë-opozitë.