Dimër në terr, Shkodra pa drita ditë e natë në temperatura gati nën zero
Shkodër- Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar nga analistët e sektorit elektro-energjitik mesa duket dimri i këtij viti do të na risjellë orët e gjata pa energji elektrike.
IDEA mësoi se prej një jave në qytetin e Shkodrës janë rikthyer mungesat sistematike të energjisë elektrike.
Banorët e qytetit verior shprehen se energjia po i ndërpritet çdo ditë, në të gjitha lagjet e qytetit me nga 2-3 orë.
Ndërkohë që ata shprehën të revoltuar pasi CEZ shpërndarje nuk ka bërë asnjë lajmërim për remont apo tjetër arsye për këtë situatë.
Po sipas banorëve, energjia u ikën herë gjithë natën e herë të tjera gjithë ditën. Ata i bëjnë apel CEZ-it dhe institucioneve të tjera për stabilizim të situatës pasi me temperatura gati nën zero qëndrimi pa energji është i papërballueshëm.
Banorët shprehen se nga CEZ-i kanë marrë përgjigjen se ka një defekt, për të cilin ka 7 ditë që nuk po i jepet një zgjidhje.
Situata të tilla janë shënuar edhe në zona të tjera përfshirë edhe kryeqytetin ku në disa prej tyre CEZ ka deklaruar se energjia i është ndërprerë për shkak të debive. Ndërsa në rastet e tjera kompania ia atribuon remonteve ose preferon të heshtë.
D.Bilbili/IDEA/
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: