Din Zhega sheh Vllazninë kampioneIsh- trajneri i kombëtares: Vllaznia ka gërshetuar eksperiencën me elementin e ri dhe motivacionin e madh në grup

Medin Zhega ish futbollisti dhe trajneri i Vllaznisë para pesë sezonesh ka deklaruar se ekipi shkodran që edhe kryeson kampionatin e sivjetshëm është më afër se asnjëherë tjetër me fitimin e titullin kampion. Vllaznia sipas Zhegës ka pasur një stabilitet në ecuri ndaj edhe rezultatet kanë ardhur dhe si pasojë ekipi është në vend të parë. Gërshetimi i eksperiencës së disa lojtarëve dhe elementit të ri që ka ekipi bën që Shkodra më shumë se asnjë herë tjetër ta ëndërrojë dhe ta mendojë titullin kampion.
Sipas legjendës së futbollit shkodran, Vllaznia nëse ecën me këto ritme do të mbajë kryesimin deri në fund duke u shpallur edhe kampionë e Shqipërisë. “Vllaznia me atë që ka shfaqur ketë sezon e ka merituar që të kryesojë kampionatin. Skuadrat që u quajtën pretendente si Tirana dhe Dinamo kanë bërë hapa false dhe nga kjo ka përfituar Vllaznia që është ngjitur në krye. Vllaznia është në krye të kampionatit pasi ka ditur që të ruajë ekuilibrat gjatë ndeshjeve të zhvilluara.
Skuadra si asnjëherë tjetër ka qenë shumë e motivuar dhe motivacioni ka qenë një pjesë e madhe e suksesit të arritur deri tani. Krahas përgatitjes fizike dhe teknike, në ekip ka lojtarë kampionë dhe me shumë eksperiencë që e kanë ndihmuar ekipin të këtë vazhdimësi e qëndrueshmëri në rezultate.
Vllaznia ka në përbërje shumë futbollistë cilësorë e me eksperiencë siç është Sinani, Boadu, Dhëmbi, Grima, Lici e shumë të tjerë dhe kjo eksperiencë është gërshetuar me cilësinë dhe elementin e ri çka ka sjellë edhe rezultate të mira.”tregon ish-trajneri i kombëtares dhe u skuadrës shkodrane. Përveç Vllaznisë së vendit të parë, Zhega flet edhe për rivalët e tjerë të kampionatit që janë Tirana, Dinamo e Teuta.
Sipas Zhegës kampionati do të hyjë në faza akoma më interesante pasi në garë dhe rivale janë shumë ekipe çka e bëjnë edhe më të bukur kampionatin. “ Rivalët më të mëdhenj të skuadrës shkodrane janë për mendimin tim Dinamo, Teuta e cila po kalon momente të mira dhe nuk duhet harruar asnjëherë Tirana. Të gjitha këto skuadra kanë lojtarë të mirë çka e bën ekipin pretendent, por mbi të gjitha do të veçoja Tiranën që ka një grup kompetitiv dhe elementë mjaft cilësorë.”përfundon ish-trajneri i kombëtares shqiptare dhe Vllaznisë, Medin Zhega.
E Marte, 16 Dhjetor 2008