Dinamo- Partizani, 90 minuta për trofeun e kampionit
- Parashikohet një fluks politikanësh në stadiumin “Selman Stërmasi” për këtë përballje;
- Forcat e rendit pritet të “blindojnë” impiantin e futbollit, duke garantuar evitimin e çdo lloj incidenti të mundshëm;
- Xhani e Sulaj, premio speciale skuadrave, shifrat rriten me kalimin e minutave;
- Skuadrat në regjim “kazerme” dhe të grumbulluara në Durrës;
- Në kampin e politikës, të dyja skuadrat kanë tifozë, më shumë Partizani;
- Ndeshja do të transmetohet direkt nga Televizioni Publik Shqiptar;
- FSHF ka përgatitur për këtë finale trofeun e madh me gjatësi 1 metër;
- 1000 shallë blu dhe të kuq janë prodhuar për tifozët në këtë finale;
- Më shumë se 15 stacione TV do të përcjellin këtë finale në kronika;
- Trofeun fituesit do t’ia japë presidenti i FSHF-së, Armando Duka;
- Biletat e ndeshjes janë prodhuar dhe do të shpërndahen nesër në mesditë nga frika e falsifikimeve.
Nuk ka më kohë. Sot, në orën 16.30, nën një stadium “të blinduar” për siguri nga forcat blu dhe me një tifozeri më shumë në lokale dhe vetëm afro 5000 të tillë në stadium, nis përballja e fundit derbi që do të thotë: trofe-kampion. Por, për kë? Dinamo, apo Partizani? Xhani apo Sulaj? Lika apo Daja? Të kuqtë apo blutë? Kush?
Një ndeshje specifike me një gjykim tresh nga Italia, që nuk nis në pozita të barabarta, pasi Dinamo do të luajë vetëm për një pikë, ndërsa Partizani që të marrë titullin do patjetër 3. Shanset janë në fushë, trajnerët kanë bërë dje përgatitjet e fundit, teksa ata që do të vendosin do të jenë futbollistët, sedra dhe egoja e tyre sportive.
Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, i ka të gjitha shanset të vendosë një rekord unikal, për sa u përket trofeve si trajner: dy skuadra të superligës në drejtimin e tij, dy tituj kampionë. Daja në sezonin 2005-2006 udhëhoqi Elbasanin në fitimin e titullit kampion dhe duket se tashmë i ka të gjitha gjasat ta përsërisë atë me Dinamon gjatë këtij edicioni, edhe pse e mori drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Agim Canajt. “Është një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës sime, por jo të jetës sime”, - është shprehur për mediat trajneri i bluve Daja.
Dinamo fitoi 3-0 në Shkodër me Vllaznisë, por trajneri u tregua i pakënaqur nga forma e ekipit, sidomos në pjesën e parë. Daja shton se, “vlerat tona të vërteta do t’i tregojmë në ndeshjen e fundit kundër Partizanit. Jemi përplasur katër herë me Partizanin gjatë këtij sezoni, prej të cilave, vetëm në një rast të kuqtë nga kanë mundur. Pavarësisht se ne shpallemi kampionë edhe me barazimin, ne do të hyjmë në fushën e lojës për ta fituar ndeshjen. Kjo është e prerë. Ne gjatë gjithë kohës kemi qenë në kryesimin e këtij kampionati, duke kryesuar me dy pikë diferencën. Është udhëhequr kampionati prej nesh në 32 javë dhe tani që kemi ardhur në finish nuk do të ishte e mirë që të mos e ngrinim trofeun. Jam i bindur se e arrijmë. Ne kemi në gjirin tonë futbollistë cilësorë, të cilët janë në funksion të plotë të skuadrës. Jemi më të qetë se Partizani, sepse kemi dy rezultatet në xhep, kur dalim kampion dhe me barazimin. Por, nuk do të hyjmë në fushën e lojës me mentalitetin të ruajmë barazimin. Kampion, duke fituar.”
Lika: Besoj te lojtari i 12-të në stadium, tifozët
Ndërsa tekniku i Partizanit, Hasan Lika, e ndjen se është shumë pranë fitimit të titullit të parë si trajner. Gjithsesi, ish-trajneri i Teutës, tregohet i matur në deklarimet e tij.
“Natyrisht që do të bëjmë maksimumin. Është një ndeshje që dëshirojmë ta fitojmë e të shpallemi kampionë”. Lika beson në lojtarin e 12-të, tifozerinë e jashtëzakonshme të kuqe. “Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, ata janë një faktor i rëndësishëm. Do të na ndihmojnë shumë”, - tha ai. Trajneri, i cili e ka shijuar trofeun e fundit të Partizanit në rolin e ndihmësit të Sulejman Starovës në sezonin 1992-1993, shton se, “do të jetë një titull që më shumë se kushdo tjetër do t’i përkasë familjes së Partizanit dhe për këtë arsye duhet ta fitojmë patjetër.” Dinamo kryeson me dy pikë më shumë dhe përveç faktit që ndodhet në krye, blutë e kanë eliminuar Partizanin në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Nëse Partizani do të fitojë titullin, atëherë do të barazohet me trofe me Dinamon, nga 16, kur rekordin për kampionate të fituara e mban Tirana me 23 të tilla.
Presidenti Xhani, apel tifozëve: Kujdes nga provokimet
Gjej rastin t’iu bëj thirrje tifozëve që të kenë kujdes dhe të mos bien pre e provokimeve të shtunën. Të sillen konform rregullave dhe të shmangin momentet e tensionit apo trazirave. Do të më vinte keq nëse do të kishte probleme, por duke pasur parasysh stadiumin ku do të luhet ndeshja dhe interesin e madh të njerëzve, druhem se gjithçka mund të ndodhë.
Presidenti Sulaj: Kemi kryesuar gjatë gjithë sezonit
Jam i bindur se skuadra, ashtu si ka qenë një udhëheqëse e kampionatit, ashtu do të jetë
edhe në ndeshjen e së shtunës. Dinamo vazhdon të jete vetvetja, skuadra që shikon punën dhe obligimet e veta, që flet me fakte në fushë. Ashtu siç ne i kemi kuptuar, mbështetur dhe stimuluar. Jam i bindur se skuadra do të bëjë më të mirën e mundshme. Ata do të fitojnë për fanellën, fansat dhe së fundmi për veten e tyre. Çfarë kërkoj nga djemtë sot? Të bëjnë atë që kanë bërë gjatë gjithë sezonit, të luajnë me disiplinë taktike, shpirt gare e përqëndrim dhe në fund do të shpërblehen me fitore. Besoj se ky ekip i ka të gjitha mundësitë që të fitojë mbi këto kundërshtar.
Flasin futbollistët
Blendi Shkëmbi, Partizani
Që nuk do të jetë ndeshje e lehtë, këtë tashmë edhe një fëmijë e di, sepse në një ndeshje finale mund të ndodhë gjithçka. E vetmja gjë, për të cilën do të më vinte keq, është pikërisht sepse fansat tanë nuk do të kenë mundësi të jenë të shumtë në numër në stadium për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës. Është një ndeshje finale dhe nuk ka rëndësi se ku do të luhet. Unë mendoj se edhe në “Selman Stërmasi”, ne jemi të përgatitur psikologjikisht dhe fizikisht për ta përballuar këtë sfidë dhe për të mundur Dinamon. Ne jemi futbollistë dhe si të tillë mendojmë për ato 90 minutat në fushë që të mundim skuadrën kundërshtare. Kjo është e gjitha. Dinamo le të përgatitet për festën e saj te kompleksi, ndërsa ne do të luajmë në fushë dhe do të bëjmë që një Shqipëri e tërë, e dashuruar me ne, të festojë në të gjitha qytetet kur ne të ngrejmë atë trofe. Ka 15 vjet që Partizani nuk shijon një titull, mendoj se ka ardhur momenti që ta tregojmë në fushë se ka ardhur ora për të marrë atë që na takon, titullin kampion.
Igli Allmuça, Dinamo
Dëshiroj ta fitoj këtë trofe, pikërisht kundër Partizanit, për një inat personal që kam ndaj tij. Nga kjo skuadër jam larguar padrejtësisht.
Sulaj, për skuadrën në rast fitoreje 100 mijë dollarë
E shtuna e 17 majit është “dita e së vërtetës” për futbollin shqiptar, kur kampionati i 69-të kombëtar do të njohë edhe kampionin e ri të vendit. Dy skuadrat e kryeqytetit, Dinamo dhe Partizani, kryesojnë aktualisht kampionatin (Dinamo ka dy pikë më shumë se të kuqtë). Presidenti i klubit të Dinamos, Besnik Sulaj, duke vlerësuar këtë ditë theksoi se, “në rast fitoreje kam vendosur në dispozicion të skuadrës premion prej 100 mijë dollarësh.” Ndeshja do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë, në orën 16.30 dhe do të drejtohet nga një treshe gjyqtarësh italinë.
Italiani i FIFA-s, Paolo Taljavento, arbitron superndeshjen
Arbitri italian FIFA-s, Paolo Tagliavento do të gjykojë ndeshjen Dinamo-Partizani, e cila do të vendosë edhe titullin kampion në këtë sezon të Superligës. Me kërkesën e të dy klubeve për një arbitër të huaj, sektori i arbitrimit në FSHF siguroi emrin e ndërkombëtarit italian. Tagliavento ka lindur në Terni në vitin 1972 dhe ka nisur karrierën si arbitër në vitin 2001, në kategoritë inferiore të futbollit italian. Ai bëri debutimin në një ndeshje të serisë A, në sezonin 2003-2004, në ndeshjen e javës së fundit, Kievo-Bolonja. Në vitin 2006, ai u përfshi në hetimet e skandalit Calciopoli, por u shpall i pafajshëm nga gjykata sportive italiane. Tagliavento është arbitër ndërkombëtar i FIFA-s që nga viti 2007 dhe ka drejtuar disa ndeshje në Kupën UEFA dhe eliminatoret e Euro 2008. Tagliavento është arbitri i dytë i huaj që do të gjykojë në Shqipëri gjatë këtij sezoni, pas gjermanit Rafati në finalen e kupës. Ndërkohë, një tjetër arbitër italian do të jetë kryesor në ndeshjen e kategorisë së parë, Laçi-Apolonia.
Rreth 5 000 tifozë për ndeshjen e sotme në “Selman Stërmasi”
Takimi kryesor i javës së fundit të kampionatit, midis Dinamos dhe Partizanit, pas përfundimit të të cilit do të njihet edhe ekipi që do të shpallet kampion, do të zhvillohet në prani të jo më shumë se 5 000 shikuesave. Kjo është bërë e ditur nga burime drejtuese të stadiumit dhe ruajtjes së rendit, pasi të dyja institucionet kanë konfirmuar problemet e shumta që ka ky stadium dhe është vështirë që masat e sigurisë të jenë të një niveli të lartë. Për këtë arsye, janë ndaluar që të funksionojnë të gjitha ambientet e stadiumit, pra nuk do ketë tifozeri në një pjesë të tribunave përkatëse. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe do fillojë në orën 16.30 të ditës së shtunë.