Xhaferi: Pse Konferenca Islamike nuk po njeh Kosovën
Express: Pse nuk po realizohet njohja nga vendet e Konferencës Islamike, ashtu siç pritej dhe thuhej nga lidershipi kosovar. A mund të ndodhë kjo për shkak të orientimit shumë properëndimor të Kosovës, që është kultivuar viteve të fundit dhe aktualisht?
Arbën Xhaferi: Përgjigjen për këtë pyetje duhet kërkuar në sferën e politikës dhe jo të religjionit. Shtetet myslimane shpeshherë, për interesa dhe shkaqe të ndryshme, aspak fetare kanë përplasje dhe antagonizma ekstreme ndërmjet tyre. Nga ana tjetër, veçanërisht te bota arabe ende ekziston nostalgjia për periudhën e mos-inkuadrimit, respekti për figurën e Titos. Po ashtu me këtë rast duhet marrë parasysh se Jugosllavia gjatë kohë ka qenë furnizuese kryesore me armë të shteteve të ndryshme, veçmas të Libisë, Irakut, Egjiptit Sirisë etj.
Përfundimisht duhet të kihet parasysh se bota arabe, tradicionalisht mban lidhje alternative strategjike me Rusinë. Sëkëndejmi për ta Kosova është një kafshatë tepër e vogël, për të cilën nuk vlen që ata t’i prishin raportet strategjike me Rusinë, përkatësisht me Serbinë që ata ende e perceptojnë si Jugosllavi. Këtë fakt nuk e merrte parasysh Presidenti i ndjerë boshnjak Izetbegovic dhe shtrenjtë e pagoi. Gadafi i dha atij pesë milionë dollarë ndihmë, ndërkaq Milloshevicit me qindra milionë. Fati tragjik i Çeçenisë flet po ashtu për indiferencën mëkatare të Konferencës Islamike ndaj këtij gjenocidi, përkatësisht për një politikë që udhëhiqet nga interesa të tjera, aspak fetare. Po të mos kishim orientim properëndimor ne sot nuk do të gëzonim lirinë që e kemi.
Express: Në perspektivë a duhet Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë, cili është interesi strategjik?
Arbën Xhaferi: Së pari Kosova duhet ta rrumbullakojë procesin e pavarësimit duke u pranuar në OKB. Pastaj si shtet me vete do të fillojë të hartojë strategjinë e politikës së jashtme. Natyrisht se do të këtë interes që të ndërtojë raporte të mira me shtetet islamike. Por, asnjëherë nuk duhet të harrohet se pa ndihmën e SHBA’së, NATO’s dhe BE’së nuk do të arrinim të mbijetonim, të paktën të kishim këtë nivel të lirisë që e kemi. Ne atë moment kur do ta shpërfillim këtë fakt, do të funksionalizohet oreksi hegjemonist i fqinjëve tanë. Përgjigja për këtë pyetje do te jepet pasi qe kjo konference unanimisht do ta njohe pavarësinë e Kosovës.
Express: Kosova përbëhet nga shumica myslimane dhe ne si popull përceptohemi si të tillë, a ka komplekse te lidershipi ose elita në këtë rast e Prishtinës që të kërkohet anëtarësimi edhe në Konferencën Islamike. Si duhet të veprohet?
Arbën Xhaferi: T’i përkufizojmë së pari nocionet. Çdo të thotë në politikë të qenit mysliman? Politikë myslimane? Ajo nuk ekziston as si teori as si praktikë në vete shtetet arabe që prodhon antagonizma ekstreme të brendshme. Prandaj, Kosova dhe shqiptarët duhet t’i përmbahen dy parimeve kryesore: demokracisë si procedurë të vetme për legjitimim të një pushteti dhe sekularizmit, përkatësisht laicizmit. Kohët e fundit përhapen opinione absurde se politika properëndimore e udhëheqësisë kosovare paska ndikuar që shtetet myslimane nuk e paskan njohur pavarësinë e Kosovës. Por çfarë politike të jashtme sot ka Arabia Saudite, Turqia, Egjipti, Jordani, Pakistani, Maroku, Algjeria...? Pro-amerikane, gjithsesi.
Sot e kësaj dite Qeveria palestineze merr donacione nga SHBA, me se një miliard e gjysmë dollarë për shpenzime qeveritare, ndërkaq Qeveria e Egjiptit dy miliardë dollarë. Prandaj përgjigja me e adekuate për këtë pyetje do të ishte një kundër pyetje: çdo të ndodhte me Kosovën dhe shqiptaret po qe se ne do të kishim politike anti-perëndimore?
Dhe përfundimisht Kosova, siç u tha me lartë, nuk mund të jetë anëtare e Konferencës Islamike, para se ajo ta njohë pavarësinë e saj.