E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufiri Kosovë-Maqedoni përcakton shumë gjëra

Dy dekadat e fundit në Ballkan do të mbahen mend për luftërat e zhvilluara si pasojë e shpërbërjes së Federatës Jugosllave. Në njërin krah të frontit ishte Serbia, në krahun tjetër, jo në të njëjtën kohë, ish-pjesët përbërëse të saj: Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe në fund Kosova – e vetmja që nuk e kishte statusin e republikës para luftës.

Mali i Zi u nda me referendum. Maqedonia dukej se ishte më e privilegjuara në këtë histori shkatërrimi, nuk u nda as me luftë dhe as me referendum. Problemi i emrit asokohe nuk konsiderohej problem.

Pavarësisht raporteve mes etnive të saj përbërëse, afërsisht si të Bosnjës, Maqedonia lundroi e qetë nëpër këto dy dekada të trazuara. Mirëpo, Ballkani ka dëshmuar shumë herë se nuk është det i qetë për një kohë të gjatë.

Kur edhe çështja e fundit e ish-Jugosllavisë – statusi i Kosovës - mori rrugë, filluan shqetësimet maqedonase. Çështja e emrit u kthye në një problem serioz mes Athinës dhe Shkupit dhe, nëse kjo e dyta nuk bie dakord për një emër që t’iu pëlqejë edhe grekëve, perspektiva është e errët, ka patur zëra që kanë parandjerë edhe shpërbërjen e saj. Një gjë është e sigurt, Greqia është e vendosur të mos bëjë lëshime.

Maqedonia duhet t’i lutet Zotit që ka pjesë përbërëse të saj etninë shqiptare dhe fqinjë Shqipërinë e Kosovën. Kosova është shtet shumë i ri, por Shqipëria ka treguar se nuk e ka aplikuar kurrë politikën diversioniste me asnjë nga fqinjët e saj. Po të kishte qenë kështu, Maqedonia do të ishte sot një realitet tjetër politik e ndoshta edhe gjeografik.

Me shumë pak punë, Shqipëria mund ta shndërronte fare mirë Maqedoninë në një Bosnjë të dytë. Mosrespektimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit do të kishte qenë justifikim i mjaftueshëm për të nisur politikën diversioniste. Çështja e ndarjes së kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës do të ishte një tjetër argument për t’ia prishur gjumin Shkupit. Apo ndoshta, për më shumë se kaq.

Në bisedimet mes Shkupit dhe Prishtinës për vijën e demarkacionit, të cilat rifilluan dje, Maqedonia duhet të ketë parasysh interesa shumë më të mëdha se përvetësimi i 2500 hektarëve tokë që ajo i pretendon si të sajat, prej një marrëveshjeje që ka bërë me Serbinë në vitin 2001.

Ballkani sot është një realitet tjetër. Kosova është shtet i pavarur dhe ka të drejtën të vendosë vetë për territoret e saj. Veç realitetit historik, është edhe ana racionale e gjërave. Ato toka nuk kanë qenë deri tani të lira, ato kanë patur dhe kanë pronarë të ligjshëm. Është jashtë çdo logjike që pronarët e tokave të jenë banorë të Kosovës, siç janë realisht banorët e tokave në diskutim, dhe pronat t’i kenë në Maqedoni. Dhe e fundit, ato janë toka të lidhura organikisht me Kosovën, nuk është çështja se janë në brendësi të Maqedonisë, si mund të jenë, për shembull, tokat e tiranasve në Shkup, apo të amerikanëve në Tiranë.

Në caktimin e vijës kufitare me Maqedoninë, Kosova nuk duhej të bëjë asnjë lëshim, Tirana zyrtare dhe partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk duhet të heshtin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›