E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Kryeministri të raportojë urgjent për Gërdecin, në të kundërt bojkotojmë seancat plenare

Kryetarja e grupit parlamentar të PSSH, Valentina Leskaj, i bëri dje sërish kërkesë kryeministrit, Berisha, që të raportojë në seancë plenare për tragjedinë e Gërdecit. Leskaj paralajmëroi edhe mungesën e opozitës në seancën plenare të radhës në shenje proteste ndaj mungesës së kryeministrit në seancë për të raportuar për Gërdecin. Ndërsa për të njëjtën çështje kryetari socialist i Komisionit të Ligjeve në Asamblenë Kombëtare të PS, Ylli Manjani, tha se kryeministri dhe titullarë të tjerë të mazhorancës po i bëjnë presion prokurorisë për të devijuar hetimet për ngjarjen e Gërdecit. Sa i përket çështjes së raportimit në Kuvend të kryeministrit, Berisha, PS ka paraqitur prej disa ditësh një kërkesë me shkrim pranë kryesisë së Kuvendit, në të cilën kërkohet që kryeministri Berisha të raportojë në Kuvend për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec, ku humbën jetën 26 shtetas shqiptarë, si pasojë e një shpërthimi municionesh në një depo armatimesh. Deri dje nuk ka patur asnjë përgjigje nga ana e Kuvendit për këtë kërkesë dhe për këtë arsye kryetarja e grupit parlamentar të PS, Valentna Leskaj, përsëriti kërkesën drejtuar kryeministrit, që ky i fundit të paraqitet në seancë plenare për të raportuar për ngjarjen e Gërdecit. “Qeveria nuk vjen në Kuvend për të dëgjuar problemet dhe hallet e shqiptarëve. Qeveria është në krizë, pa zëvendëskryeministër, me dy ministra pa imunitet, me një drejtor të përgjithshëm që firmos nga shtëpia, pasi është i arrestuar. Kryeministri nuk vjen në Kuvend, pasi nuk do të dëgjojë për Gërdecin”, - tha Leskaj. Ajo paralajmëroi paraditen e djeshme mungesën në seancë plenare të deputetëve të PS, nëse në parlament nuk do të jetë i pranishëm kryeministri, Berisha dhe qeveria e tij. Leskaj nënvizoi se grupi i deputetëve të PSSH nuk pranon të jetë fasadë në Kuvend.

Deklarata

Kryetari i Komisionit të Ligjeve të Asamblenë Kombëtare të PS, Ylli Manjani, tha dje se mazhoranca demokrate po i bën presion Prokurorsisë së Përgjithshme për të ndalur hetimet reale mbi ngjarjen e Gërdecit, ku akuzohen si të implikuar ministra të kësaj mazhorance. Manjani tha se presioni i zyrtarëve të lartë të mazhorancës ndaj Prokurorisë së Përgjithshme përkon pikërisht me debatin për kufizimin e imunitetit, për të cilin PS është shprehur e gatshme të arrijë marrëveshje deri në ndryshim të Kushtetutës, për të kufizuar imunitetin e deputetëve, në shërbim të përmirësimit të luftës kundër korrupsionit. “Ditët e fundit kemi parë të shpaloset një presion publik shqetësues i mazhorancës aktuale mbi Prokurorinë e Republikës. Eksponentë të lartë të mazhorancës së sotme qeverisëse nuk po rreshtin së thëni gjëra që synojnë qartaz stepjen e Prokurorisë së Republikës në procesin hetimor të ngjarjes tragjike të Gërdecit. Ky presion bëhet bash në momentin, kur politikës vendimmarrëse i kërkohet të heqë barrierat e imuniteteve klasike dhe në momentin, kur bashkësia ndërkombëtare kërkon pa ekuivok nga politika që të mbështesë organet e drejtësisë e jo t’i shantazhojë ato për të dekurajuar nisma, të cilat janë të mirëpritura në funksion të një drejtësie të barabartë për të gjithë”, - tha dje Manjani. Në emër të PS, Manjani i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të ndalojë presionin mbi prokurorinë, në mënyrë që të dalin para drejtësisë përgjegjësit për ngjarjen e Gërdecit, qofshin ata ministra apo zyrtarë të tjerë të lartë. “I bëjmë apel kryeministrit dhe të gjithë eksponentëve të mazhorancës të ndalin shigjetimet e tyre të palejueshme ndaj Prokurorisë së Republikës dhe të përpiqen se bashku me ne për ta çliruar përgjithmonë prokurorinë nga duart e politikës, të cilat s'mund të pastrohen duke ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur në letër e të asfiksuar politikisht ne realitet. Kjo mazhorancë që propagandon prej kohësh nevojën e heqjes së imuniteteve, sot është kapur fort pas imuniteteve të ministrave të saj të akuzuar dhe madje po tenton ta kushtëzojë direkt ose indirekt po krejt dukshëm Prokurorinë e Republikës në vend që të kalojë në seancë plenare kërkesën e saj për imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes. Ne e konsiderojmë hetimin për ngjarjen e Gërdecit si jetik për besueshmërinë e organeve të hetimit e të gjykimit dhe jemi të angazhuar për t'i krijuar Prokurorisë së Republikës kushtet e nevojshme për të bërë punën e pakushtëzuar nga politika e deklaratave. Prokuroria duhet të marrë të gjithë kohën dhe hapësirën e nevojshme për ta hetuar imtësisht këtë ngjarje, si edhe një sërë skandalesh të tjera, për të cilat presim rezultate konkrete e të pavarura prej gjykimeve politike. Në këtë kontekst, PS mbështet pa asnjë kusht punën e prokurorisë dhe pa asnjë kusht do të votojë pro heqjes së imunitetit të çdo personi me imunitet në këtë shtet, për të cilin organi i akuzës do kërkojë të hetojë lirisht”, - tha Manjani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›