E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Financave kundërshton vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka kundërshtruar dje vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e nenit që parashihte parapagimin e 15 për qind të vlerës së gjobave para apelimit, duke e cilësuar një vendim që nuk ndihmon në luftën kundër ekonomisë informale. Ligji i ri procedurave tatimore, megjithatë ka reflektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk parashikon parapagim të gjobave në asnjë përqindje të caktuar, por ligji parasheh që detyrimi tatimor i pretenduar nga administrata e tatimeve duhet të paguhet menjëherë e më pas subjektet e biznesit të apelojnë këtë vendim. Shumë grupe të biznesit e kanë cilësuar këtë gjë më shumë të dëmshme për biznesin sesa parapagimi i gjobave, pasi edhe kjo e vë biznesin në vështirësi. Qeveria, megjithatë nuk u tërhoq nga kjo kërkesë, madje ministri i Financave e çmoi këtë gjë si efektive kundër ekonomisë informale. Ministri Bode tha se nuk do të ketë më biznese të ministrave apo të politikanë dhe të njerëzve të lidhur me këta të fundit, të cilët, me influencën e tyre bënin që këto biznese të përfitonin kundër ligjit. Ministri i Financave gjithashtu ka deklaruar përkundër qëndrimit të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar se qeveria shqiptare do të rrisë pagat dhe pensionet në korrik të këtij viti. Ministri i Financave saktësoi se pagat dhe pensionet do të rriten më shumë se sa është indeksi i rritur i inflacionit dhe i kostos së jetës. Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar tha se qeveria nuk duhet të rrisë pagat dhe pensionet, me idenë se po ndërmerr një masë kundër çmimeve të rritura, pasi këto para realisht nuk përfitohen nga shtresat më të varfëra. Pavarësisht kësaj, ministri i Financave siguroi se kjo gjë do të bëhej në buxhetin shtesë që do të miratohet në mesverën e këtij viti. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se tashmë me këtë ligj bizneset do të lidhen online me organet tatimore për të bërë pagesat dhe do të vendosen kasat regjistruese. Biznesi kundërshtoi disa nene të projektligjit të ri “Për procedurat tatimore". Ai paraqiti vërejtje lidhur me nenet për parapagesën e 15 % të interesave dhe gjobave, fillimin e procedurave të falimentimit, si dhe sekuestrimin e llogarive bankare nga kreu i Drejtorise rajonale të Tatimeve kur vërehen shkelje nga subjektet tregtare e prodhuese. Përfaqësues të biznesit thanë se, “këto nene të këtij projektligji sjellin pasoja negative për biznesin, pasi i japin më shume pushtet administratës tatimore, ndërkohë që cenojnë të drejtat e biznesit.” Biznesi e çoi në Gjykatën Kushtetuese këtë projektligj, duke kërkuar heqjen e nenit lidhur me parapagesën e 15 % të interesave dhe gjobave me argumentin se paragjykohet përfundimi i ankimimit dhe penalizohet padrejtësisht biznesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›