E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Si e shtyva Amy-n drejt drogës"

Kur janë thuajse në prag të divorcit Amy Winehouse me Blake Fielder Civil, në një intervistë të gjatë për "News of the World" ai tregon se si e shndërroi këngëtaren 25-vjeçare në një të droguar dhe njeri të pashpresë. Duke folur mes lotësh për gazetarët e tabloidit anglez, Blake tregon si e ka shtyrë Amy-n drejt kësaj rruge. "Pa mua nuk do ta kishte nisur kurrë atë rrugë. Shkatërrova diçka shumë të bukur". Tani, ndërsa janë shtuar ndjeshëm zërat për një divorc të mundshëm mes të dyve, Blake nuk i kursen lotët e hidhur të asaj që ndërtoi me duart e veta. "Tani do të bëj aq sa kam në dorë për t‘i shpëtuar jetën. Nuk do ta braktis, e them me dashuri këtë". Blake, një ish i dënuar për shpërndarje lëndësh narkotike, aktualisht ndodhet në një klinikë, ku po përballet me një trajtim për dezintoksikim dhe rehabilitim. "Jam 26 vjeç dhe kam nisur të marr drogë që në moshën 22-vjeçare. Gabimi im më i madh ishte se fillova të drogohesha edhe para saj. E shtyva drejt heroinës, kokainës dhe drejt shkatërrimit e për këtë ndihem mjaft fajtor", tha ai për "News of the World". Në një intervistë tragjike, i sapoliruari nga burgu i Pentovilles, ku qëndroi plot 27 muaj, tregoi se si çifti merrte heroinë gjatë gjithë ditës, deri sa arrinin të ishin të pandërgjegjshëm. "Nuk mendonim fare për atë që po bënim. Të dy donim t‘u shkonim gjërave deri në fund dhe kur bëhesha i papërgjegjshëm nuk e mendoja se po i bëja keq edhe dikujt tjetër. Atëherë, gruaja ime, që e dua me gjithë shpirt, nisi të shihte skena të dhunshme tek unë dhe pastaj të bëhej si unë. Herën e parë që e nisi më pyeti: mund ta provoj edhe unë. Isha i pandërgjegjshëm, ndaj iu përgjigja po. Që aty filloi, për të mos ndaluar më", vazhdon ai. Në fakt, "përballjen" e parë me vdekjen Amy do ta kishte në verën e 2007-ës, kur për pak sa nuk i vdiq në duar. Ishin droguar keq. "Atë ditë kishim pirë kokainë dhe disa lloj drogash të tjera gjatë gjithë ditës. Isha me të kur u zverdh dhe ra përtokë. U mundova ta përmendja. Gjuha po i ikte brenda. U tremba për vdekje. Ishte një nga momentet më të vështira të jetës sime". Pastaj gjithçka nisi të bëhej më keq, kur Amy mori vesh se Blake do të përfundonte në burg si shpërndarës dhe përdorues droge. "E dija që do të përfundoja në burg. Mendoja se do të qëndroja brenda për katër ose pesë vjet. Nuk e kisha menduar kurrë se pas martesës sonë, dita më e lumtur e jetës sime, jetët tona do të përfundonin kështu", rrëfen Blake, që e fitoi lirinë më 5 nëntor. Ai e ndien veten fajtor për gjithçka. "Pa heroinën Amy do të bënte muzikë të mrekullueshme, ndërsa unë video të bukura dhe së bashku do të ishim të lumtur. Por, për shkak të drogës, gjithçka mori fund". Ai kërkon me çdo kusht ta ndihmojë atë me aq sa mundet tani. "Amy e ka humbur rrugën e saj. Tani ajo është e pandërgjegjshme për të dalluar se sa e brishtë dhe sa e talentuar është. Por është vetëm 25 vjeçe, është këngëtare fantastike dhe do të ketë mundësinë për të nxjerrë me qindra albume, nëse do të jetë e zonja të dalë nga kjo gjende", tha Blake. Ndërsa ai ka edhe një ëndërr: kërkon të jetojë dhe të ndërtojë një jetë të re bashkë me Amy-n. Blake thotë me dëshpërim: "Mendoj se ndonjë ditë fati mund të na bashkojë sërish. Aty ku do të mund të jetonim bashkë në një shtëpi të këndshme dhe plot fëmijë, duke lënë gjithçka pas. Kjo do të jetë ëndrra ime".

Në fund, 26-vjeçari shton: "Njerëzit ndoshta nuk e konceptojnë dot, por Amy është një grua e mrekullueshme, nikoqire dhe një prezencë e mrekullueshme në shtëpi. Nuk duhet të çuditesh nëse kush ka rastin të jetojë me të, do ta shohë që gatuan dhe kujdeset për ata që e rrethojnë. Por, për shkak të drogave ne nuk mund të kemi një jetë normale së bashku. Kjo është arsyeja se përse e lashë atë të shkonte".

Lindja e një ylli

Amy Jade Winehouse lindi në Angli në vitin 1983. Në atë kohë Margaret Theçer ishte në mandatin e saj të dytë, ndërkohë që lufta e Falkland kishte përfunduar. Gjatë atyre viteve babai i saj, Mitch, ishte një taksist 34-vjeçar, ndërsa nëna, Janis, një farmaciste 28-vjeçare. Vëllai Alex ishte vetëm 4 vjeç, kur familjes së vogël iu shtua edhe një tjetër pjesëtare. Në një fotografi, që qëndron në bufe, Amy ka dalë duke buzëqeshur. Në njërën dorë mban një kukull barbi, ndërsa në tjetrën një kalë. Por fëmijëria e saj nuk ka qenë shumë e lumtur. Prindërit u ndanë kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe. Babai u largua nga shtëpia dhe Amy e vuajti jashtëzakonisht. Pas pak kohësh "Daddy‘s girl" (vajza e babait), vizatoi në krahun e majtë një tatuazh, ndërsa në tjetrin një në kujtim të gjyshes Cynthie, e cila ishte e pasionuar pas xhazit. Duke qenë se po jetonte një periudhë të trishtuar, Amy e gjeti qetësinë vetëm te muzika. Ishte e vetmja gjë që e bënte të ndihej mirë. Me miken e saj, Juliette Ashby, bëri edhe duetin e parë. Pas kësaj eksperience dikush e vuri re talentin e saj dhe kështu Amy përfundoi në shkollën "Sylvia Young", e cila shquhej veçanërisht për disiplinën e saj. "Ishte ndryshe nga nxënëset e tjera, nuk e vishte uniformën, përtypej shumë në orët e mësimit dhe mbante pirsing", u justifikua mësuesja kujdestare, pasi e përjashtoi nga shkolla. Më pas do ta falnin duke i siguruar pjesëmarrjen në audicion, ku do të takonte Simon Fuller, njeriu që krijoi grupin e famshëm "Spice Girls": "Tek Amy ishin bashkuar në një Mahalia Jackson, Aretha Franklin dhe Courtney Love", u shpreh më pas ai.

Shkëlqimi dhe rënia

Ajo u bë e famshme për stilin e saj të jetesës, lukun dhe talentin e jashtëzakonshëm. 25-vjeçarja Amy Winehouse u shtrua në një klinikë vetëm një javë më parë, "për shkak të një reaksioni nga një ilaç i gabuar". Një muaj më parë ishte shtruar në spital për një infeksion në mushkri. Depresion, anoreksi, shtrime të shpeshta nëpër klinika të specializuara për dezintoksikim nga alkooli dhe droga janë të pranishme në jetën e saj këto vitet e fundit, ashtu si fama dhe suksesi që duket se janë të lidhur ngushtë me jetën e saj private. Emblematik ishte triumfi i këngëtares së "Back in Black" në qershorin e kaluar në Londër me rastin e koncertit për ditëlindjen e 90 të Mandelës, edhe pse kishte vetëm pak ditë që ishte shtruar dhe kishte dalë nga klinika, pasi mjekët dyshonin për një sëmundje të rëndë në mushkri. Periudha e shkëlqimit nisi të errësohej shpejt me këngëtaren, që në rastet më të mira ngjitej në skenë e dehur, e droguar, ose në rastet më të këqija nuk ngjitej fare. Kështu, imazhi publik nisi të errësohej dhe ajo karrierë dhe zë i mrekullueshëm të dobësohej. Nga triumfi i saj i parë me singëllin "Rehab", Amy arriti një sukses të menjëhershëm në publik dhe mori pëlqimin e kritikëve, duke krijuar edhe një stil, që mjaft vokalistë kanë kërkuar të kopjojnë. Fituese e çmimeve si "Brit Award", "Grammy" dhe "MTV Europe Award", Amy-it i janë mohuar shumë mundësi, për shkak të paraqitjes dhe sjelljes së saj të papërshtatshme, mes të cilave edhe ajo për të interpretuar këngën në filmin e fundit të James Bondit "Quantum of solace". E katandisur në një gjendje për të ardhur keq, shumë yje të muzikës pop, mes të cilëve Elton John dhe Noel Gallagher, bëjnë apel që ta ndihmojnë këtë yll të ri të muzikës për të dalë nga kjo gjendje. Edhe jeta e saj private prej kohësh është bërë objekt kronikash dhe thashethemesh: zënkat e zakonshme me bashkëshortin, skenat e sikletshme mes të dyve me paparacët, që prej kohësh i ndjekin pas në çdo hap, ndarjet, apo ribashkimet e tyre dhe tani te zërat për divorcin, që, sipas mediave angleze, është drejt përfundimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›