Analizat, shtohen të rinjtë që ekzaminohen për HIV/AIDS
Frika e infektimit me HIV/AIDS ka shtuar numrin e studentëve të cilët kryejnë analiza për të identifikuar në rast se janë prekur nga sëmundja e shekullit. Studentë të shumtë i janë drejtuar qendrës në Korçë për analiza, të cilat vërtetojnë në rast se janë bartës të kësaj sëmundjeje apo jo. Një nga arsyet që ka shtuar edhe rritjen e interesit për t‘u informuar mbi situatën e infektimit, që ka detyruar shumë studentë të universitetit të qytetit juglindor të kryejnë analizat, ka qenë fakti se kanë kryer marrëdhënie seksuale të pambrojtura ose kanë pasur disa partnerë. Sipas të dhënave nga qendra përkatëse në Korçë, të paktën 200 analiza janë kryer në një periudhë të shkurtër kohore. Shifrat u referohen analizave që janë kryer gjatë muajve të fundit, por fatmirësisht, siç deklaron përgjegjësja e kësaj qendre, Nertila Sterio, nuk ka rezultuar asnjë i infektuar me virusin vdekjeprurës. Përgjegjësja e qendrës, Nertila Sterio, tregon se ka një shtim të numrit të studentëve dhe të rinjve të moshave 19-23 vjeç, të cilët drejtohen për analiza pranë kësaj qendre. Sipas saj, nga të dhënat dhe analizat ka rezultuar se edhe pse nuk janë konstatuar raste të AIDS, shumë prej personave që i janë nënshtruar testimit në fakt kanë qenë bartës të sëmundjeve të tjera seksualisht të transmetueshme. "Ka pasur shumë raste të cilat kanë qenë të dyshimta dhe për këtë i kemi dërguar analizat e këtyre personave edhe në kryeqytet për të marrë një konfirmim të saktë. Por në fakt, edhe pse nuk kanë rezultuar bartës të HIV, shumë nga personat kanë probleme me sëmundje të cilat janë marrë në rrugë seksuale nga partnerët. Një pjesë e madhe e personave që janë kontrolluar, janë të infektuar nga sëmundje seksualisht të transmetueshme. Raste të shumta ka pasur me Hepatit B dhe C.