E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Qesja" e shëndetësisë shumë e vogël, hallet shumë të mëdha

Buxheti që qeveria i ka akorduar shëndetësisë për vitin 2009 është i vogël krahasuar me shtimin e sëmundjeve dhe halleve të pacientëve. Po ashtu gjendja e rënduar e spitaleve më të mëdha të vendit dhe problematika e pacientëve në gjithë vendin mund të përkufizohet me krizë. Kjo sipas Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka reaguar dje duke bërë një panoramë të gjendjes në spitale dhe njëkohësisht duke analizuar buxhetin e varfër, që sipas tyre Kryeministri Berisha i ka vendosur në llogari të shëndetësisë. "Në muajt e fundit dhe në vitin e fundit jemi përballur me një krizë të pashembullt të sistemit shëndetësor shqiptar. Kjo krizë ka qenë e gjithanshme dhe ka filluar që nga problemet e mëdha të furnizimit me barna, të keqfunksionimit të madh të qendrave spitalore të vendit dhe veçanërisht të asaj universitare, dhe njëkohësisht ka precipituar edhe në spitalet e rretheve më të largëta dhe të qendrave shëndetësore", tha dje Petrit Vasili. Sipas tij, të gjithë qytetarët kanë pritur disa përgjigje të rëndësishme për zgjidhjen e kësaj krize, të cilat do të fillonin që nga buxheti i ri që u miratua para pak ditësh.

"Është vërtet skandaloz fakti që përgjigjet, të cilat erdhën nga buxheti, të ishin në mënyrë paradoksale e kundërta e asaj që prisnim të gjithë ne. Konkretisht duhet të fiksohet në mendjen e të gjithë shqiptarëve se buxheti i shëndetësisë, në vend që të rritet në raport me një vit më parë, ulet edhe më shumë në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto", tha Vasili. Sipas tij, në vend të një shtese të rëndësishme, e cila do të ishte një përgjigje antikrizë, kemi një ulje, një financim të mangët që thellon krizën. Lëvizja Socialiste për Integrim ka referuar se ky shërbim jetësor për qytetarët përbuzet në mënyrë sistematike dhe është provë e një antivizioni që kjo qeveri ka për shëndetësinë dhe nga 48.5 për qind që ishte në vitin 2007, jemi në 31.6 për qind.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›