Dinamo-Inter, shikuesit me maskë
Çdo shikues që do të ndjekë në stadium ndeshjen e Ligës së Kampioneve, Dinamo e Kievit-Inter do të vendosë një maskë mbrojtëse për të shmangur ndonjë infektim të mundshëm nga gripi i derrit. Ukraina është mbërthyer nga një epidemi nga virusi A/H1N1. Presidenti i Dinamos së Kievit, Igor Surkis, pohoi se klubi kishte blerë 17 mijë maska mbrojtëse për tifozët.
Platini pëlqen modelin Barcelona
Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, pohoi se atij i pëlqen modeli që ka Barcelona në administrimin e klubit, ku tifozët janë aksionarë të klubit dhe pronar nuk mund të jetë një i huaj. Platini është kundër pronarëve të huaj të një klubi. Në Angli 10 nga 20 klubet e Premier League janë në dorë të presidentëve të huaj. “Në Gjermani një huaj nuk mund të kontrollojë më shumë se 50 për qind të klubit”. Gjithashtu, shefi i UEFA-s është kundër sistemit që ndjek Arsenali në blerjen e fëmijëve të talentuar 13-vjeçarë nga gjithë Europa.
4 Nentor 2009