E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arkiva britanike: Motivet e aleancës së Ballit me gjermanët



Balli Kombëtar pretendon, sipas një trakti propagandistik të hedhur nga komiteti i tij rajonal në Vlorë në dhjetor, se është "e vetmja organizatë revolucionare nacionaliste" që punon "për një Shqipëri demokratike dhe etnike" dhe përfaqëson "90 për qind të popullit shqiptar". Të gjitha këto pretendime ngrihen në përmasa gjigante, megjithëse Balkom-i nuk duket se ka ndonjë numër të madh luftëtarësh dhe mbështetjeje. Ai nisi së ekzistuari, siç përmendet tashmë, si një krah i Luftës Nacional Çlirimtare në shtator 1942 dhe qëllimi i tij ishte të organizonte opinionin nacionalist si kundërpeshë ndaj komunistëve, të cilët ishin krijuar si një parti e mirëdisiplinuar përpara se të krijohej Fronti Nacional Çlirimtar. Një raport shpjegon se anëtarësia e tij përbëhet nga myslimanë, shqiptarë të territoreve të pushtuara të Jugosllavisë dhe ish-bashkëpunëtorë të italianëve. Një tjetër raport e përshkruan atë si një parti antizogiste, e përbërë me elemente me prejardhje nga shtresat e pasura, si pronarë tokash dhe pjesë më të vjetra të shtresave të mesme të shoqërisë. Ata nuk janë të fuqishëm nga pikëpamja numerike dhe nga frika e komunizmit, ata janë më të prirë të mbështesin gjermanët.

Rreziku kryesor në shpjegimin e politikave të Balkom-it është lehtësia me anë të së cilës kushdo mund të provojë pothuajse gjithçka lidhur me të. Mund të japim shembullin e dyshimit të hapur dhe të fortë ndaj pro-gjermanëve dhe provat për këtë akuzë janë mjaft intriguese. Pas marrëveshjes fillestare mes guerilëve, Balkom-i humbi shumë prej liderëve të tij më progresistë dhe më të rinj në moshë, të cilët u vunë nën mbikëqyrjen e italianëve dhe një numri anëtarësh të njohur si Grupi i Parisit, mes të cilëve Rexhep Mitrovica dhe Ali Këlcyra siguruan influencë të konsiderueshme duke drejtuar politikën e partisë nga krahu i djathtë dhe duke favorizuar bashkëpunimin me Aksin. Disa prej anëtarëve të tij kryesorë u kanë shërbyer gjermanëve dhe literatura e tyre e shtypit dhe propagandës stigmatizon partizanët si komunistë të dominuar nga të huajt. Trupat e Balkom-it njihen për bashkëpunimin e tyre me gjermanët në luftë kundër partizanëve dhe Balkom-i pranon se personeli i tyre ushtarak ka dënuar me vdekje dhe ka vrarë me armë zjarri ata që ndihmonin partizanët duke u vënë në dispozicion shtëpitë e tyre si depo armësh dhe seli propagande. Ai shkon më tej dhe pranon përgjegjësinë për reprezaljet, duke vrarë 5 deri në dhjetë kundërshtarë për secilin prej luftëtarëve të tij të vrarë nga partizanët. Kjo procedurë përshkruhet në mënyrë lakonike si "vëllavrasje".

Shpjegimi i pro-gjermanizmit është i thjeshtë dhe i gjerë, por nuk përputhet me të gjitha faktet. Ai nuk sqaron për shembull përse Lef Nosi u dëbua nga Balkom-i se iu bashkua komitetit fillestar të formuar në Tiranë kur mbërritën gjermanët, as përse partia duhet të sqaronte se "ky veprim ka shkelur direktivat e Ballit që janë dhe do të jenë gjithmonë lufta e pandalshme kundër të gjithë pushtuesve". Kemi një raport të oficerit ndërlidhës të Flotës britanike, i cili intervistoi 50 barinj pranë një territori që kontrollohej nga partizanët dhe zbuloi se 49 prej tyre mbështesnin Balkom-in. Ai vuri re mes tyre "një besim të thellë" se e vetmja shpresë për vendin e tyre qëndronte me Britaninë e Madhe dhe tre prej tyre i mundësuan atij zbulimin e pozicioneve gjermane. Oficerët britanikë kanë raportuar se simpatizantët e Balkom-it ka rezultuar të jenë "në mënyrë të pazakonshme të arsyeshëm" dhe ata janë përshkruar si "i vetmi grup" atje që mund të jepte ndihmesë në punën tonë dhe të siguronte çfarëdolloj rendi pas dëbimit të gjermanëve.

Mund të kuptohet fare mirë se megjithëse Balkom-i gëzon mbështetje të gjerë popullore, shumë prej qendrave të tij janë në qytetet dhe rajonet e ekspozuara të rrafshinës bregdetare, bastione të fuqishme të armikut, ku një sulm i hapur kundër gjermanëve me armatime të pamjaftueshme që zotëron Balkom-i do të ishte një akt vetëvrasjeje, veçanërisht kur Balkom-i është përfshirë në një luftë civile, për të cilën oficerët tanë fajësojnë partizanët.

Por, partia duket qartë se qëndron pasive në këto rrethana të paqarta. Për shembull, një pamflet i Balkom-it, që doli më 21 shtator, i sulmonte ashpër gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë, të cilët një ditë më parë kishin mbledhur të gjithë meshkujt e Durrësit e të Shijakut dhe i kishin çuar ata në një fushë duke zgjedhur prej tyre një grup që do të transportohej në një destinacion të panjohur. "Armiku barbar, - përmendej në pamflet, - përsëriti kundër popullit shqiptar veprimet çnjerëzore që kreu në Poloni dhe gjetkë... Ky akt brutal i armikut ka provokuar urrejtjen e popullit, por urrejtja më e madhe, mallkimi dhe dënimi i të gjithë Shqipërisë drejtohet ndaj këtyre shqiptarëve, të cilët, duke shkelur të gjitha të drejtat e përcaktuara sipas traditës së kësaj toke, i dorëzuan armikut vëllezërit e tyre të gjakut".

Sërish, Skënder Muço, shefi i Balkom-it në zonën e Vlorës dhe përfaqësues i komitetit të Balkom-it, u ka bërë një vizitë oficerëve ndërlidhës britanikë në një mision nga presidenti i komitetit. Ai tha se partia e tij është e gatshme të shërbejë nën urdhrat e britanikëve, por ai dëshiron më parë të vizitojë Kajron dhe të marrë garanci nga aleatët për pavarësinë e Shqipërisë. Së dyti, ai dëshiron që bandat partizane të shtypen.
Kërkesat e tjera të tij për rikthimin e ishullit të Sazanit (Në gjirin e Vlorës) Shqipërisë, dëmshpërblimi nga ana e Italisë dhe diskutimi i përfaqësisë shqiptare në Londër, por dhe mundësia e një federate ballkanike që Balkom-i ka prirje ta favorizojë. Muço shprehu keqardhje për bashkëpunimin me gjermanët, por mendoi se kjo ishte e vetmja rrugë për të thyer lëvizjen partizane që e konsideronte si armikun kryesor. Kur partizanët të asgjësohen, atëherë ai do të jetë i gatshëm të luftojë gjermanët.

Më 22 dhjetor, fshatarët e Dukatit, mbështetës të Balkom-it, thanë se ishin të gatshëm të bashkëpunonin me britanikët kundër gjermanëve dhe premtuan se nuk do t’i goditnin partizanët me përjashtim të rasteve kur do të gjendeshin të sulmuar dhe do të vetëmbroheshin. Burimi i informacionit konsideronte se oferta ishte e sinqertë dhe rekomandonte që populli i Dukatit të furnizohej me ushqime dhe veshmbathje si gjest mirënjohjeje për mbështetjen ndaj britanikëve. Nga mesi i nëntorit, këshilli i Balkom-it, nën udhëheqjen e Mit’hat Frashërit u dorëzoi britanikëve një marrëveshje me shkrim se tani ata do të luftonin kundër gjermanëve, por pozicioni u komplikua nga fakti se këshilli i LNÇ-së për pasojë lëshoi urdhra për të likuiduar Balkom-in duke mos e besuar "kthimin e pllakës" nga ana e këtij të fundit. LNÇ-ja, duke refuzuar të anulojë këto urdhra, vazhdon të shprehë indinjatën e saj se Balkom-i duhet të jetë duke pranuar ndihmën gjermane për të parandaluar shkatërrimin e fshatrave bastione të saj dhe shpëtimin e anëtarëve të saj nga skuadrat e pushkatimit.

Balkom-i duket më i fuqishëm në jug të Tiranës dhe selia e saj gjendet në Fier, ku ajo ka të mobilizuar rreth 1500 veta të pajisur me armatim italian. Ata që i bashkohen ushtrisë së tij njihen si vullnetarët e Lirisë Kombëtare. Lushnja dhe Vlora janë mbushur me formacione të Balkom-it dhe Kavaja gjithashtu ndodhet në duart e tyre. Si rrjedhojë, ajo ruan një forcë relativisht të konsiderueshme për madhësinë e vendit.

Në numrin pasardhës do të lexoni:

Lëvizja zogiste gjatë Luftës sipas arkivave britanike

Roli që pati lëvizja zogiste në Shqipëri gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore

Figurat kryesore që mbështesnin mbretin në ekzil. Karriera e major Abaz Kupit

Programi i këtij formacioni politik. Lidhjet që mbajti me mbretin në ekzil gjatë Luftës

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

4 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›