Zgjedhjet e 15 nëntorit, luftë e ashpër elektorale për Prishtinën
Blerina Olldashi
Analistët politikë shprehen të shqetësuar në lidhje me garën mes dy partive kryesore LDK-së dhe PDK-së për të fituar në kryeqytet zgjedhjet, mund të rrezikojë funksionimin e koalicionit të këtyre dy partive në nivel qendror. Dy partitë politike që pretendojnë të udhëheqin në më shumë komuna në Kosovë, PDK dhe LDK-së, kohët e fundit kanë ashpërsuar gjuhën politike duke akuzuar njëra- tjetrën për dështime. Këto dy parti janë në koalicion në nivel qëndror dhe sipas analistëve retorika e ashpër, që po përdoret gjatë kësaj fushate ndërmjet këtyre dy partive mund ta vërë në rrezik funksionimin e koalicionit në qeveri. Një sprovë tjetër e funksionimit të koalicionit PDK-LDK, është edhe beteja për Prishtinën. Fitorja në kryeqytet nga analistët vlerësohet vendimtare për Lidhjen Demokratike të Kosovës, në tendencat e saj për t’u rikthyer si një prej forcave kryesore politike në vend. Mirëpo, analisti Ramush Tahiri, thotë se edhe PDK, ka ambicje të mëdha, që të udhëheqë në kryeqytet, gjë që do ta forconte pozicionin e saj në bashkëverisje qendrore. “Partia Demokratike e Kosovës, është e koncentruar në Prishtinë, sepse Prishtina është shumë domethënëse për të. Nëse arrin që kandidati i saj të fitojë në kryeqytet, atëherë PDK-ja, të themi, e ka të sigurt koalicionin, si dhe rezultatet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithashtu, LDK-ja, nëse humb në Prishtinë, rrezikon shpërbërjen edhe njëherë të kësaj partie”, thotë Ramush Tahiri. Është kandidati për Prishtinën nga LDK-së, Isa Mustafa i cili vazhdimisht po kritikon qeverinë për mosfunksionim. Sipas tij qeveria ka bllokuar ligjin dhe investimet për Prishtinën. Por pjesë e qeverisë është edhe LDK-ja, anëtar i së cilës është vetë Isa Mustafa. Zyrtarë të lartë të PDK-së, parti kjo që e drejton qeverinë i kanë hedhur poshtë këto akuza, duke shtuar se PDK-ja në nivel qendror mund të qeverisë edhe pa LDK-në. Këtë debat ndërmet dy partive më të mëdha në Kosovë, të zhvilluar kohët e fundit, sidomos gjuhën e ashpër politike të LDK-së, një analist tjetër, Bardh Hamzaj, e sheh si përpjekje për rikthim të madh të LDK-së në skenën politike. Analistët politikë thonë se gjatë fushatës së deritashme dhe debateve te ashpra ndërmjet partive politike ka dalë në pah edhe një çështje tjetër. Sipas tyre i tërë koncentrimi i partive është vetëm për kryetarët e komunave, ndërsa, janë lënë nën hije kandidatët për asambletë komunale. Kjo sipas tyre përbën një rrezik në vete, sepse, nëse në një komunë të Kosovës fiton kandidati i një partie, mirëpo shumica e asamblesë komunale i përket një partie tjetër, kjo e vë në rrezik funksionimin e mirëfilltë të asaj komune. Në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor votohet drejtpërdrejt për kryetar komunash.
Karaxhiçi paraqitet në seancën e gjyqit
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është paraqitur para gjykatës në Hagë për herë të parë që nga fillimi i procesit ndaj tij. Ai përsëriti kërkesën që t’i jepej më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen. Ai tha se nuk do të merrte pjesë pa lexuar më parë 1.3 milionë faqet e dokumentave që i janë paraqitur gjykatës. Gjykata pritet të marrë vendim nga fundi i kësaj jave për procedimin e mëtejshëm. Duke folur në fillim të seancës përmes një përkthyesi, ai dha arsyet se pse nuk ishte paraqitur në gjyq. “Do të isha vërtet kriminel nëse do të pranoja kushte të tilla, të nisja një gjyq dhe një proces për të cilin jam i papërgatitur”,- tha ai. “Unë nuk mundem të vë në sprovë asgjë nga ato që do të paraqesë prokuroria me kaq shumë materiale nëse nuk më jepet më shumë kohë”. Thuhet se tani u takon gjykatësve të vendosin se si t’i balancojnë interesat e Karaxhiçit me ato të palës së akuzës dhe të viktimave. Gjykata pritet të marrë vendim nga fundi i kësaj jave.
Tragjedia e Tisës, identifikohet një çift
Pas tragjedisë në lumin Tisa mësohet se së fundmi janë identifikuar trupat e pajetë të Rrahim Mirenës dhe Valbona Mirenës, nga Obiliqi, çiftit bashkëshortor të mbytur. Të afërmit e familjes Mirena kanë konfirmuar për gazeten kosovare, “Express” se ata kanë identifikuar të dashurit e tyre, duke u bazuar në fotografitë e dërguara nga policia. Këto dy viktima janë gjetur gjatë fundjavës së bashku edhe me një fëmijë të moshës 1 vjeç, identiteti i të cilit ende nuk dihet. Përveç bashkëshortëve Mirena, në këtë tragjedi kanë humbur jetën edhe tre vajzat e tyre, Doruntina 8 vjeç, Dafina 6 vjeç dhe Agnesa 2 vjeç.
Deri më tani dyshohet se nuk janë gjetur edhe trupat e pajetë të pesë të tjerëve, një gruaje me dy fëmijët e saj, dhe dy fëmijë të familjes Ademi nga komuna e Vushtrrisë. Listës së gjatë të viktimave të tragjedisë në lumin Tisa, u shtohen edhe trupat e pajetë të tre personave të tjerë.
4 Nentor 2009