E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo-Skënderbeu, teatërdhe shëmti në mes të Tiranës

TIRANE- Po çfarë bën mor budalla? Desh na bërë gol. Ishte minuta e 77-të e ndeshjes Dinamo-Skënderbeu dhe Martinena godet drejt anësores për ta çuar topin kushedi se ku, por një devijim i një mbrojtësi të Skënderbeut për pak e ktheu në rrjetën e Shehit. Një Zot e di se çfarë mund të kishte ndodhur pas kësaj dhe reagimi i lojtarëve të skuadrës mike në këtë rast duket se ka qenë “i drejtë”. Sepse, Dinamo-Skënderbeu ka qenë një ndeshje e programuar për të dalë “2”, për të fituar korçarët. Një gjë e tillë mund të kuptohej fare lehtë në fushën e “Qemal Stafës” ditën e sotme. Ashtu siç ishte parashikuar, Skënderbeu fitoi 3-1, por edhe këtë herë skuadrat shqiptare treguan se kanë nevojë për leksione sesi të trukohet një ndeshje futbolli. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet ajo që u pa në stadiumin kombëtar. Skënderbeu kalon në avantazh që në fillim, Dinamo barazon çerek ore para fundit, por topi në njëfarë mënyre i zuri rrugën Allmuçës dhe futbollisti shënoi, duke u vrerosur në fytyrë e duke mos gëzuar aspak. Pa kaluar as 3 minuta, një aksion i nisur nga portieri përfundoi në gol, me Sozën që çuditërisht del i vetëm me Hoxhën. Ky i fundit plotëson pjesën e tij të “dramës”, duke marrë një karton të kuq për prekje me dorë jashtë zone, ndërkohë që 5 minuta para fundit, Skënderbeu shënon edhe golin e tretë, duke mos i lënë më asgjë në dorë rastësisë.
Në mënyrë të përmbledhur, ishte kjo kronika e ndeshjes së sotme mes Dinamos dhe Skënderbeut. Në fushë nuk u luajt futboll, por teatër, madje nga ato vepra me fund tragjik për “aktorin” kryesor, që në këtë rast është vetë futbolli. Në sytë e të gjithë Shqipërisë, Dinamo hap portën për herë të tretë radhazi ndaj korçarëve, duke treguar se drejtuesit nuk kanë “hall” vetëm futbollin në këtë jetë. Përkundrazi, edhe pse investojnë për të, ai mbetet thjesht një sport dhe del në plan të dytë. Por, ndoshta më mirë të mos e bëjnë fare, sesa të dhurojnë shfaqje të tilla...
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›