E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakënaqësi në Kosovë

Problemet në Kosovën e Vushtrrisë janë kthyer sërish. Tifozeria ‘Forca’ është e zhgënjyer me kryesinë aktuale dhe kërkon largimin e saj. Ata e duan një ekip që garon në Superligë e jo në Ligën e Parë. Kryetari i klubit, Agron Selimi, tregon version tjetër. Sipas tij, Kosova (V) kurrë s’i ka pasur punët më mirë. Ai beson te rikthimi në Superligë, nëse i jepet klubi në privatizim. Nga Moral Pozhegu më 25 shkurt 2011 në ora 14:21

Kosova e Vushtrrisë edhe këtë sezon nuk po e gjen qetësinë. Problemet në këtë klub janë kthyer, njëjtë si vitin e kaluar. Tifozët e këtij klubi ‘Forca’ janë të zhgënjyer me kryesinë e klubit, e cila pasi u emërua sezonin e kaluar, kishte premtuar shumë gjëra, të cilat nuk ia doli t’i realizojë.

Për këtë, kjo tifozeri kërkon largimin e kryesisë aktuale, njëjtë siç bëri me atë të kaluarën, për të ardhur në vend të saj njerëz që e çojnë përpara klubin vushtrrias, i cili nuk i ka gjasat dhe aq të mira për t’u kthyer në Superligë.

“Grupi i tifozëve Forca nuk e përkrah kryesinë aktuale, për shkak se ajo nuk është treguar aspak serioze në ambiciet e klubit. Me iniciativën tonë, para një viti kemi qenë ata që kemi reaguar të parët në kryesinë e mëparshme për ta përmirësuar gjendjen në klub, kur KF Kosova e humbi statusin e anëtarit të Superligës”, shkruan në një komunikatë për shtyp grupi i tifozëve vushtrrias, i cili kishte pritur shumë nga kryesia e re.

“Me ndërrimin e kryesisë, të gjithë kemi shpresuar se klubi do të riorganizohet dhe shumë shpejt do të kthehet në Superligë, por kjo nuk është duke ndodhur. Ne duam një ekip që garon në Superligë e jo në Ligën e Parë”, vazhdon komunikata.

Mungesa e interesimit për t’u rikthyer në Superligë, mungesa e përforcimeve gjatë afatit kalimtar, kushtet e rënda të lojtarëve dhe joserioziteti në stërvitje kanë bërë që ‘Forca’ ta ngrehë zërin për këtë gjendje të papranueshme në klub.

Andaj ‘Forca’ fton organet komunale që ta marrin nën kontroll situatën dhe të marrin masa për përmirësimin e gjendjes në klub. As futbollistët e klubit vushtrrias nuk janë të kënaqur me kryesinë dhe me gjendjen aktuale në klub. Ata kërkojnë që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt dhe Kosova ta kthejë namin që kishte në futbollin kosovar.

Në anën tjetër, kryesia e klubit befasohet nga kjo komunikatë, pasi që vlerëson se Kosova (V) kurrë s’i ka pasur punët më mirë në aspektin financiar. “Kryesia është shumë e organizuar, bile nuk ka pasur pas luftës asnjë kryesi më të organizuar se kjo, pasi që nuk u kemi mbetur borxh asnjë cent lojtarëve. Për këtë do na merrnin lakmi edhe klubet e Superligës, që kanë borxhe gati secili”, theksoi kryetari i klubit vushtrrias, Agron Selimi.

Sipas tij, kryesia aktuale nuk ka premtuar përforcime e as rikthim të menjëhershëm në Superligë. Selimi beson se kjo do të ndodhte nëse Kuvendi Komunal i Vushtrrisë do t’ia lejonte privatizimin e klubit. Në të kundërtën, ai kërcënon me largim.

“Gjithçka varet nga Komuna. Nëse më lejohet privatizimi i klubit, besoj se pas një viti do të kthehemi në Superligë. Nëse marr përgjigje negative, do të tërhiqem menjëherë nga Kosova (V), pasi që unë nuk kam kurrfarë interesi nga ky klub dhe nuk kam shumë kohë. Komuna ka afat edhe një javë që të ma kthejë përgjigjen përfundimtare”, nënvizoi ai.

Kryetari i klubit thotë se kryesia aktuale nuk e ka ndërmend të tërhiqet për teket e dikujt. Ai kërkon nga ‘Forca’ që ta kryejnë punën e tyre – të bëjnë tifozllëk e jo më shumë. “Tifozët duhet t’i dinë detyrat e tyre. Nuk mundet me dalë një ‘Forcë’ e të bëjë ndryshime në klub. Politikë e tifozëve është që ta përcjellin dhe ta mbështesin skuadrën në stadium e jo diçka tjetër”, shpjegon ai.

– “Unë kam pasur marrëdhënie të mira me ‘Forcën’, por unë nuk u lejoj hapësirë atyre të kyçen në kryesi. Ata i kam parë vetëm në 5 ndeshje duke e përcjellë Kosovën, nuk e kanë ndjekur shumë këtë sezon, më duket janë shpartalluar në 2-3 grupe”, tha në fund Selimi.

Kosova e Vushtrrisë gjendet në pozitën e pestë të Ligës së Parë të Kosovës në futboll. Politikë e këtij klubi pa filluar sezoni ishte që t’u jepet mundësia lojtarëve të rinj. Mirëpo, tifozët kërkojnë ndryshime, për herë të dytë në dy vitet e fundit, pasi që duan ta shohin ekipin e tyre të zemrës duke garuar në Superligë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›