Dinamo-Teuta përfundon me rezultatin 0-0
Durrës (Start)- Dinamo ka arritur të marrë vetëm një pikë nga skuadra durrsake e Teutës. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit nisi me një minutë heshtje në nderim të futbollistit të njohur durrsak, Abdulla Duma, i cili në vitet ’50-’60 përveçse me skuadrën durrsake ka kontribuar edhe në radhët e Dinamos dhe ekipit kombëtar. Në ndeshjen e luajtur për javën e 12 të superligës, Dinamo që luajti e përforcuar në mbrojtje mori një barazim të vlefshëm në fushën e vështirë të Durrësit, ndërsa Teuta pas katër fitoreve radhazi e ndali hapin brenda fushës së saj. Vendasit e drejtuar nga trajneri Sulejman Starova patën më shumë raste për shënim, por sulmuesit e saj qenë të ngurtë në veprimet para portës kundërshtare. Ndërsa trajneri i Dinamos, Zllatko Daliç, u shpreh se "ekipit të Dinamos i mungoi shënimi i golit, ku dy sulmuesit e tij nuk arritën të shënonin". Pas javës së 12-të të superligës Teuta ka 17 pikë, ndërsa Dinamo ka një pikë më shumë 18.