E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo arratiset nga kryeqyteti, me Vllazninë luhet në Shijak

Dinamo "arratiset" nga kryeqyteti. Drejtuesit e skuadrës që kryeson Kategorinë Superiore e kanë parë të udhës që gjysmëfinalja e kthimit në Kupën e Shqipërisë me Vllazninë të luhet në Shijak. Kjo është mësuar pas përcaktimit të arbitrave nga FSHF, ku gjykimi i sfidës i është besuar Ermion Sinos. "Ka qenë vendimi i drejtuesve dinamovitë që ndeshja me Vllazninë të luhej në stadiumin ‘Tofik Jashari‘ të Shijakut", ka pohuar përfaqësuesi i zyrës për shtyp, Lysien Nurishmi. "Ndërkohë, gjysmëfinalja tjetër ndërmjet Tiranës dhe Elbasanit do të luhet në ‘Selman Stërmasi‘". Vllaznia dhe Tirana duken praktikisht me një këmbë në finale, pasi kanë fituar respektivisht 4-0 dhe 3-0 përballjet e para. Vendimi i drejtuesve të Dinamos për të luajtur sa më larg syve të tifozëve të tyre lidhet me dy faktorë kryesorë. Skuadra e Dajës (e paraqitur në Shkodër me ekipin e të rinjve) nuk ka ndërmend të luftojë për Kupën dhe aktin e dytë të "komedisë" ata kanë preferuar ta zhvillojnë larg Tiranës. Arsyeja e dytë është edhe kosto e lartë që do të kishte zhvillimi i këtij takimi pa asnjë lloj interesi në kryeqytet. Krerët dinamovitë i cilësojnë tarifat e stadiumit "Qemal Stafa" si të ekzagjeruara, ndërsa në "Selman Stërmasi" do të luajnë bardheblutë. Ndeshjet e dyta gjysmëfinale do të startojnë në orën 16:00, edhe pse duket e pamundur që pas rezultateve të mëparshme, emri i finalisteve të zgjidhet pa kohën shtesë, apo gjuajtjet e penalltive.

Finalja

Federata Shqiptare e Futbollit kërkon që gjyqtari Lubos Mishel të drejtojë finalen e Kupës së Shqipërisë. Interesimi për të sjellë në Shqipëri një "bilbil" të huaj për ndeshjen më të rëndësishme të këtij trofeu është shndërruar në modë. Kjo, edhe për faktin se skuadra që fiton Kupën siguron automatikisht një vend në fazën eliminatore të Kupës UEFA dhe se klubet shqiptare nuk u besojnë arbitrave vendas, të cilët i shohin si lehtësisht të manipulueshëm. Mishel është një për "xhaketave të zeza" më të kuotuar në Evropë. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare në institucionin që drejton futbollin në vend. "FSHF-ja ka kërkuar që finalja e 56-të e Kupës së Shqipërisë të drejtohet nga gjyqtari i FIFA-s, Lubos Mishel", konfirmoi Nurishmi. Gjyqtari sllovak është renditur i treti në klasifikimin për "bilbilat" më të mirë të vitit 2007, pas gjermanëve Markus Merk dhe Herbert Fandel. Mishel është edhe mes 12 gjyqtarëve të përzgjedhur nga UEFA për të drejtuar ndeshjet e Euro 2008, që do të zhvillohet në Austri dhe Zvicër. Edhe finalja e vitit 2006 ndërmjet Vllaznisë dhe Teutës është drejtuar nga një gjyqtar i huaj: italiani Stefano Farina, në ndeshjen ku bardheblutë triumfuan me golin e Klodian Duros.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›