U19, fillon puna për Evropianin
Drejtuesit e FSHF-së kanë filluar punën për të siguruar pjesëmarrjen e përfaqësueses U19 në fazën e dytë të Evropianit të kësaj grupmoshe. Ndonëse Shqipëria vazhdon të jetë e pezulluar nga aktivitetet ndërkombëtare, FSHF shpreson që deri me datën 22 maj kur fillon miniturneu në Sllovaki, situata të jetë zgjidhur. Për këtë arsye, kanë filluar përgatitjet për zhvillimin e një grumbullimi të kombëtares së drejtuar nga Ramdan Shehu, në mënyrë që të përfaqësohet sa më denjësisht në këtë aktivitet të rëndësishëm. Përfaqësuesja U19 siguroi kualifikimin në turin e dytë, pasi u rendit në vendin e dytë në grupin paraeliminator, ku mundi 2-1 Serbinë, barazoi pa gola me Lihtenshteinin dhe u mund 2-0 me Spanjën, ku kjo e fundit u shpall fituese e grupit. Në fazën e dytë, kuqezinjtë do të ndeshen me skuadra shumë të forta që kanë një traditë të gjatë në futbollin e moshave. Turneu do të zhvillohet në Bratislavë, pasi Sllovakia është skuadra pritëse, në një grup ku janë edhe Gjermania e Kroacia. Duke parë vështirësinë e kundërshtarëve, drejtuesit e FSHJF-së kanë planifikuar që gjatë javëve të ardhshme të zhvillohet një grumbullim stërvitor me lojtarët që do të marrin pjesë në këtë turne.