E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapat e fundit të Doris Lessing

Duhet të kalojnë disa minuta që
Doris të flasë për diçka, në mos
shumë kontradiktore, të paktën
të papritur. Është fjala për Hitlerin. Ajo
thotë se e kupton atë njeri. Të mendosh
se këto fjalë vijnë nga një ish-anëtare e
Partisë Komuniste (u largua prej radhëve
të saj vitin kur Hrushovi mbajti fjalimin e
tij të famshëm në Kongresin e 20-të, në të
cilin denoncoi Stalinin). Po flasim për Erich
Maria Remarque, autorin e "Asgjë e re nga
Fronti i Perëndimit". Së fundmi Doris
thotë se ka lexuar një tjetër libër të autorit,
një libër që bën fjalë për tre ushtarë gjermanë,
të cilët si Hitleri kthehen nga lufta
e madhe në kaosin e plotë që mbizotëronte
në Republikën e Weimar-it. "Ata shohin
njerëzit me miliona marka në duar dhe me
barkun bosh. Ishin të revoltuar dhe të
pashpresë. Teksa e lexoja librin, befas nisa
të kuptoja Hitlerin". Sigurisht, ajo nuk po
i del në mbrojtje, thjesht po përpiqet që të
shpjegojë shkakun e popullaritetit të tij të
madh. Lessing është një rast i rrallë në
shumë drejtime. Për shembull, sa persona
të moshës 88-vjeçare mund të jenë
shndërruar, sikundër ajo, në fenomene
botërorë në YouTube? Kjo ndodhi me nobelisten
vitin e kaluar, kur i gjithë shtypi i
planetit erdhi para shtëpisë së thjeshtë në
West Hampstead, ku ajo jeton që prej 30
vitesh, për të parë nga afër njeriun që mori
çmimin e madh të letërsisë. Askush nuk
do ta harrojë reagimin e saj indiferent ndaj
ngjarjes dhe shprehjen e saj: "Oh, Krisht!
Kjo nuk ka rëndësi. Unë i kam fituar të
gjitha çmimet në Evropë. Të gjitha, pa
përjashtim". Ditët në vijim ajo u tregua
pak më e ëmbël dhe nisi të thoshte gjërat
e duhura, por kur e pyesin tani për "Nobel"-
in, ajo sërish thotë: "Kush janë ata
njerëz? Vetëm një grusht dreq suedezësh".
Doris vazhdon të jetojë në të
njëjtën shtëpi me të birin, Peter, i sëmurë
nga diabeti. Ditën që Dorisit iu dha çmimi,
ata sa po ktheheshin nga spitali. Një
tjetër djalë i ka vdekur tashmë nga një
goditje në zemër, në vitin 1992. Duke iu
rikthyer komenteve për "Nobel"-in, Dori
thotë se çmimi drejtohet nga njerëz që
mendojnë për veten e tyre dhe mundohen
që ta bëjnë industrinë e botimeve në botë
të vallëzojë sipas ritmit të diktuar prej tyre.
Unë njoh persona që e kanë fituar këtë
çmim dhe ata më thonë se për një vit të
tërë kanë reshtur së punuari dhe i janë
kushtuar çmimit, kërkesave të komisionit,
veprimtarive të ndryshme. Shtëpia ku
Doris jeton me të birin është nga ato shtëpitë
e zakonshme. Dhoma ku rri shkrimtarja
është tipike për një njeri të profesionit
të saj: kaotike, si një dyqan çikërrimash.
Aty gjen libra pa fund. Disa në
rafte, të tjerë në tavolinë, apo edhe në tokë,
sheh më pas një glob, maska afrikane,
bojëra vaji, rrugica që mbulojnë dyshemenë.
Doris e kalon pjesën më të madhe
të ditës në këtë dhomë. Fle në një divan të
kuq, për shkak të dhimbjes së kurrizit,
shkaktuar nga osteoporoza. Divanin e
ndan me macen e saj të madhe. Kjo grua e
gjatë e me flokët e bardhë, që i rrinë
rrëmujshëm mbi krye, është një nga shkrimtaret
më prodhimtare dhe jashtë konvencioneve
të kohës sonë. Aktualisht po
shkruan një roman që thotë se është i fundit
për të. Deri tani ka shkruar rreth 50 libra,
por duket se për Dorisin nuk funksion
shprehja "kurrë nuk është mjaft". Pjesa e
parë e "Alfredi dhe Emilia" është një roman
mbi fatin e prindërve të saj, në rast se
nuk do të kishte plasur Lufta e Parë
Botërore. Pjesa e dytë është një autobiografi
e prindërve të saj. E ëma ishte infermiere
në luftë, ndërsa i ati ushtar. Në
vitin 1917 desh humbi jetën, e megjithatë
nuk shpëtoi dot pa humbur këmbën.
"Mbaj mend tim atë që fliste shumë për
shokët që i ishin vrarë në beteja. Shpesh i
bënte pyetje vetes me zë të lartë, nëse do
të kishte qenë më mirë për të që të kishte
mbetur edhe ai me ta në fushën e betejës.
Pavarësisht paaftësisë, im atë kurrë nuk
hoqi dorë nga jeta aktive. Ndërroi jetë në
moshën 62-vjeçare", rrëfen Doris. Për sa i
përket vetes, ajo mendon se pjesën më të
madhe të karakterit e kaliti nga lufta,
përmes prindërve të saj. Pa këto përvoja
ajo ndoshta nuk do të kishte qenë kurrë
shkrimtare. Siç ka thënë edhe Graham
Greene: "Të gjithë shkrimtarët e vërtetë
duhet të kenë një copë akull në zemër".
"Inati, vuajtja dhe kujtimet e babait tim
për kohën e luftës janë pjesë e pandashme
e fëmijërisë sime, ndërgjegjes. Në
atë kohë më dukej sikur asgjë nuk do të
shkonte më mirë dhe se bota ishte kalbur
përfundimisht. Lufta ma helmoi fëmijërinë.
Nuk e kuptoj se përse prindërit e
mi nuk humbnin asnjë rast për të ma përmendur
vazhdimisht luftën. Edhe sot e
ndjej atë peshë, pavarësisht viteve që
kanë ikur tutje. Gjithmonë i bëj pyetje
veten se si ishte e mundur që njerëzit
lejuan zhvillimin e dy luftërave botërore?
Si është e mundur që edhe sot lejojmë
sërish të shpërthejnë luftërat? Situata në
të cilën ndodhet Iraku aktualisht është një
situatë e pamundur, pa rrugëdalje", thotë
Lessing. Kur e dëgjon shkrimtaren të
shprehet kështu për të shkuarën dhe të
tashmen, të vjen ndër mend një fjali diku
në veprat e saj, në lidhje me njerëzit e
moçëm: "Mund të rrish me të moshuarit
pa e kuptuar kurrë se gjithë përvojat e
botës fshihen pas fytyrave të tyre të
rrudhura e të zakonshme". Në rastin e
Lessing, nga fytyra e saj, nga vështrimi i
butë e i dashur, nuk mund ta kuptosh
kurrë se ajo e ka urryer të ëmën. "Ne e urrenim
njëra-tjetrën. Jemi zënë që kur unë
e mbaj mend mamanë time për herë të
parë. Jam e bindur që sikur ta kishte pasur
në dorë, nuk do të më kishte zgjedhur
si bijën e saj. Unë i rashë për pjesë dhe kjo
gjë e çmendte fare. Mendonte se unë bëja
çdo gjë vetëm për ta mërzitur. Ishte një
grua me një aftësi të jashtëzakonshme për
vetëshkatërrim", thotë Lessing, e cila nuk
ka ndonjë mendim të mirë edhe për të
atin. Sipas saj, fakti që ai kishte humbur
një këmbë ishte për të justifikimi i përjetshëm
që ai kishte të drejtë të ankohej dhe
të tjerët rreth tij ta dëgjonin. Megjithatë,
në marrëdhënien e saj me të ëmën pati një
pikë kthese, kur mamaja tha se kishte
kaluar një goditje në zemër. Ajo i thirri fëmijët
rreth vetes dhe nisi të ankohej e të
kërkonte prej tyre devocion. Në këto momente,
Dorisit iu dhimbs ajo grua, por
gjithçka merr fund aty, pasi më pas marrëdhënia
vazhdoi si edhe më parë.
Megjithatë, gruaja ndërroi jetë shumë
kohë më vonë, në moshën 70-vjeçare.
Doris lindi në Persi (siç quhej në atë kohë
Irani) në vitin 1919. U rrit në Rodezinë
koloniale (tani Zimbabve), pasi prindërit
emigronin sa nga një vend në tjetrin, për
shkak të luftës. Një nga gjërat që mban
mend nga fëmijëria është të lexuarit. Lexonte
pareshtur çdo gjë që i binte në dorë
dhe me një pasion përpirës që i çudiste të
gjithë. Në të ri ishte e shëndoshë dhe kjo
ishte një nga paranojat e saj. Në moshën
15-vjeçare braktisi shtëpinë dhe shkollën
për t‘u martuar me Frank Wisdom, që në
atë kohë ishte 19 vjeç. Ishte një njohje e
rastësishme. Menjëherë nga martesa pati
dy fëmijë dhe përvojën e vështirë të
mëmësisë në moshë të re e në kushte të
vështira. Në vitin 1945, në moshën 26-
vjeçare, ajo e braktisi familjen dhe u martua
me Gottfried Lessing, një komunist i
thekur. Së bashku patën një djalë, Peterin.
Por edhe kjo martesë nuk zgjati shumë.
Çifti u nda 4 vite pas njohjes, por Doris e
mbajti mbiemrin e dytë përgjithnjë, çka
mund të duket si e çuditshme për një feministe
si ajo. Më pas emigroi në Britaninë e
Madhe, së bashku me Peterin dhe dorëshkrimin
e librit të saj të parë me titull: "Kur
këndon bari". Ngjarjet zhvillohen në Rodezi
dhe në faqet e tij përshkruhet jeta e
një fermeri të varfër, gruaja e të cilit kishte
një marrëdhënie me shërbëtorin zezak.
Libri i botuar në vitin 1950 e ngjiti atë menjëherë
në maja dhe ajo u konsiderua nga
të gjithë si një yll i ri i letrave. Ky libër i tregoi
Dorisit se ajo kishte lindur për të shkruar
dhe se kjo i vinte kaq natyrshëm, saç
u vjen njerëzve marrja frymë. Ajo u detyrohet
shumë shkrimtarëve rusë, shkollës
ruse të të shkruarit, veçanërisht Dostojevskit
dhe Tolstoit. Ajo mendonte se
jeta e një shkrimtari duhet të jetë një jetë
egoiste. Sipas saj, sentimentalizmi është i
patolerueshëm, sepse është një ndjenjë
false. Në periudhën kur u vendos në
Londër, u përzje me njerëz të ndryshëm,
kryesisht të botës së letrave, dhe bënte
një jetë prej femre të lirë. Sipas disa prej
miqve të saj të dikurshëm, Lessing u ngjante
personazheve të saj pozitivë: ishte e
shkujdesur, egoiste, kërkuese, kurioze. Në
librat e saj Doris u përpoq që të nxirrte
thelbin e brendshëm të njerëzve, marrëdhëniet
mashkull-femër, perversitetin
e komunizmit, faktin që mosha nuk ka të
bëjë aspak me pasionin dhe çka është më
e rëndësishme, ajo foli shumë për neurozën
femërore. Libri i saj më me influencë
ishte "Blloku i artë", i botuar në vitin 1962
dhe që konsiderohet sot si një nga klasikët
e feminizmit. Ai flet për jetën e Anna Wolf,
për gjithë përsiatjet e saj të brendshme,
frustrimin, ndjesitë e fshehta, pra gjithçka
të patreguar. Teksa jeton edhe situatën
e sotme, ajo është e kënaqur, pasi në thelb
mendon se betejat janë fituar e tani duhet
pak kohë që gjërat të shkojnë në vendin
e tyre dhe femra shumë shpejt do të
shkojë në vendin që realisht i takon në
shoqëri dhe në familje. Për sa i përket jetës
pas "Nobel"-it, Lessing duket sikur i gëzohet
faktit që fjalët e saj kanë shumë më
tepër peshë se para se të merrte çmimin.
Deklarata e saj menjëherë pas marrjes së
çmimit në gazetën spanjolle "El Pais" ishte
një tregues i kësaj. Lessing tha: "Sulmet
e 11 shtatorit ishin të tmerrshme, por nëse
dikush do të shohë pas në kohë, në historinë
e IRA-s në Irlandën e Veriut, ato dy
ngjaje nuk kanë të krahasuar dhe më vjen
keq, por 11 shtatori nuk më duket aspak i
tmerrshëm". Sigurisht që deklarata të tilla
shkaktuan shumë diskutime e pakënaqësi
në Amerikë, por ndërkohë Lessing-
ut iu bë qejfi. Por sigurisht që Lessing
kishte kohë që ishte mësuar me çmimet
letrare dhe "Nobeli" ishte vetëm përmbyllësi
i një liste të gjatë. Çmimin e parë e mori
në vitin 1954 dhe ishte çmimi "Somerset
Maugham". Ky ishte i pari pas të cilit ajo ka
fituar çdo lloj çmimi tjetër letrar, përveç
çmimit "The booker", për të cilin ka kandiduar
5 herë. Për sa i përket "Nobel"-it,
ajo ka idenë e saj shumë të qartë se përse
i erdhi kaq vonë në jetë. Sipas saj, arsyeja
është se shkrimet e saj nuk janë shumë
konvencionale. Me librin e saj të fundit ajo
e mbyll ciklin e gjatë të romaneve që e
marrin temën nga fëmijëria e saj në Rodezi.
Në këtë libër ka një kapitull shumë prekës,
në të cilin ajo përshkruan rikthimin në
Zimbabvenë e sotme të një gruaje plakë.
Dikur kjo grua e kishte dashur shumë vendin
afrikan, por ajo çka gjen në të është
shkatërrimi nga regjimi i Mugabes. Edhe
pse e rritur në një vend me zezakë, Doris
nuk e ka për turp të pohojë se ajo ka ushqyer
edhe ndjenja raciste, të cilat, sipas saj,
vinin jo nga thellësitë e qenies njerëzore,
por nga sjelljet e njerëzve dhe qëndrimet
që mbante dikur shoqëria ndaj të ndryshmëve,
ndaj atyre që nuk ishin të bardhë.
Për sa i përket vdekjes së fëmijës së saj, ajo
shprehet: "Të të vdesë një fëmijë, është të
përjetosh një gjë që është kundra natyrës.
I shkreti Xhoni im, ai e donte kaq shumë
jetën dhe nuk duhet të kishte vdekur aq i
ri, të paktën jo ai". Po në lidhje me burrat?
Për sa u përket bashkëshortëve, Lessing
mban mend vetëm burrin e dytë dhe idetë
e tij të çmendura komuniste. "Ai nuk e
merrte seriozisht faktin se unë shkruaja.
Më tallte për këtë. Ai vetë mbeti komunist
gjatë gjithë jetës dhe vdiq si i tillë". Sipas
Lessing, komunistët ishin vrasës me
ndërgjegje të pastër, por që të dilte në këtë
përfundim, asaj iu desh shumë kohë dhe
shumë fakte bindëse. "Kam shkruar shumë
gjëra të bukura në librat e mi për komunizmin
dhe marksizmin. Në atë kohë ajo
ishte bindja ime, por tani sigurisht që mendoj
ndryshe. Mendoj që çdo lloj ideologjie
e tepruar është e dëmshme. Ndërsa në
lidhje me Margaret Theçer-in ajo vazhdon
të jetë skeptike dhe nuk e sheh kurrsesi ngritjen
e saj në pushtet si një fitore të femrave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›