Dinamo dorëzohet brenda gjashtë minutash
Dinamo humbi 4-2 miqësoren e luksit me skuadrën spanjolle të Real Sociedad, një takim i zhvilluar Blad Baiberg të Austrisë. Ditën e diel, kampionia e Shqipërisë kishte humbur me Palermon me rezultatin e thellë, 4-0. Italianët shënuan me anë Miljaçio (2), Hernandez (62’) dhe Bovo (91’). Pas golit të parë të shënuar nga spanjollët në minutën e 8-të me Llorenten, Dinamo arriti të barazojë rezultatin pas vetëm gjashtë minutash, në të 14’ me anë të argjentinasit Martinena. Pas pjesës së parë të mbyllur 1-1, blutë shqiptarë të drejtuar nga argjentinasi Luis Manuel Blanko arritën të kalonin në avantazh (2-1), në minutën e 74-t me një gol të Gjergji Muzakes, por ashtu si në takimin me siçilianët e Serisë u dorëzuan në fund të ndeshjes, kur Real Sociedad shënoi tre gola në harkun e gjashtë minutave: 82’ (Agirretxe), 84’ (Viguera) dhe 88’ (Agirretxe), duke fiksuar shifrat në 4-2.
MIQËSORET
Për Dinamon kjo ishte miqësorja e tetë e zhvilluar deri tani, ku i vetmi kundërshtar shqiptar ka qenë Laçi, ndaj të cilit fitoi 1-0. Dinamo humbi me Celjen e Sllovenisë 1-0 dhe me Koperin, po të Sllovenisë, 3-2. Më pas formacionin i presidentit Besnik Sulaj fitoi tre takime miqësore rresht: me Rijeken e Kroacisë (3-1), me Gloria Bistrica të Rumanisë po 3-1 dhe me Inter Zapreshiç të Kroacisë (1-0), përpara se të eliminohej në turin e dytë kualifikues të Ligës së Europës me Sherif Tiraspol të Moldavisë (humbi 3-1 në Moldavi, fitoi 1-0 në Tiranë). Pas dy takimeve të humbura me Palermon (4-0) dhe Real Sociedad (4-2), Dinamo do ta mbyllë serinë e gjatë të miqësoreve ndërkombëtare me Nacionalin e Portugalisë (7 gusht), një tjetër ekip elitar.
MIQËSORET E DINAMOS
Dinamo-Laçi 1-0
Dinamo-NK Celje (Slloveni) 0-1
Dinamo-NK Koper (Slloveni) 2-3
Dinamo-NK Rijeka (Kroaci) 3-1
Dinamo-Gloria Bistrica (Rumani) 3-1
Dinamo-Inter Zapreshiç (Kroaci) 1-0
Dinamo-Palermo (Itali) 0-4
Dinamo-Real Sociedad (Spanjë) 2-4
Dinamo-Nacional (Portugali) 07.08
Bilanci: 4 fitore, 4 humbje
Kapllani në superformë, gola dhe shtylla
Edmond Kapllani duket në formë të shkëlqyer gjatë miqësoreve të ekipit të tij, Augsburg, përpara se të mbërrijë në Shqipëri për ndeshjen kundër Uzbekistanit. Sulmuesi durrsak ishte protagonist në miqësoren e fituar 4-1 kundër skuadrës zvicerane të Kategorisë së Dytë, Vinterthur. Edhe pse shënoi golin e katërt të Augusburgut (në minutën e 87-të), Kapllani goditi dy herë shtyllën (12’ dhe 63’) dhe dha asistin e golit të realizuar nga Goran Sukalo. Kapllani u tregua shumë aktiv gjatë ndeshjes, duke u shfaqur dhe rrezikuar portën disa herë. Kapllani ka shënuar 4 gola gjatë miqësoreve të ekipit të tij. Sulmuesi shqiptar realizoi një dopjetë në fitoren 5-0 kundër Nojburgut. Edmondi shënoi 1 gol në fitoren 14-0 kundër diletantëve të Bobingen, gjithashtu 1 gol në miqësore e fituar 13-0 kundër amatorëve të Rot-Vajs Vajlerit.
LORIK CANA
Mesfushori shqiptar Lorik Cana, i cili luan me Galaltasrajin në Turqi, do të përballet sot me OFK Beograd në kuadër të turit të tretë eliminator të Ligës së Europës. Takimi i parë në Stamboll përfundoi 2-2. Cana, si një blerje e re e klubit turk (për 4.5 milionë euro), u aktivizua vetëm dhjetë minuta e fundit.
AGOLLI-TELI
Dy lojtarët shqiptarë Ansi Agolli dhe Admir Teli do të synojnë sot të përmbushin një ëndërr të madhe të futbollit azerbajxhanas, Karabak, kur skuadra e tyre të përballet në ndeshjen e kthimit me polakët e Visla Karkovës. Takimin e parë të zhvilluar në Poloni, Karabaku e fitoi 1-0 dhe tashmë konsiderohet si favorite.
Roma përgatit goditjen “Berhami”
Roma është duke përgatitur goditjen e fundit, atë që do të mbyllë merkaton: Valon Behrami. Anësori shqiptar me pasaportë zvicerane, e që mungon për të kompletuar fushatën e blerjeve, e që pritet të shoqërohet edhe me blerjen e dy vëllezërve Burdiso për të veshur verdhekuq. Valon Behrami e ka shtuar presionin mbi skuadrën e tij angleze, Uest Hemin, për t’u kthyer në Itali sa më shpejt që të jetë e mundur. Dhe Roma është e para në listën e tij të dëshirave të lojtarit: pesë milionë euro, shifër që Roma duhet ta mbledhë nga shitjet. Grant, trajneri i Uest Hemit, e vlerëson shumë Valonin, por lojtari dëshiron ta lërë Londrën. Deri tani nuk është stërvitur me shokët, dhe ka zhvilluar një përgatitje të diferencuar pas përfundimit të Kampionatit Botëror. Dje u bashkua me grupin, teksa është në pritje të grumbullimit me Kombëtaren zvicerane për miqësoren e 11 gushtit kundër Austrisë. Behrami, i cili më parë ka luajtur me Erjon Bogdanin te Verona e Serisë B, por i transferuar në Angli nga Lacio ku drejtor sportiv është Igli Tare, e ka të fiksuar kalimin te Roma. Klubi roman ka provuar t’i ofrojë Uest Hemit, duke i ofruar Donin, por skuadra angleze më parë duhet të sistemojë në një destinacion të ri portierin Grin, por nuk po gjen blerës në Angli. Në çdo rast duhet pritur deri në fund të merkatos.
“Qemal Stafa” shndërrohet në “mollë sherri”
Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon t’i bëjë me dije të gjithë opinionit sportiv dhe medias shqiptare, problemet e krijuara me Drejtorinë e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, të cilat rrezikojnë përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në eliminatoret e ardhshme të Kampionatit Evropian 2012. “Prej kohësh opinion publik, është njohur me penalitet që ka marrë dhe problemet që i janë krijuar Shqipërisë, nga mungesa e standartave, gjatë zhvillimit të ndeshjeve të saj zyrtare dhe miqësore në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Mungesa e ambienteve dhe standërtave në infrastrukturën e stadiumit dhe në mënyrë të veçantë niveli i dobët I fushës së stërvitjes, kanë qenë evidente në raportet e të gjitha vëzhguesve dhe delegatëve të UEFA-s. Por gjendja vazhdon të jetë e njëjtë dhe e pandryshueshme”, - thuhet në deklaratën për shtyp të FSHF-së. “Për këtë arsye Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Këshilli Mbikëqyrës i këtij institucioni, kanë vendosur që përpara fillimit të edicionit të ri futbollistik dhe eliminator (Euro 2012), të ndërrohet tapeti i fushës së këtij stadiumi. Të paktën të realizohej kushti bazë: Mundësia për të luajtur në një fushë normale futbolli. Punimet për rikonstruksionin e saj do të paguheshin nga FSHF, jo thjesht si palë e interesuar por edhe si një institucion, që ka mundësinë për të investuar një shumë të tillë, të papërballueshme nga Drejtoria e Stadiumit. Por deri më tani, asnjë veprim nuk është kryer. Sepse Drejtori i Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, shpërfill, çdo lloj logjike që ka lidhje me përmirësimin e kushteve. Madje me një kokëfortësi të jashtëzakonshme ai, nuk zbaton as vendimet e këshillit mbikqyrës dhe ato të Ministrit të Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve që ka nxjerrë një urdhër në lidhje me tapetin e ri. Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon që sa më parë, t’i jepet zgjidhje kësaj marrëdhënieje e cila përveç absurdit të mosplotësimit të kushteve minimale për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare, krijon një imazh të keq për nivelin e përfaqësimit të Shqipërisë në aktivitete të nivelit të lartë. Duket e çuditshme, por me gjithë vullnetin e mirë të Qeverisë dhe gatishmërinë e Federatës Shqiptare të Futbollit, Drejtoria e Stadiumit në mënyrë kryeneçe dhe të jashtëlogjikshme, shpërfill çdo investim që është në të mirë të futbollit shqiptar”, - përfundon deklarata e “qeverisë” së futbollit shqiptar.
Kundërshtari i Shqipërisë
Luksemburg, dorëhiqet trajneri Guy Hellers
Guy Hellers dha në mënyrë befasuese dorëheqjen si trajneri i Kombëtares së Luksemburgut, një prej kundërshtarëve të Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2012-s. Arsyeja nuk është bërë publike. Hellers ishte në detyrë që nga viti 2004 dhe në dy ndeshjet e tij kundër Shqipërisë(së drejtuar nga Oto Bariç) për eliminatoret e Botërorit 2006 i humbi 2-0 në Tiranë dhe 3-0 në Luksemburg. Trajneri i U-21, Luc Holtc pritet të jetë në bankinë në ndeshjen miqësore kundër Uellsit. Luksemburgu e nis fushatën kualifikuese të Kampionatit Europian kundër Bosnjë-Hercegovinës (Shqipëria kundër Rumanisë). Në grupin tonë janë dhe Bjellorusia e Franca.
Superliga
Sezoni 2001-2012 me 14 skuadra
Sezoni 2011-2012 i Kategorisë Superiore do të jetë me 14 skuadra dhe me dy faza (26 ndeshje). Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së pritet ta miratojë propozimin të premten. Sipas skemës, klubet kanë kërkuar që nga Superliga do të zbresë një skuadër, ndërsa vetë FSHF është e variantit të zbresin dy direkt.
Hallaçi kalon te Tirana
Rrahman Hallaçi është blerja e re e Tiranës. Ish-mbrojtësi 27-vjeçar i Partizanit dhe Vllaznisë ndodhet në Pukë, aty ku bardheblutë po zhvillojnë fazën përgatitore.
Alonso: “Me shtatë podiume fitoj titullin”
Spanjolli i Ferrarit: “Rivali më i fortë është Hamilton i Meklarenit”
Piloti spanjoll i Ferrarit, Fernando Alonso, bëri bilancin e 12 garave të këtij viti në Formula 1 përpara nisjes së pushimeve verore: “Mendoj se duhet të jemi të kënaqur me atë që kemi bërë deri tani. Kemi pasur gara të mira, të tjera jo të mira, fat, pafatësi, por jemi akoma në luftë për kampionat dhe jemi pak të distancuar. Jemi të barabartë më të gjithë kur kanë mbetur edhe shtatë gara nga përfundimi i kampionatit. Me shtatë podiume fitoj titullin”. Alonso flet edhe për kundërshtarët e tij. “Rivali kryesor? I respektoj të gjithë, por Meklaren është shumë i fortë me Hamiltonin, - shpjegon spanjolli gjatë një interviste me të publikuar në faqen e “Kavalinos”. – Red Bulli ka treguar superioritet kohët e fundit, por është koha të qëndrojmë të qetë dhe të ftohtë, stresit rritet si në pistë qoftë dhe jashtë saj, dhe në duhet të jemi të fortë ta përballojmë. Synojmë gjithmonë te fitoret, dhe nëse nuk e kemi këtë mundësi ajo është një vuajtje për të gjithë skuadrën. Ata ecën paksa shumë shpejt në Hungari, pro e dimë se ka cirkuitë më të përshtatshëm për makinën tonë. Kur makina është e fortë duhet të fitojmë, kur është më pak e fortë duhet të dalim të dytët. Kemi një makinë shumë kompetitive për të 19 garat dhe në fund do të fitojë më i miri”.
Dukati: “Asnjë marrëveshje me Rosin”
“Interesimi për Rosin dhe Hajden qëndron, por për momenitn nuk ka asnjë marrëveshje”. Skuderia Dukati komunikoi se nuk ka arritur asnjë akord me Valentino Rosin dhe Niki Hajdën për sezonin e ri të MotoGP.
5 Gusht 2010