E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo fiton derbin & titullin e 17-të kampion

Dinamo arriti fitoren më të vuajtur të historisë së saj, duke u kurorëzuar kampione e Shqipërisë për sezonin 2007-2008. 

Dinamo e filloi pjesën e parë të lojës më kërkuese dhe që në minutën e 5-të kaloi në avantazh, pas penalltisë së fituar nga Pero Pejiç, i cili u pengua brenda zonës së rreptësisë nga Luan Pinari. Gjuan Bekim Kuli dhe Dinamo e sheh veten në avantazh. Pas golit, reagimi i Partizanit është shumë i shpejtë dhe sulmet e tyre në drejtim të portës dinamovite shtohen. Epërsia e të kuqve shtohet krahas nervozizmit të lojtarëve të ekipit kryesues, e për rrjedhojë gjyqtari italian detyrohet të nxjerrë disa kartonë të verdhë për të dyja skuadrat. Sa kalojnë 30 minutat e para, Partizani, pas një goditjeje nga këndi, arrin të shënojë me anë të Tefik Osmanit, i cili me kokë brenda zonës mposht Kotorrin. Barazim. Me këtë rezultat përfundon pjesa e parë.
Kartonët e kuq
Mirëpo, pikërisht atëherë kur pritej që loja të merrte një pamje më interesante, dinamovitët shthuren. Pollozhani ndëshkohet me të dytin karton të verdhë, që automatikisht do të thotë karton i kuq, duke e lënë kështu skuadrën e tij me një lojtar më pak për 35 minutat e mbetura. Pa kaluar as 2 minuta, Bekim Kulit, për një ndërhyrje të parregullt nga mbrapa, i jepet nga gjyqtari Tagliavento, pa as më të voglin hezitim, kartoni i kuq. Pra, Dinamo gjithë minutazhin e mbetur do ta luante në disavantazh numerik prej dy lojtarësh. Kjo ka bërë që tifozeria e kuqe të marrë zemër, ndërkohë që tifozët dinamovitë i kanë përjetuar minutat e mbetura me mjaft ankth. Trajneri i bluve, Daja ka qenë aq shumë i hutuar, saqë në një moment është futur në fushë, teksa i jepte direktiva lojtarëve, ndërkohë që bashkëpunëtorët e tij nuk i zinte vendi nga emocionet.
Shanset e humbura
Epërsi e plotë e të kuqve. Megjithatë, ata nuk arrijnë të finalizojnë, pasi kryesuesit mbrohen mirë dhe të organizuar. Blutë mbrohen fort , ndërkohë që goli i dytë i Ferrajt në minutat shtesë ka vulosur shifrat në 2-1. Dinamo, pas triumfit të Faruk Sejdinit në sezonin 2001-2002, rikthehet te titulli pas gjashtë vjetësh. Tifozët e Partizanit kanë braktisur stadiumin, ndërkohë që ato të Dinamos kanë festuar me skuadrën deri në fund. Një numër i madh kanë qëndruar jashtë stadiumit, duke pritur me entuziazëm lojtarët.

Dinamo – Partizani  2-1

Golat: 5’ Kuli (11-m), 90’+3’ Ferraj / 32’ Osmani
Dinamo: Kotorri, Bodrusiç, Pisha, Abraham, Vinçetiç (61’ Diop), Graniç (86’ Ferra), Kuli, Pollozhani, Pejiç, Poçi, Allmuça (55’ Ishka).
Trajner: Ilir Daja
Partizani: Shehi, Beqiri, Osmani, Pinari, Hallaçi, Muzaka (74’ Muzaka), Dhëmbi, Shkëmbi, Babamusta (64’ Abilaliaj), Gjyla (68’ Karapici), Bakaj
Trajner: Hasan Lika
Shikues: 4000
Kartonë të verdhë: 7’, 54’ Pollozhani, 15’ Bodrusiç, 16’ Kuli, 20’ Vinçentiç, 22’ Pejic / 32’ Osmani, 43’ Beqiri
Kartonë të kuq: 54’ Pollozhani, 56’ Kuli
Gjyqtar: Paulo Tagliavento (Itali)

Daja: Trofeun e ndaj me Agim Canajn
“Sinqerisht, ta marrësh titullin në këtë ndeshje dramatike, ku kemi luajtur me 8 lojtarë, është e paimagjinueshme”. Edhe trajneri Ilir Daja vendosi një rekord me ngjyra personale. Përveç faktit se ka dalë kampion si lojtar me Dinamon, ai tashmë hyn në statistikat historike të këtij klubi edhe si trajner kampion. “Vuajtëm shumë dhe e përjetuam me emocione deri në fund takimin. Është investimi i presidencës. Një bravo edhe për teknikun Agim Canaj. Përshëndes edhe lojtarët e Partizanit, pasi i dhanë mjaft bukuri kampionatit. Titullin? Ia dedikoj lojtarëve të mi, tifozëve dhe djalit tim”.

Lika: Gabimi ynë, s’ditëm të përfitonim
Trajneri i Partizanit, Hasan Lika ka pranuar se skuadra e tij ka gabuar në këtë ndeshje, pasi nuk arriti të shfrytëzonte si duhet epërsinë numerike dhe tensionin e kundërshtarit. “Më vjen keq që nuk arritëm të fitonim. Kemi zhvilluar një sezon të mirë dhe sot ishim shumë pranë fitimit të titullit. Gjatë gjithë këtij sezoni dhe janë impenjuar maksimalisht si lojtarët, stafi teknik dhe presidenti. Ndjej keqardhje për mënyrën se si shkuan gjërat, por më tepër ndjej keqardhje për tifozët, të cilët na kanë mbështetur gjatë gjithë vitit dhe padyshim që sot prisnin që të fitonim. Duhet të kishim përfituar nga tensioni i kundërshtarit”.

Sulaj: Tani do bëj blerje për Champions
I zhbalancuar nga euforia e suksesit të djeshëm, Besnik Sulaj nuk nguron të rrëfejë projektet për të ardhmen: “Do të bëjmë skuadër të madhe. Përforcimet do të fillojnë para ndeshjeve në Ligën e Kampioneve. Ndihem mjaft i gëzuar për këtë titull, pasi u arrit në ndeshjen e fundit. Kjo ndeshje mori përmasa të mëdha, aq sa në të gjitha ambientet flitej për të. Përveçse morëm titullin kampion jam i gëzuar, edhe për faktin se në Shqipëri filloi të diskutohej sërish për futboll. Forca e Dinamos u tregua në momentin kur ekipi mbeti me dy lojtarë më pak, arriti që jo vetëm të ruajë rezultatin, por edhe të shënojë golin e fitores”.

Albert Xhani:Zoti nuk  ishte me ne
Presidenti i Partizanit, Albert Xhani, i cili është larguar nga stadiumi pak minuta para se të shënonte golin e dytë Dinamo, është përpjekur të inkurajojë lojtarët e tij. Nëpërmjet një mesazhi ai është drejtuar lojtarëve dhe tifozëve të Partizanit: “Bijtë e mi, Zoti s’ishte me ne. Kurajë! Kurajë! Ta kalojmë këtë helm, por prapë unë jam me ju tifozët sot dhe deri sa të vdes. Ju dua të gjithëve”. Partizani nën drejtimin e Xhanit nuk ka qenë asnjëherë kaq pranë titullit kampion dhe ky padyshim është një zhgënjim i shumë madh, jo vetëm për lojtarët dhe fansat kuqezi, por edhe për kreun e të kuqve.

Kategoria Superiore

Java e 33-të/17 maj
DINAMO - PARTIZANI             2 - 1
Kuli (p) 4’, Ferraj 90+2’ / Osmani 32’
BESËLIDHJA - VLLAZNIA         4 - 2
Gruda 74’, Da Silva 82’, 90+1’, Miçiç 85’/Sukaj (p) 1’, Raboshta 62’
TEUTA - BESA                 3 - 5
V. Mile 27’, 35’, Gashi 85’ / Roshi 7’, Okshtuni 21’, Mancaku 37’, 49’, Alikaj 89’
KASTRIOTI - TIRANA             1 - 2
Tali 36’ / Çapja 10’, Mohelebi 75’
FLAMURTARI - ELBASANI         2 - 2
Alvish 55’ (p), Shabani 79’ / Nenaj 62’, Bega (aut) 65’
SKËNDERBEU - SHKUMBINI         1 - 3
Mustafaj 44’, 65’, K. Dalipi 52’ / Kokona (p) 90’

Renditja
Ekipi     F    B    H    Golat    P
1. DINAMO           21    7    5    56-14    70
2. PARTIZANI    18    11    4    47-22    65
3. BESA    17    5    11    45-36    56
4. ELBASANI        13    13    7    40-24    52
5. SHKUMBINI       14    8    11    35-28    50
6. TIRANA           14    7    12    46-36    49
7. VLLAZNIA    12    9    12    46-46    45
8. FLAMURTARI       10    14    9    35-37    44
9. TEUTA    9    8    16    32-45    35
10.KASTRIOTI    10    5    18    24-43    35
11.BESËLIDHJA    9    7    17    31-52    34
12.SKËNDERBEU    3    2    28    26-80    11

Bekim Kuli “Ia dedikoj Zotit dhe familjes”

Një nga personazhet e ndeshjes së djeshme ishte padyshim numri 10 i Dinamos, Bekim Kuli, i cili në minutën e 4-ët ngriti peshë gjithë tifozerinë dinamovite me penalltinë e ekzekutuar mjeshtërisht, por në minutën e 63-të i irritoi tej mase fansat e skuadrës së tij, pasi shkaktoi një ndërhyrje të gabuar dhe fare të panevojshme ku me të drejtë u ndëshkua me karton të kuq nga italiani, Tagliavento. “Janë emocione të mëdha. Këtë titull ia dedikoj Zotit dhe familjes sime, shokëve të cilët qenë të mrekullueshëm sot, presidentit, i cili na ka qëndruar gjithnjë pranë, trajnerëve Agim Canaj që ka bërë shumë për këtë skuadër dhe Ilir Daja, si dhe atyre lojtarëve që nuk janë më. Ishte një ndeshje e vuajtur dhe siç e patë, arbitri sot nuk falte absolutisht asgjë, duke na dhënë edhe dy të kuqe, që të dyja mund të ishin të drejta, por kjo është edhe e bukura e futbollit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›