E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosch: Kushtetuta, politika shmangu konstitucionalistët

Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, në intervistën e dhënë për “MAPO”, edhe pse e cilëson të frytshme marrëveshjen PS-PD, shprehet se ndryshimet kushtetuese duhet t’i ishin nënshtruar një debati të gjerë publik. 

Skender Minxhozi

Në intervistën e dhënë, ambasadori shprehet se ndryshimi i sistemit iu nënshtrua një debati, ndërsa për kapitujt e tjerë të Kushtetutës nuk u zhvillua një gjë e tillë.
Zoti Ambasador, së fundi në debatin politik ka zënë vend tema e ndryshimeve kushtetuese. Si i konsideroni ju modifikimet që iu bënë Kushtetutës më 21 prill nga dy partitë e mëdha?
Siç e dini, unë e kam përshëndetur miratimin e ndryshimeve kushtetuese në lidhje me sistemin zgjedhor në Shqipëri, pasi jam i mendimit se sistemi i ri është një hap pozitiv drejt zgjidhjes së disa çështjeve problematike të vërejtura gjatë proceseve zgjedhore të mëparshme në vend. Miratimi i ndryshimeve në lidhje me sistemin zgjedhor u parapri nga një proces debati të gjerë që solli si përfundim një shumicë politike të konsiderueshme në votimin e Parlamentit për sistemin e ri, dhe mendoj se kështu ndodh normalisht në të gjitha vendet moderne demokratike. Megjithëkëtë, është vështirë të thuhet se i njëjti nivel diskutimi u zhvillua edhe rreth ndryshimeve të tjera kushtetuese, që u miratuan. Dëshiroj të mos komentoj rreth përmbajtjes së ndryshimeve të bëra, pasi është e qartë që kjo përgjegjësi bie mbi shpatullat e klasës politike shqiptare. Gjithsesi, nuk mund të thuhet se këto ndryshime u miratuan pas një debati më të gjerë dhe më të gjatë të mundshëm, dhe sidomos për sa i përket përfshirjes së aktorëve të tjerë të rëndësishëm, si konstitucionalistët dhe shoqëria civile. 
Në këtë kuadër, sa racional ju duket kontestimi që një grup partish të vogla po u bëjnë këtyre ndryshimeve?
Jam i mendimit se në një shoqëri demokratike të gjitha partitë politike duhet të kenë të drejtën të kundërshtojnë politika apo vendime me të cilat ato nuk bien dakord, përmes mjeteve të vendosura demokratike që sistemi ua garanton, pasi në fund të fundit, kjo është demokracia. Përsëri mund të them vetëm se për sa i përket procesit të konsultimit, mendoj se mund të thuhet me të drejtë se koha ishte e shkurtër dhe se publiku i gjerë nuk u përfshi në proces në një mënyrë apo në tjetrën. Duke pasur parasysh rëndësinë e ndryshimeve në fjalë, pasi po flasim për Kushtetutën e vendit - mendoj se paketa e ndryshimeve meritonte të diskutohej sa më gjerë që të ishte e mundur.
Partia Demokratike dhe ajo Socialiste ndodhen në një moment konsensusi për reformat e mëdha. Sa e ndihmon, sipas jush, kjo rrethanë normalitetin politik dhe demokratik në vend?
Mendoj se ky është një zhvillim mjaft pozitiv. Konsensusi politik për çështjet madhore lehtëson progresin në reformat më të gjera strategjike – kjo është e qartë. Ky konsensus, gjithsesi, gjithashtu do të rrisë besimin e publikut në klasën politike. Megjithëkëtë, mendoj se përkufizimi i këtij konsensusi duhet të shtrihet sa më gjerë që të jetë e mundur, duke përfshirë sa më shumë aktorë të rëndësishëm sa të jetë real. Kjo është e vërtetë sidomos në këtë moment të veçantë në historinë e Shqipërisë, në një kohë kur aspirata më e madhe kombëtare është integrimi në strukturat Euro-Atlantike. Jam i kënaqur që shoh se të gjithë aktorët politikë në vend e përkrahin këtë aspiratë. Megjithatë, tani ata duhet ta ruajnë dhe ta forcojnë (domethënë ta zgjerojnë) më tej këtë konsensus në muajt e vitet e ardhshme, ndërsa Shqipëria përballet me sfidat e saj drejt integrimit.
Sa e përgatitur është, sipas jush, Shqipëria për mbajtjen brenda standardeve të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare? A nuk jemi vonë në shumë drejtime, si në infrastrukturën zgjedhore dhe në pajisjen e zgjedhësve me dokumentet e reja të identitetit?
Besoj se puna për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen në përputhje me standardet e pranuara ka ecur përpara. Miratimi i sistemit të ri zgjedhor është një nisje mjaft e mirë, siç tashmë e kam thënë, dhe hedh themele të forta për punë të mëtejshme e për të filluar me çështjet që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve. Gjithsesi, megjithëse kjo gjë është arritur, mbetet ende ‘një punë në progres’. Më lejoni t’ju jap një analogji që e kam për zemër: është njësoj si një skuadër futbolli që kryeson 3-0 në pjesën e parë, e më pas e lë ndeshjen përgjysmë e ikën në shtëpi, duke menduar se kanë fituar! Siç kam thënë edhe në raste të mëparshme, procesi i reformës zgjedhore duhet të vijojë pa humbur kohë. Pres me padurim të shoh Komisionin Parlamentar përkatës që t’i adresojë këto çështje në ditët e ardhshme. Nuk përmendët modernizimin e Gjendjes Civile të Shqipërisë, dhe si Prezenca e OSBE-së po i ofron asistencë teknike Qeverisë, veçanërisht Ministrisë së Brendshme. Për sa i përket ‘progres raportit’ në këtë drejtim, mund të them se në këtë fazë gjithçka po ecën mirë dhe, në parim, nuk kam asnjë informacion që të sugjerojë se projekti nuk do të përfundojë brenda afatit të caktuar në korrik, me shpresën që nuk do të hasim vështirësi të tjera. I tërë procesi duhet të rezultojë eventualisht në një listë votuesish, që do të ndihmojë në krijimin e kushteve për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme – ky është edhe synimi ynë. Për sa i përket çështjes së kartave të identitetit, mendoj se duhet të theksoj se Prezenca e OSBE-së nuk është e përfshirë në këtë fushë të caktuar, për të mbështetur Qeverinë. Gjithsesi, nga ajo që mund të shohim, duket se Qeveria ka ndërmarrë një sërë hapash të rëndësishëm për të përmbushur kriteret. Megjithëse ‘faktori kohë’ bëhet një faktor gjithmonë e më i rëndësishëm në ekuacion, prapëseprapë mendoj se nëse koha e mbetur përdoret me zgjuarsi dhe efikasitet, dhe besoj se kështu do të ndodhë, atëherë gjërat padyshim do të arrihen.
Shqipëria vijon të përballet me një situatë të komplikuar në fushën e luftës kundër korrupsionit. Si i komentoni rezultatet e fundit të sondazhit të IDRA-USAID, që pasqyrojnë një pakënaqësi të dukshme të publikut për efektivitetin e Qeverisë në luftën kundër këtyre fenomeneve?
Që nga zanafilla e pluralizmit demokratik në vitin 1991, është thënë se Shqipëria ka bërë punë të mirë në krijimin dhe zhvillimin e institucioneve dhe proceseve politike dhe të një shoqërie civile, mbi të cilat mund të bazohet një sistem demokratik. Megjithëkëtë, ashtu siç tregoi edhe sondazhi, vazhdon të ekzistojë një farë hendeku mes ‘klasës politike’ dhe publikut të gjerë. Pse e them këtë? Politikbërja shpesh perceptohet sikur shtyhet nga interesi privat; zgjedhjet (ku qytetarët ushtrojnë fizikisht të drejtën e tyre demokratike për të votuar) shpesh janë kundërshtuar, duke ngritur shumë pikëpyetje rreth integritetit dhe ligjshmërisë së të zgjedhurve. Partitë politike përballen me një farë niveli skepticizmi nga ana e publikut në lidhje me sjelljen e tyre etike. Megjithëse kuadri ligjor është kryesisht i vendosur dhe reforma në gjyqësor dhe në administratën publike ka marrë udhën e saj – dhe kjo duhet përgëzuar – sfida politike për të luftuar korrupsionin, siç del nga sondazhi, kërkon ende punë nga të gjitha palët politike. Pikërisht për këtë arsye Prezenca u ofron institucioneve shtetërore përkatëse asistencë në mekanizmat që luftojnë korrupsionin. 
Cilat janë prioritetet e aktivitetit të OSBE-së në vendin tonë në momentin aktual?
Përparësitë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri burojnë nga mandati ynë aktual i miratuar nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së në vitin 2003. E kuptoj që perceptimi i publikut është se ne merremi vetëm me "zgjedhjet", por kjo është larg të vërtetës. Megjithëse asistenca për reformën zgjedhore përbën një nga shtyllat kryesore të punës së Prezencës, ne ofrojmë asistencë teknike në një larmi fushash tematike politikash në partneritet me ministritë përkatëse dhe aktorë të tjerë të fushës. Po ju jap disa shembuj ilustrues (jo gjithëpërfshirës) për të demonstruar atë që po them. Në çështjet e shtetit ligjor, Prezenca ofron ekspertizë ligjore për institucionet shtetërore dhe promovon transparencën dhe pjesëmarrjen publike në proceset legjislative. Ne mbështesim grupe të shoqërisë civile për të zhvilluar teknika për komentimin e projektligjeve. Kemi iniciuar një numër projektesh me synim përmirësimin e standardit të etikës gjyqësore. Kemi iniciuar një projekt për gjykim të drejtë, që analizon punën e gjykatave si dhe sjelljen e policisë në lidhje me arrestimet dhe hetimet penale. Aktualisht po punojmë me Ministrinë e Drejtësisë për të zhvilluar legjislacionin dhe trajnimin e nevojshëm për shërbimet e provës. Në fushën e të drejtave të njeriut, veprimtaritë tona përfshijnë forcimin e të drejtave të pakicave në nevojë; mbrojtjen e të drejtave të punonjësve; përmirësimin e mbrojtjes për nëpunësit civilë; përmirësimin e kushteve në ambientet e paraburgimit; dhe zhvillimin e mbrojtjes sistematike për të miturit që përballen me sistemin ligjor. Në fushën e asistencës ndaj Kuvendit, ne po zbatojmë një projekt asistence tre-vjeçar për zhvillimin e hallkave mes deputetëve e qytetarëve, dhe për mbështetje për stafin e Kuvendit.

Si ju duket eksperienca shqiptare, pas periudhës së parë të “aklimatizimit” me Shqipërinë dhe dinamikën e ngjarjeve që zhvillohen në vendin tonë?
Në rrafshin profesional, kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me homologët tanë shqiptarë në ministritë përkatëse, në institucione të tjera shtetërore dhe OJQ, dhe më vjen mirë që më është përcjellë një vlerësim i madh për punën tonë. Kjo e bën punën tonë këtu edhe më të dobishme dhe emocionuese. Kam pasur kënaqësinë të bisedoj me përfaqësues të ndryshëm të klasës politike, si nga shumica, ashtu edhe nga opozita, dhe madje edhe me ata të cilët historikisht, le të themi, nuk kanë qenë përkrahësit tanë më të mëdhenj. Gjëja më e rëndësishme është që t’i mbajmë këto kontakte gjallë dhe të vazhdojmë të diskutojmë çështje politike, e jo vetëm, në një frymë të sinqertë e miqësore. Klasa politike shqiptare e di që dera ime është gjithnjë e hapur nëse dëshirojnë të më kontaktojnë. Në aspektin personal, deri tani qëndrimi im në Shqipëri ka qenë një përvojë shumë pozitive. Në kohën që punoja në Vjenë, kisha dëgjuar nga kolegët dhe miqtë e mi shqiptarë shumë fjalë të mira rreth vendit tuaj, sidomos rreth mikpritjes së famshme shqiptare. Dhe padyshim kjo është pikërisht çfarë unë kam gjetur këtu. Kur je në një vend të ri, në një farë mënyre pret ndihmë nga të tjerët, dhe mund të them me bindje se nuk mund t’i përmend këtu të gjitha mirësitë që më janë ofruar. Gjithashtu kam pasur mundësinë edhe të udhëtoj pak nëpër Shqipëri, me gjithë angazhimet e punës dhe kam shijuar peizazhet e virgjëra. Për t’ju dhënë një shembull, panorama që mund të shijohet në rrugën Tiranë-Elbasan (përmes Qafë së Kërrabës) është vërtet e mahnitshme, dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për gjithë bregdetin e Jonit me detin e mrekullueshëm të kthjellët. Së fundi, më pëlqen shumë të vizitoj lokalet e qytetit e të pi një birrë të ftohtë me krikëll teksa shoh ndeshjet e futbollit me miqtë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›