E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vepra jetësore e Çun Lajçit, një ballist i Azem Shkrelit

Shpesh i thotë vetes dhe të tjerëve se është aktori më i dobët, por më punëtor dhe më budalla ndër shqiptarët. 

MAJLINDA RAMA

Këtë e ka të trashëguar disi nga mjeshtri Bekim Fehmiu. Dhe vazhdimisht e përdor. Është aktori Çun Lajçi, i cili pak ditë më parë në festivalin “Apollon 2008” u prezantua me shfaqjen “Përplasja”, vënë në skenë nga Ekrem Kryeziu. Ndërkohë ka një ëndërr, një ëndërr të madhe. Do të realizojë veprën jetësore, e cila për të vjen nga një ballist. Nga Dyl Mehmeti, një personazh i Azem Shkrelit, një ballist të viteve ‘43, që e ka njohur edhe personalisht. “E kam pasur ëndërr ta luaj Dyl Mehmetin, sepse kam menduar se ai do të jetë kryevepra ime, ashtu si e Azemit”, shton Lajçi në intervistën për gazetën.
Një shfaqje në një vend intim dhe kontakt të drejtpërdrejtë me publikun. Si e keni përjetuar këtë personazh?
Nuk kam punuar shumë rreth rolit, se sa kam punuar rreth idesë së  paraqitjes dhe të dukjes së këtij personazhi në rrethana të tilla. Nuk e kam pasur aspak të vështirë, sepse një kohë shumë të gjatë kam qenë në kontakt me Ekremin, si miq që jemi dhe e njoh jetën e tij nëpër burgje, ndaj s’e kam pasur të vështirë të gjendem në rrethana të tilla. Inskenimin e shfaqjes kemi pasur parasysh që sa herë do ta luajmë në salla të ndryshme, të përfitohet përjetimi. Shfaqjen është e pesta herë që e luaj dhe nuk e kemi realizuar asnjëherë njëlloj. Kemi qenë në kalanë e Ulqinit në përmasa krejt të tjera, ashtu edhe në teatrin e Pejës. Unë kërkoj diçka tjetër dhe krejt ndryshe. Kam liri të plotë krijuese nga regjisori. Regjisori vetëm më ka ofruar tekstin dhe ai personazh është i Çun Lajçit. Ajo plastikë, mimikë, të gjitha janë siç kam dashur ta pasqyroj një shqiptar në rrethana të tilla. Personazhi im është një demagog, komunist, që mendon se bota duhet të sillet rreth tij. Që mendon se futja e tij në burg është vepër madhështore. Paralelisht kam punuar “Një hënë prej letre” të Mehmet Krajës dhe kam punuar në Zagreb një serial me kroatët dhe filmin e Fatmir Koçit. Besoj se ky personazh ndryshe ka dalë jetësor. Në magjinë time kam dashur të fus edhe spektatorin në këtë botë.
Keni interpretuar në të gjithë hapësirën shqiptare. A jeni i disponueshëm?  
Për një kohë të gjatë kam qenë i shkëputur në hapësirën gjithëshqiptare dhe dua të jem me krijime të mira. Artistët luajnë gjithçka e çdo herë, më shumë keq se mirë. Në fakt, nuk dimë ta bëjmë shumë mirë teatrin, sepse teatri ka lëvizur shumë e ne kemi mbetur shumë pas. Lëvizjet e mia jashtë atdheut (kam qenë një muaj në studion e regjisorit Peter Brok) më ka bërë që të kem fituar disa gjëra plus. Duhet të jesh ai aktor, me atë potencë interpretative që spektatorin ta fusësh në botën tënde dhe të depërtosh me emocionet dhe idetë te spektatori. Këtë nuk e bën çdokush, nuk e bëj as unë. Arti është shumë më përpara dhe ne shqiptarët nuk dimë të bëjmë teatër dhe gënjejmë e krekosemi se jemi aktorë e regjisorë të mëdhenj. Por në fakt nuk jemi, sepse nuk e përcjellim teatrin bashkëkohor dhe më kujtohet Kadri Roshi kur xhironim “Kolonel bunker”, që thoshte se po e le një ditë artin, ai të harron ty. Ky rol që solla këtu është ndryshe edhe nga rolet e mia të mëparshme, por dhe interpretimet që do të bëhen më pas.
E ndien veten të shpërblyer?
Absolutisht. Njeriu mund të jetë i padrejtë në çdo kohë, por e vërteta është, ajo që ti ke bërë brenda asaj nate, çdo gjë pastaj harrohet. Merr një shpërblim aty për aty, por fatkeqësia e artit teatral është që çdo gjë ndodh në atë çast, atë moment, atë natë. Te bota mondane vazhdon pak më tutje, nuk ta harrojnë dhe natën e shpërndarjes së çmimeve. Por kjo nuk ka rëndësi, por në këtë skenë do të ngjiten aktorë të mëdhenj që unë i respektoj. Kam ardhur prej Prishtinës se më kanë thënë se do të kem konkurrencë të fortë. Shprehja ime ka qenë: “Edhe unë kam kuaj për vrapim. Unë kam ardhur të lëshoj kuajt e mi të vrapojnë fushave të Myzeqesë. A do dalim të parët, nuk ka rëndësi. Është fatmirësia e madhe që njerëzit janë krijues. Gjithmonë kam deklaruar se jam aktori më i dobët, por më punëtor dhe më budalla ndër shqiptarët. Këtë e kam mësuar prej të madhit Bekim Fehmiu. Nëse je aktor i teatrit, piktor apo shkrimtar, duhet të kesh gjithnjë ëndrrën që në të ardhmen do të bësh një vepër të madhe. Dhe unë do ta bëj veprën time jetësore.
Do jetë në teatër apo film?
E dua gjithnjë në teatër. Filmin e bëj, por teatrin e dua shumë, sepse më krijon shumë hapësirë që filmi nuk ma lejon. Ka aktorë që nuk angazhohen në film dhe thonë që nuk më pëlqen. Çdo aktor i mirë ka dëshirë të jetë në film, por vepra jetësore bëhet në teatër.
Si mund të jetë vepra jetësore e Çun Lajçit?
Një kohë të gjatë kam ëndërruar të luaj një Dyl Mehmet të Azem Shkrelit. Personazhi flet për një ballist të viteve ‘43, që e kam njohur personalisht. E kam pasur ëndërr ta luaj Dyl Mehmetin, sepse kam menduar se ai do të jetë kryevepra ime, ashtu si e Azemit. Por kushtet dhe buxheti që merr aktori shqiptar nuk mjaftojnë për ta realizuar. A do ketë një aktor shqiptar që do të vejë një vulë në krijimtarinë e vet, sepse fatkeqësisht Ministritë e Kulturës, pavarësisht njerëzit që i drejtojnë, e kanë shkatërruar kulturën me mosdijen e tyre dhe e kanë lënë anash aktorin (film apo teatër) me neglizhencën e tyre, duke menduar se po na bëjnë nder dhe në këtë boshllëk të kushteve materiale unë nuk e di nëse do të ketë Çun Lajç, Ndriçim Xhepa, Timo Flloko, pavarësisht roleve që krijojmë, a do jemi ata që do të vendosen në antologjinë e teatrit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›