E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia, PS-PD starton pakti i II

Socialistët dhe de-mokratët startojnë paktin e dytë të madh për reformën në sistemin e drejtësisë. 

BLEDAR HOTI

Dy drejtuesit më të lartë të grupeve parlamentare PD dhe PS, Patozi dhe Leskaj dhanë sinjalet për shartimin e kësaj reforme, ku paketa e ndryshimeve ligjore pritet të diskutohet që të hënën në Parlament. Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj deklaroi se, “nuk ka kohë për të humbur për bërjen e reformës në drejtësi”. Leskaj bëri thirrje që nënkomisioni për reformën në drejtësi të nisë nga puna, ndërsa ka konfirmuar angazhimin e socialistëve për të dhënë kontribut në këtë proces gjithëpërfshirës. “Ne besojmë se vendi sot ka nevojë më shumë se kurrë për bërjen e kësaj reforme, edhe për shkak se shteti ligjor është një parakusht themelor për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO. Ky është një pakt për qytetarin, është një kontribut dhe një detyrim për qytetarin, ndaj ne mbetemi të hapur e të angazhuar si edhe deri tani për të dhënë kontributin tonë në finalizimin e kësaj reforme, që në fakt vetëm ka nisur me ligjin për pushtetin gjyqësor”, deklaroi Leskaj. Numri një i grupit të PS-së ka përshëndetur sot edhe deklaratën e bërë një ditë më parë nga shefi i delegacionit të BE-së në vendin tonë, Helmuth Lohan, duke e konsideruar ndihmën që BE-ja i jep Shqipërisë, një kontribut shumë të çmuar për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Reagimi i demokratëve
Demokratët vlerësuan qëndrimin e PS-së dhe u shprehën se maxhoranca është e gatshme për vazhdimin e reformës së sistemit të drejtësisë. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në një prononcim për median rikonfirmoi se, “PD-ja ka qenë, është dhe do të mbetet e vendosur për t’i shkuar deri në fund të gjitha reformave të mëdha, për të cilat ka nevojë vendi, ku veçanërisht vend të rëndësishëm zë reforma në drejtësi”. Patozi shprehu gatishmërinë e PD-së për të nisur nga puna menjëherë. “Ne mendojmë se puna mund të nisë me nënkomisionin e reformës në drejtësi, sepse nuk kemi menduar për asnjë çast që reforma në drejtësi është vetëm miratimi i një ligji, sado i rëndësishëm qoftë ky. Jemi të gatshëm për të gjitha temat e mëdha dhe do të ishte ndoshta dhe në nderin e opozitës që këtë paketë ne ta nisim pikërisht me kufizimin e imunitetit, por dhe me tema të tjera, jemi të hapur për të gjitha temat, në rast se opozita e ka seriozisht çështjen e kufizimit të imunitetit”, theksoi Patozi. Sipas tij, “reforma në drejtësi nuk mund të konsiderohet për asnjë çast si një proces i ndërprerë, apo si proces i lënë në mes, por mund të konsiderohet thjesht dhe vetëm si i spostuar pak, për shkak të axhendës së ngjeshur parlamentare të kohëve të fundit”. “Ne kemi shfrytëzuar këtë kohë për t’u përgatitur më mirë dhe shpresoj që këtë gjë ta ketë bërë dhe opozita me specialistët e saj, për të gjitha temat e rëndësishme që përfshihen në paktin për drejtësi”, theksoi Patozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›