E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo fiton me Skenderbeun, “Nipi” mund “xhaxhin”

Dinamo u rikthye fuqishëm te fitorja duke bërë një autokritikë shembullore në Korcë kur mposhti Skënderbeun vendas 1-2.
Në ndeshjen pa shikues (rreth 45 të pranishëm, zyrtarë të dy ekipeve dhe gazetarë), Skënderbeu, në një ditë të zbehtë arriti vetëm të shënojë golin e nderit nga pika e bardhë, kur kapiteni Ligoraq Tiko (73')shndërroi në gol penalltinë e fituar nga golashënuesi më i mirë i kampionatit, Marius Ngjela. Për Tikon ky ishte goli i tretë dhe i dyti i realizuar me penallti.
Dinamo e Agim Canajt (ish-trajneri i Skënderbeut në sezonin 2005-2006) e kërkoi më fort tripikëshin. Në minutën e 14-të, Sebino Plaku, duke kaluar disa mbrojtësa korcarë shënoi me mjeshtëri golin e parë për Dinamon dhe të tretin personal në gjashtë javët e para.
Korcarët e drejtuar nga Faruk Sejdini, një nga legjendat e shtëpisë dinamovite, vuajtën shumë, ndërsa mbrojtja ishte reparti më i dobët i pjesës së parë. Goli i dytë i shënuar nga kroati Pejic (37') ishte një fotokopje e golit të Plakut. Për sulmuesin me eksperiencë ishte goli i katërt gjatë këtij sezoni.
Trajneri i Skëndërbeut Faruk Sejdini hodhi në pjesën e dytë Cajkun në vend të Hysos dhe Rapon në vend të Ballcos, duke pasur së bashku edhe me Tikon, tre sulmues në vijën e parë, duke sjellë më shumë freski në lojë, por duke shënuar vetëm një gol.
Dinamo tashmë është në vend të tretë, por me vetëm një pikë më pak se Partizani e Besa, me të cilën do të takohet në javën e shtatë. Skëndërbeu pësoi humbjen e dytë në shtëpi pas asaj me Teutën dhe të katërtën në gjashtë javë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›