E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana-Vllaznia, “o sot, o kurrë!”

Dash Frashëri
Ndeshja me Vllazninë është edhe takimi ku kampionia në fuqi, Tirana (e fundit në renditje), shpreson të bëjë kthesën dhe t'i japë fund serisë me tri humbje rresht dhe katër humbje në pesë javët e para të sezonit. Trajnerit Astrit Hafizi, i cili do të jetë pa ndihmësit e tij të pezulluar, Mema e Tafaj, do t'i duhet të përballojë jo vetëm një skuadër që dikur e ka nxjerrë kampion në sezonin 1991-1992, por dhe tifozerinë e zjarrtë të qytetit të tij. Tirana ka grumbulluar 3 pikë nga 15 të mundshmet, por në gjendje mjeruese ndodhet edhe Vllaznia, kur ka marrë në pesë javë vetëm dy pikë më shumë se bardheblutë. Me një "gropë" të madhe në qendër të mbrojtjes, pas pezullimit të mbrojtësit të Kombëtares Nevil Dede dhe me skualifikimin për shkak të kartonit të kuq të marrë në Kavajë të kapitenit Devi Muka, teknikut Hafizi do t'i duhet të frenojë një Vllazni në kërkim të fitores së parë në transfertë, të motivuar në maksimum, edhe rikthimi i Mirel Josës në bankinën shkodrane, njëherësh edhe një njohës shumë i mirë i të "fshehtave" të Tiranës. KUJTIMET – Imazhet e ballafaqimit të fundit të Tiranës me Vllazninë në "Qemal Stafa" (4-2, më 19 maj 2007) dhanë një shfaqje sa qesharake dhe aq të dhimbshme në ditën që Tirana u kurorëzua me titullin e 23-të, një rekord në Shqipëri. Gabimit të gjyqtarit në golin e parë të Tiranës, braktisjes së fushës nga ana e shkodranëve pas urdhrit të presidentit Valter Fushaj, "Napolonit" të Tiranës nën shiun e dollarëve dhe komedia e golave të golashënuesit më të mirë të sezonit të kaluar, Vioresin Sinanit, sot në radhët e Vllaznisë, iu shtuan edhe ndëshkimet e jashtëzakonshme të Disipinës për trajnerin Mirel Josa (më pas të falur nga Komiteti Ekzekutiv) dhe një sërë lojtarëve. SITUATA – Të dy ekipet kërkojnë "ringjalljen", pasi të dy formacionet e kanë nisur në mënyrën më mjeruese sezonin aktual. Tirana ka pësuar katër humbje në pesë takime, ndërsa kundërshtari i saj, Vllaznia, me 2 humbje, me dy nga ekipet në formë të këtij sezoni: Dinamon në Shkodër (0-1) dhe nga Partizani në Tiranë (1-0). Josa e dëshiron me cdo kusht fitoren ose së paku një rezultat pozitiv, që do të thoshte edhe dy pikë të tjera të humbura për Tiranën. Të njëjtën dëshirë e ka dhe shkodrani Hafizi, i cili pas prezantimit të dështuar në Kavajë në atë humbje therrëse me Besën (3-1), nuk mund të falë kurrsesi që formacioni më i paguar në Shqipëri të thellojë diferencën me Partizanin kryesues, që shkon në Vlorë me synim fitoren e gjashtë sezonale. STATISTIKA - Tirana i fitoi sezonin e kaluar dy nga tre takimet me Vllazninë. Bilanci historik midis ekipeve flet "bardheblu", me 24 fitore me shumë në "pjatën" e 23-herë kampioneve. Tirana ka fituar 68 nga 146 takimet e zhvilluara, 46 fitore i përkasin Vllaznisë dhe 32 përballje janë mbyllur në barazim. Ndeshjet e tjera Besa-Elbasani: "Derbi Bizhdili-Laze" Besa-Elbasani është një tjetër ndeshje e rëndësishme e javës së 5-të. Kavajasit po përjetojnë një moment shumë të mirë, gjë që u reflektua edhe në fitoren me Tiranën (3-1) dhe vendin e dytë. Elbasani nga e tij, pas krizës së javëve të para, ka arritur tri fitore rresht dhe ndodhet në vendin e katërt. Skenderbeu-Dinamo: Sfidë teknikësh blu Skënderbeu-Dinamo do të luhet pa shikues, por në bankinën e korcarëve do të rikthehet Faruk Sejdini, njohësi më i mirë i Dinamos dhe kampion me këtë skuadër (sezoni 2001-2002). Trajneri blu Agim Canaj nuk do ta lejojë një humbje të dytë rresht pasi mund të rrezikojë dhe stolin. Java 6 5 tetor Kastrioti-Besëlidhja 2-1 Teuta-Shkumbini 1-1 6 tetor Flamurtari-Partizani (Jareci) Tirana-Vllaznia (Janku) 17:00 Skënderbeu-Dinamo (Sino) Besa-Elbasani (Lulaj) * Ndeshjet e tjera luhen në orën 15:00 Renditja 1.Partizani 15 2.Besa 13 3.Dinamo 12 4.Elbasani 10 5.Flamurtari 9 6.Shkumbini 7 7.Kastrioti 6 8.Vllaznia 5 9.Skënderbeu 4 10.Teuta 4 11.Besëlidhja 4 12.Tirana 3 Golashënuesit 5 gola: Ngjela (Skëndërbeu); 4 gola: Elokan (Besa), Bejzade (Elbasani).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›