E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo ka përparësi shitjen në një kampionat të huaj

Sabino Plaku është përfolur gjatë ditëve të fundit të javës së kaluar si një nga përforcimet më të mundshme të sulmit të Tiranës në merkaton e dimrit, por duket se jo gjithçka do të përfundojë sipas parashikimeve. Burime nga klubi bardheblu kanë bërë të ditur mesditën e djeshme, se afati i fundit i një përgjigjeje përfundimtare për tratativat në lidhje me afrimin e sulmuesit të Dinamos te kampionët në fuqi të vendit, bardheblutë. Nuk mungojnë zërat se për arritjen e një transferimi të tillë janë angazhuar dy presidentë të dy skuadrave të njohura të kryeqytetit, Refik Halili i Tiranës dhe Besnik Sulaj i Dinamos. Sipas burimeve pranë tyre, dy numrat një të këtyre klubeve janë takuar për të zhvilluar negociatat për realizimin e kësaj lëvizjeje mes dy rivalëve kryesorë në luftën për titull. Por zoti Halili ka mohuar kategorikisht të ketë qenë pjesë e negociatave për blerjen e Plakut nga Dinamo. “Tratativat për blerjen e lojtarëve nuk janë aspak puna ime, theksoi bosi i bardhebluve. Nuk mund të them asgjë në lidhje me Plakun, pasi unë nuk merrem me ardhjen apo largimin e lojtarëve gjatë merkatos së dimrit, pasi ajo është në dorën e trajnerit”. Më pas presidenti i 24 herë kampionëve të Shqipërisë nënvizoi prestigjin e skuadrës së tij, duke sqaruar se “nuk është Tirana ajo që u kërkon futbollistëve të ndryshëm që të vijnë te klubi ynë, por janë vetë ata futbollistë që kërkojnë të vijnë te Tirana”. Në këtë mënyrë, Halili duket se po zbulonte kronologjinë që ka ndodhur me Plakun, ku vetëm sulmuesi, duket se ka kërkuar të transferohet te Tirana. Sikurse është mësuar tashmë, sulmuesi i ri, i cili ka gjetur shumë pak hapësirë në drejtimin e trajnerit Shkëlqim Muça në këtë sezon te Dinamo, është nën kontratë me blutë, por të dy klubet kanë shprehur dëshirën që kjo lëvizje të bëhet realitet. Burime pranë klubit të Tiranës kanë bërë të ditur madje, se të dielën ka pasur një takim kokë më kokë mes presidentit bardheblu, Halili dhe futbollistit Sabino Plaku, i cili ka qenë edhe në shoqërinë e menaxherit të tij, Gëzim Mançe. Ky i fundit nuk ka preferuar të flasë hapur në lidhje me këtë çështje. Megjithatë, në ato pak fjalë që ka thënë, ka lënë të kuptohet se realizimi i kësaj tratative nuk është shumë i mundshëm, për vetë faktin se Dinamo duket më pak e interesuar ta shesë sulmuesin te rivali kryesor për titull, Tirana. Pistat më të preferuara të klubit të bluve, janë ato jashtë kampionatit shqiptar. “Nuk ka asgjë të sigurt për kalimin e Plakut te Tirana. Për momentin, klubi po sheh pistat për ta shitur jashtë Shqipërisë”, përfundoi menaxheri Mançe. Tirana ndodhet në Turqi për fazën përgatitore, ku ka zhvilluar vetëm një seancë stërvitore dje. Grupi ka qenë i plotë dhe në formë. Dëmtimet e Sefës dhe Bicajt nuk janë shqetësuese.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›