E Diel, 1 Nëntor 2026

Ajo mendohet se ka qëlluar ose i ka dhënë pistoletën shqiptarit për plagosjen e tre personave

Ndihma ndaj të fejuarit shqiptar i ka kushtuar shumë një vajze rumune. Ajo është munduar që të shpëtojë njeriun e jetës së saj, por ka përfunduar në prangat e policisë italiane. Ngjarja ka ndodhur në Rimini, disa ditë më parë, por dje është arrestuar Alina Daniela Acrismaritei, e cila gjatë një sherri të fejuarit të saj, me armë në dorë kishte shkuar që ta ndihmonte. Policia tha se Daniela është arrestuar nga patrullat e lëvizshme të Kuesturës së Riminit. Arrestimi i saj vjen si vazhdim i një hetimi të kryer nga skuadra e lëvizshme e Rimini dhe e koordinuar nga zëvendësprokurori publik i këtij qyteti, Ercolan Davidi.
Hetimi kishte nisur për të zbardhur tentativën e vrasjes së disa ditëve më parë, ngjarje e ndodhur në diskotekën “Plazhi i Babilonisë” në Rimini. Në këtë ngjarje, katër persona u plagosën nga të shtënat me armë zjarri dhe thika. Pas hetimeve të gjithanshme, dje është vënë në pranga në një komunitet banimi në Marina Centro, Alina Daniela Acrismarite.
Ndërkaq, policia nuk e ka bërë të ditur emrin e emigrantit shqiptar, i fejuar me rumunen e ndaluar. Burime nga policia kanë bërë të ditur se vajza 22-vjeçare nga Rumania ishte një nga të dyshuarat e para për plagosjen e katër emigrantëve. Ajo është vënë nën akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë, krijimin e trazirave, lëndime personale dhe mbajtje të armëve pa leje. sipas ndërtimit të ngjarjes, Alina Daniela kishte futur armën në çantën e saj dhe në momentin kur sherri ishte bërë më i ashpër, ia kishte kaluar të fejuarit të saj.
Ky i fundit ishte përfshirë në një sherr mes dy bandash shqiptare dhe në një moment kishte nxjerrë armën e kishte qëlluar disa herë. Nga plumbat e kësaj pistolete u plagosën tre persona, të cilët pas marrjes së ndihmës në spital nuk janë më në rrezik për jetën. Por gjatë kësaj ngjarjeje, një goditje në krah e kishte marrë edhe vetë vajza 22-vjeçare. I fejuari i rumunes, së bashku me dy persona të tjerë, ishte vënë në pranga që në momentin e parë, ndërkohë që vajza e re është ndaluar ditën e djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›