E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo, kampionia e re Shqipërisë



Edhe pse humbi me Teutën (1-2) në “Selman Stërmasi”, Dinamo (pësoi humbjen e katërt rresht) është kampionia e Shqipërisë për edicionin 2009-2010, duke koleksionuar titullin e 18-të saj katër javë përpara përfundimit të Kampionatit të 71-të Kombëtar të Futbollit. Dinamo, pas javës së 29-të mbeti sërish në kuotën e 58 pikëve, por me Besën e vendit të dytë që ka 46 pikë, 12 më pak se blutë, kur në lojë janë po 12 pikë. Por, skuadra e Muçës i ka fituar të dyja ndeshjet me kavajasit, e duke mbyllur kështu çështjen titull. Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, rikthen titullin në 60-vjetorin e themelimit të klubit blu, ndërkohë që vetë tekniku fitoi titullin e katërt si trajner, pas atyre me Tiranën në sezonet 1994-1995, 1999-2000 dhe 2006-2007. Shkëlqim Muça u bashkua në klubin e kampionëve “blu”, 11-të tillë, e ku bëjnë pjesë Zihni Gjinali (6 herë kampion si trajner me Dinamon), Skënder Jareci (2), Durim Shehu (2), Zyber Konçi (1), Sabri Peqini (1), Stavri Lubonja (1), Fatmir Frashëri (1), Bejkush Birçe (1), Faruk Sejdini (1) dhe Ilir Daja (1). Senegalezi Ablaye Papa Diop realizoi në minutën e 11-të për Dinamon, përpara se Elton Muçollari të barazonte për Teutën në minutëne 17-të.
Kapiteni i Teutës, Vangjel Mile me golin e tij në të 69’ mbylli llogaritë e takimit, duke fiksuar fitoren e dytë rresht të durrsakëve, trepikësh që i çoi në kuotën e 38 pikëve “djemtë e detit”, përpara se ata të përballen me Skëndërbeun në “Niko Dovana”. Tifozët e paktë përveç tre golave të takimit, “shijuan” edhe ndëshkimin me karton të kuq të golashënuesit më të mirë të Dinamos, Elis Bakaj, i nervozuar pas anulimi të një goli të tij nga gjyqtari Evin Hoxha, pak minuta përpara përfundimit të ndeshjes. Kjo ishte fitorja e 27-të e Teutës në 128 ndeshje historike me Dinamon (61 fitore, 40 barazime), ndërsa Mile shënoi golin e 105-të të durrsakëve kundrejt 189 golave të bluve kryeqytetas.

18 titujt kampionë të Dinamos

Dinamo u rikthye te titulli i 18-të (2009-2010) pas vetëm një sezoni mungesë, kur për herë të fundit e kishte fituar atë në edicionin 2007-2008, falë kontributit të dyfishtë të Agim Canajt dhe Ilir Dajës. Ky është dhe titulli i tretë në drejtimin e presidentit Besnik Sulaj, pas dy të parëve të fituar në sezonet 2001-2002 (trajneri Faruk Sejdini) dhe 2007-2008 (Ilir Daja).
Bosit aktual të bluve, i mungon megjithatë trofeu i Kupës së Shqipërisë, të cilin e ka fituar ish-paraardhësi i tij, Mihal Delijorgji në vitin 2003. Të 18 titujt kampionë të Dinamos janë fituar nga 11 trajnerë të ndryshëm, ku spikat rekordi i Zihni Gjinalit, jo vetëm me 6 trofe – askush më shumë se ai në Shqipëri, por që i ka fituar edhe si trajner-lojtar.

18 TITUJT E DINAMOS
2009-2010 Shkëlqim Muça
2007-2008 Ilir Daja
2001-2002 Faruk Sejdini
1989-1990 Bejkush Birçe
1985-1986 Fatmir Frashëri
1979-1980 Stavri Lubonja
1976-1977 Durim Shehu
1975-1976 Durim Shehu
1974-1975 Sabri Peqini
1972-1973 Skënder Jareci
1996-1967 Skënder Jareci
1960 Zyber Konçi
1956 Zihni Gjinali
1955 Zihni Gjinali
1953 Zihni Gjinali
1952 Zihni Gjinali
1951 Zihni Gjinali
1950 Zihni Gjinali

Gramozi -Flamurtari 1-1

Gramozi “firmosi” rënien zyrtare nga Kategoria Superiore me një barazim prestigjioz me Flamurtarin (1-1) në Ersekë, në një ndeshje të zhvillua pa shikues. Sulmuesi Armando Sadiku shënoi në minutën e 6-të për formacionin e Agim Canajt (goli i tij shtatë sezonal), duke sjellë jo pak shqetësim të Flamurtari. Vlonjatët falë aftësive të jashtëzakonshme të golashënuesit të tyre më të mirë, Migen Memelli (81’), morën një pikë të çmuar në në Ersekë, duke shmangur humbjen pas një serie prej pesë fitoresh rresht.

Skënderbeu- Apolonia 1-1

Skënderbeu shpërdoroi një tjetër mundësi të artë në shtëpi, duke mos shkuar më shumë se barazimi ndaj një Apolonie (1-1), të rrezikuar më shumë se kurrë për të rënë nga Superliga. Pas një pjesë të parë pa gola, ishte Klodian Asllani ai që ringjalli në minutën e 54-t shpresat e Skënderbeut për të marrë tre pikë të tjera të arta pas fitores në tavolinë me Vllazninë. Apolonia, që nga ana e saj ka bërë një sezon me dy pamje në kontrast të fortë, falë golit të Kenan Rakipoviç (70’) doli për herë të dytë e pathyer nga Korça, ku në fazën e parë kishte fituar 3-2.

Kastrioti – Vllaznia 2-0

Kastrioti me fitoren 2-0 në Krujë komplikoi jo pak pozitat e Vllaznisë pas 29 javëve në kampionat, në një ndeshje me shumë grintë dhe atmosferë. Mesfushori kroat Ivan Babiç ishte sërish heroi i krutanëve të Ramadan Ndreut, me dy gola të tij në pjesën e dytë, të parin nga pika e bardhë (62’) dhe të dytin, katër minuta nga përfundimi i kohës së rregullt. Vllaznia, pas humbjes në tavolinë me Skënderbeun, pësoi një tjetër humbje shokuese në fushë, ndaj një skuadre të cilën nuk e llogariste aspak si favorite për të fituar takimin.

Besa-Shkumbini 2-0

Besa triumfoi për herë të tretë ndaj Shkumbinit në kampionat, por fitorja 2-0 (Shkwmbi dhe Sinani) e kavajasve u shoqërua me shumë incidente në shkallët e stadiumit, një tension i pritshëm dhe i paralajmëruar pas ngjarjeve në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Gjatë takimit të ndërprerë disa herë, madje qysh në minutën e dytë, nuk munguan edhe stolat mbi bankinën e revoltuar të peqinasve. Gjyqtari ndërkombëtar, Sokol Jareci, largoi fillimisht për protestë trajnerin Përparim Daiu, përpara se të dëbonte sekretarin e klubit të Shkumbini, Astrit Isai.

Tirana- Laçi 1-2

Tirana komprometoi rëndë shpresat për vendin e dytë në Superligë, teksa ish-kampionët e porsa shkurorëzuar humbën 2-1 me Laçin, pikërisht në një “Qemal Stafa” të përzgjedhur enkas për likuidimin e rivalit befasues. Mesfushori me përvojë Julian Ahmataj shënoi në minutën e 10-të, duke krijuar përshtypjen e fitores së katërt rresht nën drejtimin e Sulejman Starovës, por Valdano Nimani vendosi ekuilibrat në minutën e 44-të. Sulmuesi Arlind Nora realizoi golin e fitores 2-1 në minutën e 73-të.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 29
21.04.2010, 14:00

Dinamo-Teuta 1-2
Shënues: Ablaye Papa Diop 11’/ Elton Muçollari 17’, Vangjel Mile 69’

Besa-Shkumbini 2-0
Shënues: Bledi Shkëmbi 1’, Vioresin Sinani 57’

Tirana-Laçi 1-2
Shënues: Julian Ahmataj 10’/ Valdano Nimani 44’, Arlind Nora 73’

Kastrioti-Vllaznia 2-0
Shënues: Ivan Babic 62’ (p), Ivan Babiç 86’

Skënderbeu-Apolonia 1-1
Shënues: Klodian Asllani 54’/ Kenan Rakipovic 70’

Gramozi-Flamurtari 1-1
Shënues: Armando Sadiku 6’/ Migen Memelli 81’

22 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›