E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkimet në hidrocentrale, ndërpriten pas dy ditësh

22/04/2010 Stojku: Situata po shkon drejt normalizimit. Bien prurjet anësore në tre liqenet

Situata në hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin po shkon drejt normalizimit dhe pritet që brenda dy ditëve të ardhshme të ndërpriten shkarkimet. Drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se shkarkimet nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës kanë pësuar rënie dhe po ashtu edhe prurjet e ujit në kaskadë. “Situata është e kontrolluar, ne po shkarkojmë nga liqeni i Vaut të Dejës 1760 metër/kub ujë në sekondë, 300 metër/kub më pak se dita e djeshme. Njëkohësisht prurjet në liqenin e Fierzës kanë filluar rëniet, janë afërsisht me 1050 metër/kub në sekondë, kështu që në pak orë ne do hyjmë në prurjet normale. Kjo situatë do ndiqet deri në uljen e prurjeve dhe me siguri që në dy ditët e ardhshme këto shkarkime do të ndërpriten”, deklaroi Stojku. Ndërkohë, mësohet se dje niveli i liqenit të Fierzës ka qenë 296,61 metër, pra rreth 61 centimetër mbi maksimalen e lejuar. Po e njëjta situatë e rënduar është paraqitur edhe në hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës, ku niveli i të parit është 173.90 metër, ndërsa Vau i Dejës është në 74.85 metër. Gjithashtu gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Drejtori i përgjithshëm i KESH-it e ka vlerësuar gjendjen e krijuar në kaskadë më të vështirë edhe se përmbytjet e vitit 1963. Sipas tij, prurjet mesatare mujore në 1963-shin ishin 470 metër/kub në sekondë, ndërkohë që këtë muaj prurjet mesatare të ujit vlerësohen në 730 metër/kub në sekondë. Për këtë vit është hera e tretë që KESH hap portat shkarkuese të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Rasti i parë erdhi në janar, periudhë gjatë së cilës shkarkimet zgjatën rreth dy javë dhe një pjesë e mirë e zonës së Shkodrës e nën Shkodrës u përmbytën. Një muaj më vonë, në shkurt, për shkak të shirave dhe shkarkimeve që bënte Maqedonia nga Ohri, u rihapën portat e hidrocentraleve, por këtë herë përmbytja ishte në nivele më minimale se e para. Tashmë e gjithë vëmendja është përqendruar në eliminimin e pasojave që mund të vijnë si pasojë e hapjes së portave të shkarkimeve të hidrocentraleve.

Prodhimi

Prodhimi i energjisë elektrike ditën e djeshme ka qenë në sasinë e 29.415 milionë kilovat/orë energji, ndërsa eksportohen 16 milionë kilovat/orë. Ky do të jetë kapaciteti prodhues dhe eksportues edhe gjatë ditëve në vijim, duke pasur parasysh se prurjet në liqen vazhdojnë të jenë në nivele ende të larta.

Funksionimi

Në kuadër të monitorimit të situatës, zëvendësministri i Energjetikës, Leonard Beqiri, vizitoi para dy ditësh edhe hidrocentralin e Vaut të Dejës. Pas kësaj vizite ai theksoi se Shqipëria po eksporton energji, ndërsa njoftoi se gjendja e agregateve në tre hidrocentralet është mjaft e mirë, çka jep mundësi për prodhim maksimal të energjisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›